“Ju rrëfej bisedën me ambasadorin Lu për dajën e Fiqirete Shehut agjent i CIA”

May 24, 2016 | 11:45
SHPËRNDAJE

Historia e Adrian Qereshnikut është një ndër ato mijëra histori të dhimbshme, që shqiptarët kanë përjetuar gjatë viteve të diktaturës. Një baba i burgosur me akuzën si “agjent i CIA-s”, nëna e gjymtuar nga një aksident në punë, ndërsa ai vetë, si e gjithë familja, duhet të mbante njollën e të “deklasuarit”, çka do të thoshte vështirësi shkollimi, vështirësi punësimi, rrezik i vazhdueshëm.

Ambasadori Lu/ Ardian Qereshniku
Ambasadori Lu/ Ardian Qereshniku

Ajo çka e dallon historinë e tij, është fakti që ai ishte kushëri i parë me bashkëshorten e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Ai ishte djali i dajës së Fiqirete Shehut, e cila në mënyrë të heshtur e ndihmoi që ai të shkollohej si inxhinier. Dhe po kaq e ka ndihmuar edhe i biri i saj, Vladimiri, me të cilin ai studioi në të njëjtën klasë e punuan në të njëjtën ndërmarrje.

Historinë e vet peripetike, Adrian Qereshniku ia ka rrëfyer vetë ambasadorit amerikan Donald Lu, gjatë pritjes së imbarkimit në avionin Tiranë- Malpensa. Dhe sot vjen edhe për lexuesin e gazetës “Panorama”, si një dëshmi tronditëse e një të mbijetuari të diktaturës.

Adrian Qereshniku

Para një muaji, në datën 8 prill, ora 18 e 10 minuta, nisej nga Rinasi avioni i agjencisë ajrore “Alitalia” për në Milano, Malpensa. Pasi bëra “check-in” dhe kontrollin e pasaportës, u ula në zonën tranzite, në pritje për t’u imbarkuar.

Vura re pa pritur se aty në sallën e pritjes ku isha ulur, vjen ambasadori amerikan Donald Lu, i shoqëruar nga një zonjë dhe një zotëri (personel i Ambasadës). Të tre udhëtonin për në SHBA, por deri në Milano ata udhëtonin me të njëjtin aeroplan me mua.

Për t’u habitur, ata nuk kaluan në mënyrë speciale si persona VIP, por u ulën në mes të udhëtarëve të thjeshtë. Në ato momente, u ngrita dhe vajta direkt ku ishte ulur ambasadori Lu, pa e ditur as vetë se çfarë do t’i thosha.

Sapo u afrova, Mr.Lu, me një pamje miqësore, më dha dorën dhe m’u drejtua në shqip: Përshëndetje!

Përshëndetje, ia ktheva edhe unë, duke shtuar se mund të flisnim anglisht.

Iu drejtova në anglisht me shumë emocion: Ju lutem, Ju lutem Mr. ambasador ndihmojeni popullin shqiptar, i cili ka shumë shpresa te ju, si për personalitetin tuaj, si dhe për pozicionin tuaj si ambasador i SHBA-ve. Shqiptarët kanë kaluar tmerrin nën regjimin komunist.

Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet ish-komuniste të Europës Lindore. Shqiptarët meritojnë një jetë më të mirë, më me dinjitet.

Shqiptarët janë një komb inteligjent dhe me shumë talent, por shumë fatkeqë. Mr.Lu, në mënyrë shumë miqësore më pyeti: Kush jeni ju?

I thashë: Unë quhem Adrian Qereshniku. Në vitin 1946 komunistët arrestuan babanë tim dhe e dënuan me 10 vjet burg, me akuzën “agjent amerikan i spiunazhit CIA!”. Babai im para luftës ka qenë profesor në shkollën teknike amerikane në Tiranë.

Realisht ai ka pasur miqësi me drejtorin e asaj shkolle, Mr. Harry Fultz, por nuk ka qenë spiun amerikan, në asnjë mënyrë. Mr.Lu më pohoi se e njihte historinë e Harry Fultz-it. Kështu, vazhdova, pas burgosjes së babait filluan peripecitë. Mamaja në moshë 32 vjeç, si dhe shumë gra të tjera me burrat e burgosur, përfundoi punëtore krahu, transportonte llaç ose tulla me tezgë, për të siguruar bukën për fëmijët e saj.

Në vitin 1950, kur punonte diku në një kantier, në periferi të Tiranës, kishte vendosur në një gardh me tela me gjemba trastën e saj, në të cilën kishte një copë bukë, një kokërr domate dhe pak djathë. Në vaktin e drekës, vajti të merrte bukën për të ngrënë, por një hark i fortë elektrik ia dogji dhe ia shkrumboi krejt dorën.

Mamaja ra pa ndjenja, pothuajse e vdekur përtokë. (Shkaku ishte se diku më tutje, mbi telat e gardhit kishte rënë një tel i linjës së tensionit të lartë). Në spital ia prenë dorën deri te bërryli, por meqë krahu filloi të gangrenizohej, asaj ia prenë deri lart në sqetull. Mbas një apo dy vjetësh, miq të familjes i thanë të bënte një kërkesë për ndonjë farë pensioni, mbasi aksidenti ndodhi në pune dhe jo për faj të saj.

Kur mamaja u paraqit para komisionit mjekoligjor komunist, i kryesuar nga dr.Fejzi Hoxha, ata i thanë se nuk i takonte pension: Ti mund të shkosh të shesësh cigare me dorën tjetër. Më vonë, në vend të pensionit që kërkuam, na nxorën edhe nga shtëpia dhe na çuan në një rrangallë. Ishim katër familje me një banjë të vetme, që ishte një qenef i ndyrë. Kurse në shtëpinë tonë u fut një komunist.

Në këto rrethana të vështira, na u gjendën në ndihmë vëllezërit e mamasë. Unë mbarova shkollën e mesme në Politeknikumin “7 Nëntori” dhe punova 3 vite. Në vitin e tretë të punës vajta në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe kërkova takim me Fiqirete Shehun, gruan e Mehmet Shehut, për t’iu lutur që të më jepej e drejta e studimit. (Fiqiretja Shehu ishte mbesa e babait tim, pra Fiqiretja, babanë tim e kishte dajë).

Në sallën e pritjes, kur erdhi radha ime, doli sekretari i saj, më mori veç dhe më pyeti se cila ishte kërkesa ime. Ai më tha ta shkruaja këtë kërkesë në letër dhe t’ia dorëzoja atij.

Unë këtë e konsiderova si përgjigje negative dhe nuk shkrova asnjë lloj letre. Tani që arsyetoj ndryshe, kuptoj se Fiqiretja donte të më ndihmonte, por nuk donte të më takonte. Më erdhi fletëthirrja për ushtar dhe më çuan në një repart pune në hapjen e tunelit të hidrocentralit të Bistricës. Repartet ushtarake të punës ishin për familjet e deklasuara dhe nuk ndryshonin shumë nga burgjet-kampe të punës, që përshkruhen sot nëpër libra.

Pikërisht, në hyrje të tunelit ishte shkruar parulla: “Çdo metër avancim në hapjen e tunelit, është një plumb për imperialistët amerikanë”. Brenda në tunel punohej pa asnjë rregull sigurimi teknik. Në mënyrë absurde, rrjeti elektrik brenda në tunel, ishte trefazor 380 volt (rreptësisht i ndaluar brenda tuneleve të atij lloji, plot me ujë).

Në tunel, sigurisht kishte raste vdekjesh. Ushtari Koço Culli nga Përmeti u godit nga rrjeti elektrik dhe vdiq në duart e mia, duke i bërë frymëmarrje artificiale. Kemi punuar në atë tunel me forcën rinore, shpeshherë në rrezikshmëri shumë të lartë për jetën.

Ambasadori Mr.Lu habitej nga këto tregime, por ai tregonte interes që unë të vazhdoja të tregoja. Kur u lirova nga ushtria, për çudi, në mënyrë të papritur mua më del e drejta e studimit në Inxhinieri, pa bërë asnjë lloj kërkese. Sigurisht që e kuptova se ishte dora e Fiqirete Shehut. Për koincidencë, me mua në klasë ishte edhe djali i Mehmet Shehut, i ndjeri Vladimir.

Fillova studimet në Inxhinieri me një vullnet shumë të madh. Isha si ai i verbri që iu dha mundësia për të pasur sy. Pata absolutisht rezultatet më të larta. Në vitin e katërt u gjet një shkak banal dhe organizata e Partisë e dekanatit të Inxhinierisë mori vendimin për përjashtimin tim definitiv nga Inxhinieria.

Ata më të eturit për keq, si Agron Aranitasi, i cili sot është bërë demokrat i flaktë, deklaronin se vendi ynë ka nevojë më shumë, në radhë të parë për udhëheqës politikë në prodhim, sesa për inxhinierë të zotë. Ky vendim ekstrem duhej të miratohej edhe në rektorat. Rektori vendosi që ky problem të analizohej dhe vendimi të merrej në Organizatën e Rinisë së grupit, ku sekretar i Rinisë ishte i ndjeri Vladimir Shehu, i cili realisht më mori në mbrojtje.

Unë shpëtova dhe përfundimisht mbarova studimet në Inxhinieri Elektronike. Vladimir Shehu, duke parë aftësitë e mia, më propozoi të punoja bashkë me të në Durrës, ku dhe ngritëm Uzinën e Televizorëve URT.

Por njolla si i deklasuar nuk m’u hoq, në vitin 1974 më çuan punëtor, për një periudhë jo të gjatë kohe, në repartin montimit të TV. Në vitin 1986, duke qenë kryetari i Byrosë Teknike në URT, më transferuan në NSHN, Shkozet, Durrës, ku merresha me riparimin e vinçave.

Në korrik të vitit 1990, hyra me dy djemtë e mi në Ambasadën Italiane dhe kërkuam strehim politik. Më 13 korrik 1990, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, u transportuam bashkë me të tjerët në Restico, Brindisi. Në kampin Restinco, një gazetare e televizionit Rai 2 më bindi të jap një intervistë mbi situatën politike në Shqipëri. Në këtë intervistë në Rai 2, unë fola mjaft kundër regjimit komunist, por ndër të tjera fola edhe për pabesinë e Ramiz Alisë, i cili kishte deklaruar se kalimi i kufirit nuk ishte me tradhti e lartë karshi atdheut.

Kështu, shumë djem të rinj tentuan të kalonin kufirin, por rojet e kufirit i vranë me breshëri plumbash. Tregova për rastin e një djali nga Shkodra të vrarë në kufi dhe shokët e tij e shëtitën trupin e tij pa jetë nëpër Shkodër, duke lëshuar thirrje kundra komunizmit. Mbas Restincos u transferova me të dy djemtë e mi në Milano (të tre me statusin e refugjatit politik).

Fillova punë në Monza, në garat e Formula Uno, për telemetrinë në skuadrën Ferrari. Pa kaluar as dy javë nga intervista që dhashë në Rai 2, më vjen lajmi se në Tiranë një makinë kishte hipur me shpejtësi në thellësi në trotuar dhe kishte goditur gruan time me djalin e vogël që mbante në krah, diku afër Stacionit të Trenit.

Makina u zmbraps nga trotuari dhe u largua me shpejtësi, pa u identifikuar kush ishte! Të dy, nënë dhe bir të gjakosur u dërguan urgjent ne spital, gruaja me barkun e çarë, me zorrët jashtë, kurse djali me dëmtime në kokë.

Nuk pata piken e dyshimit që nuk ishte një aksident, por një atentat kundër familjes sime, për shkakun e intervistës që dhashë në Rai 2. Me ndërhyrjen e Ministrisë së Jashtme italiane, të dy erdhën në Monza dhe vazhduan kurimin në spitalet italiane. Kjo ka qenë periudha më e errët, plot vuajtje e jetës sime.

Në 1994 fillova punë në “Mediaset Gruppo Fininvest”, në zyrën e projektimit të transmetuesve televizivë analogë dhe dixhitalë, për rrjetin televiziv “Mediaset”. Këtu punova deri në moshën 71-vjeçare dhe dola në pension. Ambasadori Lu mori adresën time të banimit në Itali, numrin e telefonit tim në shtëpi dhe numrin e celularit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura