Jozefina…?! Më në kohë se kurrë

Oct 30, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

Frano-KulliFRANO KULLI

I janë lëshuar me egërsi shembullore Jozefina Topallit, sidomos qysh mbrëmë  e këndej, më saktë qysh tri ditë më parë, kur u anoncua lajmi se ajo do të prijë një lëvizje politike për zhvillim. E kishin lënë në njëfarë heshtjeje deri tash, deri te ky moment, si duket me uzdajën (shpresën) se kaq ishte e ajo s’do të ndihej më. Duke menduar se ndoshta kjo do të ishte si rruga më e butë e mënjanimit përfundimtar të saj. Heeshshtja… Tani, që ajo “e bëri mëkatin”, parmbrëmë e këndej sidomos, i janë lëshuar me “gurë” gjindje nga oborri i shtëpisë prej ku e patën përzënë. (Natën, pas mesnate për terr… Si askërkënd tjetër më parë). Dhe secili vetëm e qorton e anatemon, e akuzon për “mëkatin” e madh. Kur e dëgjon kështu korin e gjindjes për tradhtinë e madhe të saj, me padashje të bëjnë t’u drejtohesh me fjalën e Jezusit në të dielën e 5-të të kohës së Kreshmeve gurmbajtësve ndëshkues: O, ju njerëz, që me gurë në duar doni të gjuani “mëkataren”, le të gjuajë i pari mbi të ai që është i pamëkat”. (Ungjilli sipas Gjonit)

E, megjithatë, për ateistët mëkati nuk është një gjendje që ekziston; ata prapë e prapë gjuajnë…

Jozefina Topalli nuk është e korruptuar.

S’kam dëgjuar ndonjë zë që të thotë të kundërtën tash e më kaherë. Këtë e pohon kushdo që ka thënë fjalë publike për Jozefinën këto ditë. Të tjerë që s’duan ta pohojnë, e tejkalojnë në heshtje. Qortues të drejtpërdrejtë që më shumti kanë qenë e janë: militantë pasionantë, asosh që në kohët e mëpërparshme të Jozefinës ishin edhe më cerm e hidheshin përpjetë po të guxoje të thoshe për té një fjalë qortuese, por më të kujdesshëm e më të ethshëm, gjithashtu idedhënës profesionistë, që në një mënyrë a një tjetër ndërlidhen me interesa me pushtetin që është, a sidomos me pushtetin që pritet të vijë.

Poor, asnjëri syresh nuk i jep vlerën e vlertë, vlerën e vërtetë që ka qenia një zyrtar i lartë i pushteteve në Shqipëri i pakorruptuar. I pakoorruuptuuar. Një njëqind e më vitet e shtetit shqiptar (hiq 45-46 të diktaturës) nuk ka pas krimb tjetër më rrënimtar që e ka brejt këtë shtet më shumë se korrupsioni. Shtetarët e pakorruptuar na kanë lanë me atdheun zhele (rrecka), përkundër gjithçkaje që Zoti i ka falë dheut ku jetojmë: diellin me tepri e tokën e begatë; fushën e malin, kodrinat e buta e zabelet, lumin e detin, liqenet e alpet e gjithçka kanë habitatet e begatuara prej Zotit. Por e keqja më rrënimtare ka qenë gjithherë ky njeriu i korruptuar, ky njeriu si ne, i zgjedhur prej nesh. Zyrtari fuqiplotë që e ka shitë e tret krejt miradijen tonë kombëtare për hesap të vet…

-E korruptuar nuk është, po…ka tradhtuar Jozefina, thonë…. Ka tradhtuar partinë që i dha gjithçka. Ajo ka ardhë vonë në Parti, thonë… Po në cilën parti? Në partinë e qendrës së djathtë paska ardh vonë Jozefina? Joo, mor jo. Në parti të djathtë Jozefina ka qenë së paku gjysmë shekulli para se me lindë. Atëherë kur gjyshi i saj për mbrojtjen e Shkodrës prej pushtimit malazez, bashkë me Luigj Gurakuqin e të tjerë shkodranë atdhetarë u gjendën në Mal të Zi të burgosur. Më pas, asamblist (deputet) e kryetari i asamblesë, të parit Parlament shqiptar. Të atij Parlamenti që dihet se si ka qenë, i shënuar në memorien e kombit si vlerë vezulluese e shtetformimit e vetëqeverimit tonë si komb. Më pas, të atin e Jozefinës, bashkë me dy axhat e vet, mbas laurimeve e doktoraturave në Europën e viteve ’30-’40, do t’i prisnin në radhë dënimet prej komunistëve ardhacakë. Burgime të gjata dy dhe njërin dënimi me vdekje…

Po ja thonë, partia që po formon është për hesap të Edi Ramës. Është tradhti për Partinë Demokratike thonë… Po tradhton ajo që partia i dha gjithçka, thonë. Pse nuk ndenji aty, thonë. Sikurse në kohën e Kadri Hazbiut. Presin edhe prej saj të recitojë me sytë e zgurdulluar para prijësisë, monologun e Kadriut: “S’ka gjë, Partia ime po më dënon”. Se, ja, këtë ia kishte për borxh partisë që e bëri, thonë. Dhe bëjnë sikur e harrojnë se duhet “laps i imtë” me e llogaritë se kush i ka dhënë më shumë sho-shoqit, Partia Jozefinës a Jozefina Partisë. Njësoj siç thoshin nën zë për Pjetrin e mirë (Arbnorin)… O tempora o mores, sa larg na ka mbet mendja. Po ta fantazojmë për një çast të vetëm këtë parti demokratike pa Pjetrin e Jozefinën e pak të tjerë vërsnikë të tyre, qysh në themelim e këndej! Ndaj, menduar imtë u stisën për njërin e për tjetrin cilësime përlyese, agjentë, spiunë etj., etj.

Po kë paska tradhtuar Jozefina? Kryetarin e Partisë që e nxori prej aty, pas mesnate, tinëz? Nxori dhunshëm Jozefinën, background-i qytetar, atdhetar e politik familjar i së cilës ishte i pakonkurrueshëm që kur hyri e deri natën që e nxorën “përzhelesh”. E nxorën ata që erdhën dhe janë në majë të prijësisë prej 15 vitesh pa bërë një orë konkurrencë?

E kur tjerrja fillon e hollohet e imtohet, thuhet se: është banalitet krijimi i partive të reja. Jozefina që po krijon një të tillë është e blerë nga Edi Rama, ose është… delirante. Sigurisht, artikulimi vjen prej partive invadore të skenës politike që kanë zaptuar Shqipërinë prej tridhjetë vitesh. E amplifikojnë me ideologë të tyre e me zëra të tjerë, tërthorazi… Banalitet krijimi i partive të reja? Po, a s’është një gulç i fortë e një zë që këlthet prej kohësh se partitë tona politike janë kalbë?

Unë këtë zë e kam dëgjuar si një nevojë imediate se, sot më tepër se kurrë ndonjëherë në historinë tridhjetëvjeçare të kësaj me demek demokracisë sonë, është i nevojshëm krijimi i partive të reja. Shoqëria shqiptare duhet mbrojt nga dhunimi i foshnjave-parti të vogla. Ka tridhjetë vjet që asnjëra prej partive shqiptare nuk e ka pranuar e lejuar fraksionin brenda vetes dhe e ka penguar me të gjitha mjetet jodemokratike lindjen e partive të reja. Edhe kur kanë lindur, i ka asfiksuar e gjymtuar ata, duke lënë kështu këtë djerrinën demokratike që kemi sot. Për paradoks, më refraktarja ka qenë Partia Demokratike. Sidomos kur kanë ndodhë prej skizmave të saj. Dhe ky ka qenë banaliteti dhe krimi më i madh që i ka ndodhë sistematikisht demokracisë sonë, që, siç po shihet e pranohet në shumicë tashmë, pati lindë e gjymtuar. Ka qenë një akt makabër, njëlloj sikur të vdesësh fëmijë të sapolindur. Dhe të synosh me këtë ta mbash shoqërinë pezull, nën domenin tënd.

Nëse u lindën si nevojë këtyre viteve të fundit: “Syriza”, “Cinque stelle” e të tjera lëvizje në Europë, në terrenin e demokracisë sonë të asfiksuar kjo është një nevojë shumëfishe. Qeverisja e degraduar që e ka prekë prej kohësh fundin, që ua ka neveritë shqiptarëve vendin e tyre, rrjedhojë edhe e këtij keqfunksionimi të demokracisë, sa e ka trullos njerëzinë këtu, po aq e ka rritë neverinë e përbuzjen deri në temperaturën e vlimit. E këso herësh, nevoja e ndryshimit shpërthen. Me patjetër…

Unë nuk kam mësime për t’i dhënë Jozefinës. Eksperienca e saj e gjatë ma suprimon këtë akt. Por, për më tepër se kaq, karakteri i saj i fortë e cilësia e epërme e sfidës që e karakterizon. Ndaj, unë besoj te sfida e saj. Më shumë se për të, për një dorë të mirë që do të mund t’i japë lëmimit të demokracisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura