Ju ishit “dorë” e Ramiz Alisë? Ish-themeluesi i PD: Na interesonte të qëndronte në pushtet, ishte diktatori më i përshtatshëm

Feb 23, 2018 | 10:05
SHPËRNDAJE

Ish-themeluesi i PD-së, Neritan Ceka, tregon rolin që ka luajtur Partia Demokratike gjatë ngjarjeve të tensionuara të 20 shkurtit, kur u rrëzua statuja e Enver Hoxhës dhe më pas me ngjarjet e Shkollës së Bashkuar.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ceka i përgjigjet edhe zërave që thonë se ai ishte dorë e Ramiz Alisë.

neritan ceka

Tentativat tuaja për të qetësuar situatën më vonë u interpretuan se ju ishit dorë e Ramiz Alisë. Si i përgjigjeni atyre?

Për të thënë të vërtetën, unë nuk kisha asnjë kontakt apo lidhje me Ramizin. Këta që kanë bërë këtë interpretim janë ata, që nuk kanë qenë atë ditë atje. Njerëzit që kanë qenë ato ditë atje, kanë menduar dhe mendojnë ndryshe. Asnjë nga ata nuk kishte shkuar për të sulmuar Bllokun, asnjë nga ata nuk kishte shkuar për të vrarë e për të djegur, siç mendojnë këta që nxjerrin këto teori dhe nuk kishte asnjë bllokmen në Bllok. Unë i pyes këta: Kë shkova unë të mbroja atë ditë?!

Bllokmenët ishin të gjithë në Dajt. Po të isha për Ramiz Alinë, Ramizin ne na interesonte që të qëndronte në pushtet, të mos largohej, sepse me atë kishim një lloj dialogu. Ndoshta do të ishte diktatori më i përshtatshëm për të lënë pushtetin dhe nuk na interesonte të ishte dikush tjetër, një dorë e fortë, me të cilin nuk dialogoje dot, të figurave të tilla të lidhura me Nexhmijen.

Kështu që kjo teori është një teori e atyre që nuk kanë qenë fare aty. Po ju sjell një detaj: Në kohën kur unë i bëja thirrje popullit që të tërhiqej, dikush, me një xhup të zi, qëlloi me gur në drejtim të Policisë. Ai ishte një provokator. Atij i janë turrur rreth 20 vetë për ta kapur dhe ai ka ikur me vrap dhe është futur në Hotel Dajti. Jam i sigurt se njëri nga këta është krijues i teorisë së Bllokut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura