Josa në “ajër”, sot takim vendimtar te Kukësi për të ardhmen

Jun 1, 2021 | 8:36
SHPËRNDAJE

Te Kukësi janë orë vendimtare. Çështja më e nxehtë për momentin dhe që pret një zgjidhje imediate është ajo e trajnerit. Mirel Josa ka edhe një vit kontratë me skuadrën e Kukësit dhe normalisht nuk duhet të ishte duke u diskutuar çështja e pankinës, por për aq kohë sa në klub nuk kanë dalë zyrtarisht që do të respektojnë kontratën dhe ta konfirmojnë për sezonin e ardhshëm, pankina mbetet në “ajër”. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se me shumë gjasa sot ose nesër, do të ketë një takim midis trajnerit dhe drejtuesve për të vendosur për këtë çështje.

Mirel Josa Kukesi

Mësohet se temë e diskutimit do të jetë vazhdimësia apo jo edhe për sezonin e ardhshëm e teknikut kryeqytetas apo palët do të ndahen me kaq. Në tryezë, pritet që edhe nga ana tjetër tekniku të shtrojë pretendimet e tij rreth skuadrës që do të ketë në dispozicion, pasi në të kundërt edhe nëse dëshira e klubit është që ta mbajnë, mund të jetë vetë ai që të mbyllë bashkëpunimin. Aktualisht, duket se shanset që Josa të vazhdojë punën janë të larta, kjo edhe për faktin se në Kukës nuk e shohin si fajtorin kryesor për gjendjen e skuadrës, për faktin se e mori ekipin në një gjendje të pashpresë dhe me mjaft probleme.

LARGIMET – Ashtu siç pritej, Kukësi ka nisur të zyrtarizojë edhe largimet e para nga skuadra. I fundit që i është bashkuar grupit të të larguarve është mbrojtësi Mehdi Hetemaj, i cili këtë sezon nuk pati shumë hapësira në skuadër dhe në bashkëpunim me drejtuesit vendosi të ndërpriste në mes kontratën që e mbante të lidhur edhe për një vit me verilindorët. “Mehdi Hetemaj nuk është më pjesë e Kukësit. Klubi dhe futbollisti kanë arritur marrëveshjen për shkëputjen e kontratës dhe nga ky moment, mbrojtësi është lënë i lirë nga klubi ynë. Futboll klub Kukësi dhe futbollisti kishin edhe një vit kontratë, por duke parë hapësirat e pakta, u mendua huazimi i tij, megjithatë futbollisti e refuzoi dhe kërkoi të rikthehej në Austri. Klubi e mirëkupton dhe e falënderon mbrojtësin Hetemaj për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në karrierën e tij”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit të Kukësit. 24-vjeçari u aktivizua në vetëm tetë takime këtë sezon, me 366 minuta të luajtura.

Sakaq, Kukësi ka zyrtarizuar edhe largimin e sulmuesit Patrik Eze, nga ku përfitoi edhe 150 mijë euro nga shitja e tij. “Patrick Friday Eze nuk është më pjesë e Kukësit. Klubi i Kukësit ka arritur marrëveshje me klubin nga Katari, Al Ahli, për shitjen e futbollistit nigerian. Eze u bashkua me Kukësin në verën e vitit të shkuar dhe arriti të shënonte një gol në Europa League dhe 15 gola në Kategorinë Superiore. Klubi i uron suksese Patrick Ezesë në aventurën e tij të re. Faleminderit Eze!”, thuhet në komunikatën e klubit. Për momentin në kampin kuksian duket se do të ketë vetëm merkato në dalje dhe mësohet se përgjatë këtyre 10 ditëve do të nisin konfirmimet edhe për largimet e para në skuadër. Klubi nuk ka nxituar për të bërë largime, për faktin se më parë kërkon që të bjerë dakord me futbollistët për çështjen e pagesave, për të evituar një gjyq të mundshëm në të ardhmen. Gjithsesi, lojtarët e huaj dhe ata që nuk kanë pasur shumë hapësira këtë sezon mund të konsiderohen thuajse të larguar, pasi dëshira e të dyja palëve është të mos e vijojnë më bashkëpunimin, por palët i mbajnë “peng” pagat e pamarra. Lojtarët si Tsintsadze, Baravikas janë thuajse të larguar, ashtu si edhe Limaj që më parë pati edhe një zënkë me drejtuesit. Më herët skuadrës iu larguan gjatë këtij sezoni braziliani Leira, sulmuesi Kuper me mbrojtësin Kurdiç, ndërsa e njëjta situatë është edhe me kapitenin Ibraimi apo mbrojtësin Demiri, për të cilët ka oferta nga ekipe të tjera.

VLADIMIR MEMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura