Julian Deda tregon përse nuk e pranoi mandatin e deputetit nga Lulzim Basha, ja çfarë mendon për garën brenda PD-së

May 30, 2021 | 12:44
SHPËRNDAJE

Aktori i njohur Julian Deda rrëfeu në një intervistë televizive arsyet përse nuk e pranoi mandatin e deputetit të ofruar nga kreu i PD Lulzim Basha.

Julian deda

Në intervistën për “FitStation”, në News24 Deda tha se për momentin nuk e sheh të arsyeshme të kondicionohet, duke u shprehur se nuk mund të shkojë në Parlament thjesht për të ngritur kartonin.

“Nuk refuzova, nuk isha as i fundit në listë, as nuk jam mërzitur me Bashën. Ramë dakord që unë mos të isha. Mund ta quajmë refuzim, por nuk ishte nga këto refuzime të tipit “nuk dua unë”, thjesht ram dakord që të mos jem. Unë nuk jam tipi të shkojë në parlament dhe të ul e të ngre kartonat. Unë kam dëshirë të jem aktiv, në jetën time dhe karrierën time. Nuk e mohoj që një ditë mund të jem deputet, por për momentin nuk e shoh të arsyeshme për tu kondicionuar psiko-fizikisht, thjesht për t’u uluar atje edhe për të mbajtur një fjalim një herë në javë dhe të ul e të ngre karton”, u shpreh Deda.

Deda dha një koment edhe për zgjedhjet që do mbahen në PD në 13 qershor, duke u shprehur se nëse dikush do të bëhet kryetar duhet ta marrë atë vend, jo t’ia japin.

“Jam anëtar i Këshillit Kombëtar, dhe mendimin e kam dhënë me votë, e miratova si logjikë. Gara është e hapur sot që flasim. Gjithë kush ka të drejtë të kandidojë në bazë të kritereve në statut. Që të drejtosh PD-në duhen disa kritere më shumë, sepse PD nuk është parti dosido, është aset kombëtar. Duhet të hyjë në një proces, edhe pastrimi edhe ndryshimi figurash, si të doni quajeni. Nëse dikush do të bëhet kryetar i Partisë Demokratike, duhet ta marrë atë vend, jo t’ja japin. T’i thuash tjetrit ik ti të vijë unë, është të ta japin vendin, jo, drejtimin e PD-së duhet ta marrësh me votë, duke bindur demokratët, duke treguar që programi që ti ke vlen më shumë. Në këtë sens gara është komplet e hapur. Kjo lufta meskine ik ti të vij unë, nuk është çështje karrigesh, është çështje organizate, çështje njerëzish”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura