Juli dhe shokët e tij, dhurata e shekullit kalon nga… miqtë. Ja cilët janë njohjet e vjetra të Ahmatajt

Nov 1, 2019 | 21:08
SHPËRNDAJE

Trimi i mirë me shokë shumë… Po trajneri i mirë, sa shokë duhet të ketë? Dhe mbi të gjitha, çfarë ndodh nëse të rastis të drejtosh një skuadër, ku gjysmën e saj i ke pasur shokë ekipi? Po kur skuadra ka emrin e madh “Tirana”, puna bëhet më e vështirë, apo më e lehtë? Koha do ta tregojë… Julian Ahmataj ka marrë përsipër një detyrë të bukur, por edhe të vështirë. Për çdo trajner në Shqipëri, është nder dhe privilegj të drejtosh Tiranën, klubin më të titulluar në vend. Por është edhe një përgjegjësi e madhe. Për Ahmatajn mund të quhet edhe sfida e karrierës. Për shumë arsye…

julian ahmataj

Së pari, Ahmataj ka marrë në dorë një skuadër që kërkon titullin kampion për këtë 100- vjetor të klubit, por që nuk është e ndërtuar prej tij në merkaton e verës. Për ta arritur këtë, do t’i duhet minimalisht të thyej një “mallkim” 5-vjeçar, që ka të bëjë me derbin. Ndeshja me Partizanin është kthyer në makth për bardheblutë. Një tjetër element, por jo më pak i rëndësishmi, është që Ahmataj tashmë nuk është më shoku, por shefi i 10 futbollistëve të Tiranës.

julian ahmataj

Të punosh me Ilion Likën, Tefik Osmanin, Andi Lilën, Erando Karabecin, Gentian Muçën, Eni Imamin, Idriz Bathën etj., është një avantazh, pasi ke në fushë profesionistë të përgjegjshëm për detyrat dhe atë çka përfaqësojnë. Por nga ana tjetër, duke i pasur dikur shokë, natyrisht që kërkon deri diku edhe një qasje tjetër për t’u shndërruar në shefin e duhur, në trajnerin që u merr maksimumin të gjithëve dhe arrin të vërë në punë të gjithë mekanizmat. Le ta themi troç, në Shqipëri nuk është edhe aq e lehtë që të bëhet kjo, por Ahmataj i ka mundësitë ta bëjë. Natyrisht, nëse do ta ketë klubin në krah çdo moment.

AHMATAJ DHE 10 SHOKËT E TIJ

Me Ilion Likën, Julian Ahmataj ka njohjen më të largët dhe më të shumtë në karrierën e tij. Kanë luajtur së bashku te Dinamo në vitet 1999- 2002, 2003-2004, 2006-2007. Ama jo vetëm bardheblu, pasi janë takuar dhe aktivizuar edhe te Tirana në vitet 2011- 2013. Janë tetë sezone së bashku në një skuadër dhe kjo nuk është pak.

ahmataj dhe shoket e tij

Shoku i dytë me më shumë ndeshje është Tefik Osmani, me të cilin ka luajtur në tri skuadra të ndryshme, Elbasanin, 2005-2006, Tiranën, 2009-2010 dhe Teutën, 2013-2014. Flitet madje se një nga kumbarët për Ahmatajn te Tirana është pikërisht mbrojtësi korçar. Podiumin e plotësojnë Erando Karabeci dhe Erjon Hoxhallari. Ky i fundit ka luajtur krah trajnerit te Tirana në vitet 2011-2013 dhe te Teuta në sezonin 2014- 2015. Me Erandon, që është edhe kapiteni i skuadrës, ka qenë shok ekipi te bardheblutë në sezonet 2009-2010 dhe 2011-2013.

Me Andi Lilën ka qenë në krah gjatë kampionatit 2009-2010, duke veshur gjithmonë fanellën e Tiranës. Me fanellën bardheblu, Juli është aktivizuar krah Gentian Muçës në Tiranën e sezonit 2012-2013. Idriz Batha, Teuta, dhe Eni Imami, trajneri aktual të Tiranës, e kanë pasur shok ekipi në sezonin 2013- 2014, por në radhët e Teutës. Dorian Kërçiku me Ahmatajn te Tirana ka luajtur vetëm një verë qershor-gusht 2011 dhe më pas u largua drejt Skënderbeut.

Në fund, Edvan Bakaj. E ka pasur trajner te Luftëtari së bashku me Dungën, por lidhja e tij me Ahmatajn është që nga Partizani i sezonit 2004-2005. Kanë qenë bashkë në një ekip, ndonëse Bakaj zor se ka luajtur me skuadrën e kuqe atë vit, por është e sigurt që së bashku janë stërvitur në një vend

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura