“Ju ka bezdisur, nuk keni denjuar hiç…”- Alibeaj debat me Manjën tek ‘Ligjet’ për krimet zgjedhore, ministri: Pavarësisht çfarë ngjyre e krahu politik, do hetohen

May 13, 2022 | 11:17
SHPËRNDAJE

Hetimi i krimeve zgjedhore ishte njç nga çështjet që u kthye në debat mes ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj në komisionin e Ligjeve këtë të premte.

 

Alibeaj tha se në raportin e ministrisë së Drejtësisë, si rekomandime për prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK-un, nuk është “denjuar” të përmendet hetimi i krimeve zgjedhore sidomos pas 180 kallëzimeve penale të PS për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Ndërsa ministri Manja tha se “qasja jonë në këtë pikë është një dhe vetëm një, presim nga Prokuroria, që pavarësisht si i kanë emrat dhe çfarë ngjyre e krahu politik kanë, kush ka shkelur ligjin dhe ka prekur votën e lirë të përgjigjet para ligjit penal”.

Enkelejd Alibeaj: Para zgjedhjeve të 25 prillit u bë një reformë zgjedhore, dhe një pjesë e qenësishme ishte dhënia e instrumenteve më të fortë organeve ligjzbatuese policisë po e po, por mbi të gjitha prokurorive për të hetuar e parandaluar mbi të gjitha krimet zgjedhore e për t’i ndëshkuar ato në kohën më të shpejtë.

I dimë tani cilat janë raportet ndërkombëtare lëre më pretendimet tona, të OSBE e DASH së fundmi. “Zgjedhjet e 25 prillit u karakterizuan nga shkelje shumë të rënda të ligjit përfshirë fenomenin e përhapur masivisht të shitblerjes së votave, përdorimin e aseteve publike, vjedhjes së të dhënave personale, patronazhistët e famshëm tashmë e për këto shkelje PD ka depozituar 180 kallëzime penale, nga të cilat 150 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm e 50 kallëzime penale në SPAK.

Me gjithë numrin shumë të lartë puna e prokurorive ka qenë për opinionin tonë, i kam ndjekur personalisht ka qenë minimale në drejtim të hetimeve të plota, nxjerrjes së autorëve, nga shifrat rezulton se 14.8% e çështjeve janë dërguar në gjyq nga total i i çështjeve të regjistruara.

Më lejo një konstatim të raportit tuaj duket një lloj bezdisje që ju ka dhënë kjo çështje,  në rekomandimet tuaja nuk e trajtoni hic, se pavarësisht se nuk kanë përfunduar hetimet e 180 e kusur kallëzimeve që kanë lidhje me zgjedhjet, ju s’keni denjuar të jepni si rekomandim për 2021 hetimin e krimeve zgjedhore.

Çështje e ndjeshme për një çështje akoma më të ndjeshme ju keni heshtur, ka një shpjegim arsye apo jo?

TRiHRh5D

Ulsi Manja: Unë jam ministri i Drejtësisë e përfaqësoj vullnetin e shumicës, por që formimi im është jurist, nëse nga tonaliteti i lartë i zërit që unë e kam natyral duket sikur po bëj prokurorin në fakt as më shumë e as më pak bëj detyrën e ministrit.

Po qe puna në përgjegjësitë e qeverisë në raport me organet e reja të drejtësisë buxheti i shtetit e kjo qeveri sot që flasim nga fillimi i reformës e tani pa përfshirë ndihmën e partnerëve, janë 84 milionë euro në funksion të saj. Nuk di që organet e reja të sistemit të drejtësisë të kenë pasur ankesa këtu apo në qeveri për mos mbështetje buxhetore nga ana e qeverisë.

Do duhet të presim të kompletohet me 60 hetues e të kemi analizë të saktë nëse ky numër hetuesish që ka miratuar KLP e përballon këtë volum pune, në prokurorinë e përgjithshme e SPAK.

Unë kam në dorë një rekomandim që thotë ashpërsim të politikës së dënimit për veprat penale që prekin zgjedhjet. Ka qenë rekomandim i joni, sesa është përmbushur ky rekomandim, nuk e pret prej meje këtë përgjigje. Pse këtë pyetje duhet tja bësh drejtuesve të prokurorisë. Unë si ministër i drejtësisë kam ngritur zërin që ditën kur kam ardhur për përmbushjen e  këtyre rekomandimeve dhe për performance të këtyre institucioneve. Performanca lidhet me afatet e hetimit kur e regjistron një çështje penale. Sa më gjatë të rrijë një cështje në hetim, aq më shumë rritet rreziku i zhdukjes së provës. Në këtë kuptim janë 47 cështje që janë regjistruar, keni kallëzuar ju apo ne, këtë kemi kërkuar, që të ketë një përgjigje ne veprat penale që prekin zgjedhjet e lira.

Absolutisht qasja jonë në këtë pikë është një dhe vetëm një, presim nga Prokuroria, që pavarësisht si i kanë emrat dhe çfarë ngjyre e krahu politik kanë, kush ka shkelur ligjin dhe ka prekur votën e lirë të përgjigjet para ligjit penal. Unë nuk di te kemi pasur qendrim tjeter ne raport me kete.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura