Ju luten për një përgjigje, zoti ministër!

Mar 18, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

dritan vasiliDR. DRITAN VASILI

Në vitet e diktaturës rrëfe jnë për një mjek, i zoti, i shkolluar në Perëndim të cilin e kishin larguar nga kryeqyteti, larg parisë intelektuale, pasi nuk përmbushte kriteret ideo-politike të kohës. Dhuna i kish zënë vendin arsyes, çka e kish detyruar mjekun të strukej aty ku ndihej më mirë, në profesionin e tij, dhe të vetmen jetë shoqërore që bënte ishte rituali i përditshëm i kafes në Hotel Turizmin e qytetit, i shoqëruar nga vetmia e tij.

Me lutje dhe gati në përulësi mjeku i porosiste kafen të njëjtit shërbyes arrogant me po të njëjtën formulë: “Kamerier, të lutem, a ma sjell një kafe në të dashtë b…!” dhe kjo, pasdite për pasdite për vite me radhë. Më erdhi në mendje kjo rrëfenjë më 25 shkurt, në Ditën Botërore të Implantit Koklear. Në botë kjo ditë është festë. Festojnë fëmijët e lindur të shurdhër, të cilët kanë mundur të dëgjojnë e më pas të zhvillojnë të folurin në sajë të një mrekullie elektronike që quhet Implant Koklear, apo ndryshe Veshi Bionik. Në Shqipëri prej të paktën 6 vjetësh kjo është një Ditë Mallkimi.

Mallkojnë më së pari të gjithë prindërit e atyre fëmijëve të shurdhër që nuk patën shansin të dëgjojnë fëmijën e tyre t’u thërrasë “Mami” apo “Babi”, por mallkojnë edhe ata që presin “Përgjigjen” nga ata “që të kanë në dorë”, ndërkohë që vitet shkojnë dhe bashkë me to tretet në heshtjen e shurdhmemecisë ministrore shpresa që fëmija e tyre të përfitojë nga kjo mrekulli.

Mjaftojnë fjalët e Billit, si e njeh gjithë bota shkencore William House, një nga legjendat e kirurgjisë së veshit, neurokirurgjisë dhe pionier i implantimit koklear, i cili vdiq në borxhe pasi shkriu të gjithë pasurinë në projektin që u mundësonte fëmijëve të shurdhër dëgjimin, për të kuptuar dimensionin njerëzor të problemit të fëmijës, familjes dhe shoqërisë: “Fëmija i shurdhër përballet me një numër të madh vështirësish sfilitëse dhe sfida të jashtëzakonshme.

Bashkësia njerëzore dallohet nga e FOLURA dhe kjo përmblidhet në fjalën “Të dua” që nëna i thotë fëmijës së saj, fëmija e dëgjon, dhe i përgjigjet nënës po njësoj. Nëse ne heshtazi i shuajmë mundësitë për t’ia ofruar këtë të drejtë çdo të linduri, nëse ne dështojmë të korrigjojmë një problem kur i kemi këto mundësi në duart tona, ne kemi thyer betimin tonë si shërues. Të implantosh një fëmijë nuk ka të bëjë me lavdinë, ka të bëjë me përgjegjësinë”.

Të “rilindësh” një fëmijë, ta bësh atë të dëgjojë e më pas të flasë është një rrugë e gjatë e cila kalon nëpër shumë duar profesionistësh: neonatologë, pediatër, gjenetistë, audiologë, otorinolaringologë, radiologë, kirurgë, anestezist-reanimatorë, psikologë, logopedë, mësues, punonjës socialë, inxhinier elektronikë… Më 7 dhjetor 2009, 6 vjet e ca më parë, këta profesionistë ia dolën t’u kthenin dy shqiptarëve atë të drejtë të mohuar nga një “harresë” e Zotit apo “aksident” i Natyrës: Dëgjimin. Profesionistët u vunë në provë nga Zoti dhe sfiduan me përgjegjësi Natyrën.

Lavdinë apo ngrefjen televizive ua lanë politikanëve, të cilët s’denjojnë dhe sot, pas kaq vjetësh, t’u kthejnë një përgjigje për vazhdimësinë e këtij projekti revolucionar për shoqërinë shqiptare. Jo më kot e përmenda shifrën 6. Një fëmijë i lindur përpara 2009-s, mbi 6 vjeç, ka pak shanse të përfitojë nga implantimi koklear. Pra ai mbetet shurdhmemec. Ndonëse fisnike, ngjan si humor i zi vizita e ministrit të Mirëqenies Sociale në Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë më 3 mars, Ditën Botërore të Kujdesit ndaj Veshit.

Po ashtu, disi qesharak fjalimi i ministri për fëmijët që nuk dëgjojnë (!?), shumë prej tyre të lindur më 2009-n, të cilëve me mohimin e të drejtës së dëgjimit, iu mohua edhe e drejta e zgjedhjes së profesionit. Ai u premtoi laboratorë që të mësojnë zanatin e këpucarit, zdrukthëtarit apo rrobaqepësit, kur atyre me anë të dëgjimit të fituar u ofrohen të gjitha mundësitë të ulen në banka shkolle si gjithë fëmijët e tjerë dhe të dëshirojnë një profesion po si ata.

Premtim fisnik dhe i përgjegjshëm për të ardhmen e fëmijëve, por dyshoj në mori duartrokitje nga ata prindër të brengosur prej pafuqisë së tyre për të ndërruar fatin e fëmijës. Sikur t’u kishit mundësuar dëgjim 6 vjet më parë, zoti ministër, mos vallë do të kish qenë më mirë për mirëqenien e tyre, të familjeve, por edhe të të gjithë komunitetit?! Po sikur të dëgjonin ata fëmijë, zoti ministër, a nuk do ta kishit më të këndshëm komunikimin tuaj?! Po e shtyjmë jetën me “sikur-e”… Një mjek i ri pediatër, me të ardhme të shkëlqyer përpara, largohet për në Gjermani.

S’është ndonjë e re, pasi çdo vit largohen rreth 150 mjekë (një brez i Fakultetit të Mjekësisë për të kuptuar përmasat), por ai nuk kish pse, nëse nuk do t’i binte mbi kokë halli i zgjidhjes së problemit të dëgjimit të fëmijës, zgjidhje të cilën e mori në Gjermani, aty ku të përgjegjshmit e kanë kuptuar se të implantosh një fëmijë i kushton më pak shoqërisë se të ndërtosh shkolla të veçanta për ta. Shqiptarë të tjerë që nuk e kanë “luksin” e mjekut për t’u integruar, e kanë zgjidhur duke u shtrënguar financiarisht, pasi një procedurë e tillë në Europë kushton jo pak, por mbi 25 mijë euro.

Por mjerimi s’ka fund. “Arsyeja” (shtetërore!?) që prej 2009-s shtyn jo pak, por 6 ministra, të refuzojnë t’u kthejnë përgjigje edhe të huajve që ofrohen të na ndihmojnë me para dhe me mbështetje teknike, ndonëse kur u referon shifrën vjetore që duhet për të ndihmuar këta fëmijë të integrohen normalisht, midis 400-500 mijë euro në vit, të gjithë si pllakë e gërvishtur gramafoni të kthejnë të njëjtën përgjigje: “Nuk i ka problem Shqipëria kaq pak para”.

Atëherë ku qëndron problemi?! Mendoj për rrëfenjën e “Doktorit dhe shërbyesit arrogant”, por në kokë më godet si çekan thënia e koleges serbo- boshnjake, e cila më paralajmëroi 3-4 vjet të shkruara: “Nëse shifra nuk i afrohet 2-3 milionë eurove, nuk përbën interes për ministrin…”. Interes?! Çfarë interesi…?! Largohen nga Shqipëria mjekët, duhet rithënë, 300 mjekë 2 vjetët e fundit, por jo vetëm ata. Largohen profesionistët e lartpërmendur, pasi frustrimi është i madh dhe e ardhmja e tyre profesionale e mjegullt.

Nuk e teproj nëse them se e ardhmja është më zi kur mendon se kemi më pak fëmijë se 25 vjet të shkuara. Jemi ndoshta vendi me ritmin më të lartë të plakjes në botë. Nga 75 mijë lindje/vit për 3 milionë banorë në fillimvitet ’90 kemi kapur shifrën e viteve ’30, me 35 mijë lindje/vit, kur ishim më pak se 1 milion banorë. Por dhe shumë nga ata fëmijë që mbesin i lëmë në mëshirë të fatit në handikapin e tyre plotësisht të zgjidhshëm. A thua të jetë ky interesi ynë?! E drejta njerëzore për Dëgjim nuk është opinion.

Politikëbërësit janë të lutur t’i referohen Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila pyetjes “Ç’ndodh nëse humbja e dëgjimit nuk adresohet?” i përgjigjet: “Ndonëse impakti më i dukshëm te fëmija me humbje dëgjimi është zhvillimi i të folurit, ajo ka pasoja në arsimimin e përgjithshëm, zhvillimin e aftësive shoqërore dhe përqasjeve përfshi dhe ndaj vetes, vetëvlerësimin. Mostrajtimi i uljes së dëgjimit lidhet me rezultate të dobëta në mësime, e cila çon më vonë në performancë të ulët në punë dhe mundësi të pakta punësimi gjatë jetës”.

Përveç programeve të vaksinimit, të cilat mundësojnë pjesërisht parandalimin e humbjes së dëgjimit, asgjë nuk është bërë në nivele institucionale për identifikimin e hershëm të këtij handikapi funksional apo trajtimin e tij. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, i cili nuk ka program kombëtar të testimit të dëgjimit të të porsalindurit (Universal screening) apo të fëmijëve të moshës parashkollore e të paramendosh se në 25 vjetët e fundit janë bërë jo pak projekte në nivele universitare me qendra europiane të referencës.

Fatkeqësisht, këto mbetën vetëm projekte të izoluara e të kufizuara në kohë dhe nuk u shtrinë në nivel kombëtar, pasi asnjëherë nuk “tërhoqën” interesin e politikëbërësve të shëndetësisë, se të flasësh për detyrim institucional bazuar në të drejtat e njeriut, as që bëhet fjalë. Trajnimeve të profesionistëve të iniciuara në mesvitet ’90 e që vazhdojnë ende nga ndihma dashamirëse të kolegëve të universiteteve si ai i Barit, Padovës, Ferrarës, Vjenës etj., apo trajnimeve individuale, tashmë duhej t’ua kishin zënë vendin trajnimet ne nivel kombëtar për përgatitjen e personelit të materniteteve, poliklinikave, qendrave të logopedisë etj., të cilat merren me identifikimin e fëmijëve me ulje dëgjimi apo shurdhësi, trajtimin multidisiplinar dhe edukimin e tyre.

Sa për mundësimin e trajtimit me aparate dëgjimi apo implant koklear prindërit me shumë gjasa do të vazhdojnë edhe për shumë kohë të mbështeten te mundësitë e tyre financiare. Kanë kaluar 25 vjet nga ndarja me një periudhë të lodhshme, madje dhe për vetë ata që e ushqenin dhe e mbanin. Shumë ndryshime kanë ndodhur (për keq). Në takimin me intelektualë, në gusht të 1990- s, Ismail Kadare i drejtohet Ramiz Alisë mes të tjerash me këto fjalë: “Ka një mëshirë njerëzore, që është gjithashtu një kategori humane njerëzimi.

Ka një kërkim ndjese, një pardon. Të gjitha këto janë përjashtuar nga jeta jonë. I kemi përjashtuar dhe nuk i kultivojmë. Nuk është vetëm mëshira, nuk është vetëm kristiane, është një nga ndjenjat më të mëdha të njerëzimit. Të të vijë keq për tjetrin kur vuan dhe t’ia zgjidhesh atë që ka, sepse nuk ka vetëm kategori objektive në jetë, ka dhe kategori njerëzore. Unë kam njohur, më ka qëlluar rasti, zyrtar, që nuk i vjen fare keq, madje kanë kënaqësi që e shohin të vuajë tjetri, qeshin kur thonë: “He mo ai sakat, punë e madhe…”.
Kadaresë i kishte qëlluar një zyrtar… Sot mëshirën dhe me para s’ta japin. Në pritje të zbrazjes së Shqipërisë, na mbetet vetëm “lutja” e doktorit.

*Mjek otorinolaringolog në profesion të lirë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura