‘Ju rrëfej përgjimet në Bllok’- Flet ish-shefi i Ndërlidhjes: Djali i Mehmet Shehut kishte ngritur një laborator sekret! Plani me Vladimirin për të ndërtuar…

Jul 28, 2021 | 13:12
SHPËRNDAJE

Luan Pogace-libri-pergjimi11Gazeta Panorama.al vijon sot me botimin e rrëfimit të Luan Pogaçit, ish-shefit të Ndërlidhjes së Udhëheqjes. Njeriu përgjegjës për komunikimin mes anëtarëve të byrosë, vilave të tyre në ish-Bllok, zbuloi në numrin e kaluar se, pavarësisht frikës së regjimit, sërish telefonatat e anëtarëve të byrosë përgjoheshin.

Pogaçi zbulon se në hyrje të ish-Bllokut ishte ndërtuar një godinë prej betoni, nga ku ai zbuloi përgjimin e Mehmet Shehut. Bëhet fjalë për Kryeministrin e kohës, përgjimi i të cilit sigurisht që bëhet në ombrellën e një anëtari tjetër byroje. Spiuni i parë, sipas Pogaçit, ishte Hazyri, një burrë nga Kosova që ishte integruar në radhët e ndërlidhjes me bekimin e ministrit. “Hazyri, i cili mbante çelësin, kur hoqa kapakun ku mbështeteshin linjat, u drejtova te pikat ku mbështetej telefoni i Kryeministrit. Meqenëse më parë kisha marrë pjesë në ndërtimin e kësaj pike telefonike dhe i dija përmendësh vendet e lidhjes së telefonave të Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, më ra në sy se në pikat e kontaktit të telefonit të qytetit që shkonte te shtëpia e Kryeministrit, kishte një fije poshtë që lidhej me linjën telefonike të një numri tjetër pranë tij”, shkruan Pogaçi.

Por duket se moda e përgjimeve ishte përhapur gjerë ndër anëtarët e byrosë. Paranoja, akuzat dhe ekzekutimet e njëri-tjetrit, e kishin modifikuar luftën. Në numrin e sotëm, gazeta boton pjesën e dytë të rrëfimit të Pogaçit, ku flitet jo vetëm për incidentet me Ndërlidhjen, por edhe për laboratorë sekretë. Djali i ish-Kryeministrit, Vladimir Shehu, kishte investuar të krijonte një laborator personal ndërlidhjeje. Ja çfarë kujton shefi i Ndërlidhjes:

“Vladimiri, pasi kishte punuar disa vite në Uzinën e Televizorëve në Durrës, tashmë punonte në Tiranë. Kishte krijuar një laborator elektronik të pajisur shumë mirë dhe merrej me ndërtimin e pajisjeve të kohëve të fundit. Me sa kisha dëgjuar, aty kishte nisur të bënte edhe eksperimente të ndryshme. Me të punonte edhe një inxhinier tjetër, shumë i talentuar, i cili kishte punuar më parë në Uzinën e Televizorëve në Durrës. Njihej nën zë për biografi jo të përshtatshme me regjimin, por për të bëhej garant Vladimiri që e kishte thirrur për të bashkëpunuar. Ishte një laborator sekret dhe për veçorinë e punës së tij, fare pak vetë e dinin”…

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

NGA LUAN POGAÇI

Pavarësisht se nuk u bë shumë zhurmë lidhur me ankesën e Mehmet Shehut për përgjimin e telefonit, Shërbimi i Sigurisë së Ndërlidhjes së Udhëheqjes ndërmori një sërë masash organizative e teknike.

Nisur nga dyshimet që m’i kishte shtuar dhe më tepër ngjarja e fundit me telefonin e Kryeministrit, fillova të merrja disa masa organizative. Paraprakisht mblodha shoqëruesit personalë të udhëheqjes dhe bisedova me ta për problematikën e ndërlidhjes telefonike. Vura në vëmendjen e tyre se ndërlidhja qytetëse që shërbente për udhëheqjen, nuk kishte shkallë të lartë sigurie nga përgjimet e mundshme. Më shqetësuese atë periudhë ishin ndërhyrjet telefonike në adresat e zyrtarëve të lartë. Për këtë i instruktova konkretisht si të vepronin. Në çdo rast, u thashë, kur ka ndërhyrje nga telefona të tjerë, duhet lënë telefoni hapur dhe me tjetër telefon të më njoftoni menjëherë. Dhe aplikimi i kësaj mase teknike dha rezultat. Sa më lajmëronin për ndërhyrje të dyshimta, aty për aty kontaktoja me centralin dhe konfirmoja në vend numrin e telefonit dhe vendndodhjen e telefonuesit tinëzar.

Me këtë metodë  zbuluam në një rast qytetarin që shqetësonte familjen e Enver Hoxhës pas mesnate. Numri nga vinte ndërhyrja i përkiste një telefoni që administrohej nga qyteti i nxënësve dhe ishte vendosur në kabinën e rojës së natës. Shkova aty menjëherë dhe u përballa me rojën që argëtohej me telefonatat në adresë të familjes Hoxha. “Çfarë je duke bërë”, e qortova, pasi iu prezantova. Ai një moment ngriu dhe nuk dinte si të shpjegohej. “E bëra për shaka”, tha me gjysmë zëri dhe me sytë përtokë. Çfarë t’i thosha më tej. Pasi e qortova dhe i shpjegova pasojat e këtyre veprimeve të pamenduara, u largova, pa e çuar problemin më tej, sepse m’u duk se me të vërtetë e kishte bërë rastësisht. Shpesh rojet e objekteve mërziteshin gjatë natës dhe merrnin numra telefoni kot për të shtyrë kohën.

PROJEKTI I PAMBARUAR ME DJALIN E KRYEMINISTRIT

E ndërsa për ndërlidhjen qytetëse ishte disi më i lehtë kontrolli teknik, delikate paraqitej siguria me telefonat sekretë dyshifrorë që përdornin udhëheqësit. Kishte ardhur koha për sekretimin suplementar të bisedave që zhvilloheshin nga këta telefona me aparate të veçanta. Së paku unë kisha dyshime se mund të kishte përgjime edhe në këtë ndërlidhje. Të parit që ia shpreha këtë shqetësim ishte Vladimir Shehu, djali i Kryeministrit. Me të njihesha, pasi ishim kolegë në profesion, të dy inxhinierë elektronikë. Vladimiri, pasi kishte punuar disa vite në Uzinën e Televizorëve në Durrës, tashmë punonte në Tiranë. Kishte krijuar një laborator elektronik të pajisur shumë mirë dhe merrej me ndërtimin e pajisjeve të kohëve të fundit. Me sa kisha dëgjuar, aty kishte nisur të bënte dhe eksperimente të ndryshme. Me të punonte edhe një inxhinier tjetër, shumë i talentuar, i cili kishte punuar më parë në Uzinën e Televizorëve në Durrës. Njihej nën zë për biografi jo të përshtatshme me regjimin, por për të bëhej garant Vladimiri që e kishte thirrur për të bashkëpunuar. Ishte një laborator sekret, dhe për veçorinë e punës së tij, fare pak veta e dinin. Pasi u takova me Vladimirin, i kërkova të dija në mirëbesim se ku e kishin laboratorin. Ai më tregoi se laboratorin e kishin vendosur në një vilë dykatëshe të vjetër pranë pazarit të ri në rrugën “Qemal Stafa”.

Në një nga ditët mbas ngjarjes, me telefonin e Kryeministrit shkoj në laborator dhe i takoj të dy inxhinierët. Më pritën mirë, më qerasën me kafe dhe gjatë kësaj kohe u them problemin, për të cilin kisha vajtur. Mbasi u shpjegova që nuk kishte problem në përgjimin telefonik të Kryeministrit, përsëri u theksova se jam i shqetësuar për ndërlidhjen sekrete, ndaj duhet të më ndihmoni për të sekretuar këto biseda.

Si u fola për shqetësimin e telefonave të udhëheqjes dhe dyshimit të tyre për përgjime të mundshme, u kërkova asistencë teknike për të ndërtuar një ekzemplar të një pajisjeje sekretimi të koduar. Ne, u thashë, mund t’i blejmë dhe jashtë shtetit, p.sh., në Zvicër, por sekreti deri diku mbetet i diskutueshëm, pasi ata që prodhojnë pajisjen e dinë edhe kodin e saj. Ata më dëgjuan me vëmendje dhe pranuan të bashkëpunojnë për të prodhuar një pajisje të tillë sa më shpejt që të ishte e mundur.

Mirëpo, ngjarjet rrodhën shpejt, Kryeministri u vetëvra, laboratori u shpërbë. Pajisja mbeti në proces. Mbas kësaj u detyruam që të blinim pajisje në Zvicër, por ato jo gjithnjë përdoreshin për shërbim. Sidoqoftë, në atë furtunë të madhe që morën zhvillimet në atë periudhë, historia e përgjimeve dhe problematika e ndërlidhjes gati u harrua, sikundër u harruan dhe ato episode përballjeje me elementë keqbërës e dashakeqë që kishin vënë dorë në pajisjet e komunikimit të udhëheqjes..

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:

“Dy rastet e përgjimeve të Mehmet Shehut!”- Rrëfehet ish-shefi i Ndërlidhjes: Si e zbuluam spiunin në Bllok dhe ndërhyrjet në kabinën sekrete! Ju tregoj shakanë e hidhur të Ramiz Alisë (pjesa 1)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/