Jozefina Topalli: Beteja 10-vjeçare me Tom Doshin dhe njohja me Mark Frrokun

Mar 27, 2015 | 8:14
SHPËRNDAJE

Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli komentoi në një interviste televizive mbrëmjen e së enjtes njohjet e saj me dy deputetët e ndaluar nga policia, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Topalli tha se akuza që ngre prokuroria ndaj tyre është false dhe e manipuluar, ndërsa shtoi se kjo bëhet vetëm për të shpëtuar Ilir Metën nga akuzat e ngritura më parë ndaj tij.

Jozefina Topalli ne “News24”

Ish-kryeparlamentarja theksoi se me deputetin Tom Doshi ka bërë një beteje 10-vjeçare në Qarkun e Shkodrës, ndërsa deputetin tjetër, Mark Frroku, e ka parë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, paçka se emrin e tij e kishte të dëgjuar më parë.  

“Beteja me Tom Doshin por edhe me të tjerë, është një betejë e fortë e PD-së. Unë personalisht kam bë një betejë të madhe dhe nuk doja që ata të ishin ‘onorevolen’ në Kuvendin e Shqipërisë. Beteja me Doshin është 10-vjeçare. Unë kam humbur betejën me krimin në 23 qershor. Aty kanë qenë deputet Tom Doshi, Mark Frroku… të gjithë e dimë se dëshmitari më kyç i kësaj historie është Mark Frroku, një personazh i njohur… me të cilin lidhet po ashtu edhe një histori e rëndë që u zbulua nga mediat, që para gjashtë muajsh kishte strehu një të kërkuar për drogë dhe policia e kishte mbajtur të fshehur. Nëse në korridorin Shkodër-Lezhë, Krujë-Laç, ka pas përdorim armësh, miliona euro, të tjerë gjendën si trafikant në makinë, të tjerë akuzohen për akuza shumë të rënda dhe të gjitha këto të mi përkthesh mua për dëshmi të rreme…”,-deklaroi Jozefina Topalli për televizionin “News24”. Ndërsa pyetjes se kur e kishte njohur deputetin Frroku, Topalli u shpreh se: Mark Frrokun e kam pa vetëm në Parlament. Nuk e kam njohur më parë.

Topalli nuk komentoi lajmin e publikuar disa muaj më parë se deputeti Mark Frroku e kërcënoi atë në telefon pas akuzave që ajo ngriti në Parlament, ndërsa theksoi se lidhur me deputetin në fjalë, kishte kërkuar nga krerët e shtetit që të hetoheshin ngjarje të ndodhura jashtë Shqipërisë, por që sipas deputetes së PD-së, nuk ishte marrë përgjigje.

Deklaratat e Topallit vijnë në ditën kur Policia e Tiranës ndaloi dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, pas urdhërit-ndalimit të Prokurorisë së Përgjithshme me akuzat se ata kishin bërë kallëzime të rreme para prokurorit.

Dje Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e prokurorisë për autorizimin e ndalimit të dy deputetëve, Doshi dhe Frroku. Pas debateve në seancë, opozita braktisi votimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura