INTERVISTA E PLOTE / Jonida Shehu rrëfen përndjekjen nga 33-vjeçari: Mesazhet në FB, veprimi i fundit në darkë, pasi më ndiqte gjithë ditën

Mar 28, 2015 | 20:55
SHPËRNDAJE

Një histori që mori rëndësi pa dashje ajo e moderatores së njohur të “Pasdite në Top Channel”, Jonida Shehu, me një djalë të fiksuar pas saj, të quajtur Sajmir Qefalia. Përdori 100 mënyrat e mundshme për ta bindur me fjalë para se ta denonconte në Polici, por ai me sa duket i besonte me dëshirë realitetit si në libra që kishte krijuar në kokën e tij, se mund ta bindte një ditë Jonidën. Pas denoncimit të moderatores, 33-vjeçari nga Tirana përfundoi në burg, ku do të qëndrojë deri në mbylljen e hetimeve. Gazetarja rrëfen për “Panorama plus” arsyen e vërtetë pse e denoncoi personin e vëtëquajtur “shkrimtar”, pas përndjekjes hap pas hapi prej dy vitesh e gjysmë.

Saimir Qefalia / Jonida Shehu

Jeni komentuar në faqet e gazetave për një histori përndjekjeje nga një djalë i dhënë pas të shkruarit. Deri tani janë treguar vetëm detajet nga Policia, po ti ç’mund të na rrëfesh për këtë histori?

Në fakt, ka shumë ekzagjerime në mënyrën se si është transmetuar çështja në fjalë. E para që është thënë një e pavërtetë, duke më komentuar si nënë me fëmijë, dhe e dyta e pavërtetë është mënyra se si është trajtuar arsyeja e denoncimit tim të këtij personi. Dua të sqaroj faktin që unë nuk e bëra denoncimin në polici ndaj personit Sajmir Qefalia vetëm e shqetësuar nga mesazhet që më dërgonte në inbox-in e Facebook. Nuk do të ishte normale ta kisha bërë një gjë të tillë, sepse mesazhe të tilla mund të shkruajnë e marrin shumë të gjithë, sidomos nëse je person që shfaqesh në ekran. Por mesazhet në facebook ishin veprimi i tij i fundit në darkë, pasi më kishte ndjekur gjithë ditën, kudo ku kisha qenë… Derisa u bë vërtet stresuese për mua.

Çfarë të shkuante konkretisht?

Në mesazhe, në një farë mënyrë bënte ritualin e përndjekjes, duke vërtetuar fiksimin e tij. Të gjitha unë i paraqita si prova në Polici, të cilat ai i pranoi pa përjashtim. Në ato mesazhe ai e dokumentonte gjithçka rreth interesit ndaj meje dhe faktin që më kishte ndjekur hap pas hapi.

Sa kohë kishte që të përndiqte dhe në ç’mënyrë e bënte këtë gjë?

Për mua kjo nuk është një histori e re. Ka pothuajse dy vite e gjysmë që ai më përndiqte në mënyrë sistematike, çdo ditë, nga mëngjesi në darkë dhe kudo ku kam qenë. Në rrugë, kafe, supermarket, punë etj. Aq prezent u bë në përditshmërinë time, sa kur punoja te “Ora News”, vinte e rrinte aty dhe kërkonte të takohej. Nuk dilja kurrë, kuptohej, por ky person u kthye në një hije. Nuk di të them ç’ka hequr recepsionistja e televizionit ku punoja. Apo kur priste në ndonjë dyqan ku kaloja rastësisht, jashtë derës. E pyeste shitësi nëse kërkonte njeri: “Po pres Jonidën”… Hije e vërtetë.

Edhe pasi nise punë në “Pasdite në Top Channel”, ai të ndiqte?

Po, dhe më keq se kaq. Kishte filluar e më përndiqte edhe në kafet që frekuentonim unë dhe partneri im, me të cilin bashkëjetoj.

Si reagoi kur e pa që s’ishe vetëm, nuk u tërhoq?

Jo, përkundrazi, kërkonte dhe llogari…Unë në fakt doja ta sqaroja me fjalë, që ai të mund të vinte logjikën në punë dhe të largohej vetë. Por, kur i thashë se kam një jetë private me partnerin tim, arriti deri aty sa nuk e besonte… Kjo ishte vërtet e pamenaxhueshme më nga ana ime, sepse po shpenzoja energji kot më kot, ndaj vendosa t’ia kaloj drejtësisë këtë çështje. S’kam kohë të merrem me një njeri, që me sa duket fiksimin e paska sindromë.

Për fatin e tij siç është thënë, ai dinte të shprehte atë që ndiente, pasi merrej me krijime. Dukej normal në mënyrën si ta shprehte simpatinë?

Për mua ëshë thjesht një njeri i fiksuar, që nuk di të menaxhojë dot fiksimin e tij. Mendoj se është pjesë e atyre njerëzve hallexhinj, që gjejnë një motiv për të jetuar, por… bëhen shumë të lodhshëm.

Të kishte telefonuar ndonjëherë?

Jo, vetëm priste pas derës, kudo dhe kurdo… Rrinte e bënte xhiro vërdallë, ulej, pastaj dua të flas me Jonidën…

Të frikësonte, u ndjeve ndonjëherë e rrezikuar?

Frikë nuk kisha. Gjithmonë më dukej një njeri i dobët fizikisht dhe që nuk mund të rrezikohesha nga ndonjë sulm fizik. Madje edhe si moshë dukej shumë më i madh se 33 vjeç, siç ka informuar Policia.

Në “takimet” tuaja, çfarë kërkonte realisht prej teje?

Kërkonte përgjigje, se pse unë nuk i ktheja përgjigje te mesazhet që më dërgonte. Kërkonte llogari, me pak fjalë. I çekuilibruar më dukej.

Çfarë ndjesie të shkaktonte fakti që bënte si i çmendur pas teje një person i tillë, me atë pamje dhe prezencë?

Sigurisht bezdisje, dukej realisht shumë hallexhi, prandaj edhe unë e zgjata aq shumë, duke menduar se një ditë do i kalojë. Ai thjesht jeton në një botë paralele, ndaj erdhi momenti që që nuk dija çfarë vendimi të merrja. E kam menduar 100 herë para denoncimit, madje ra dakord në një moment që do tërhiqej, por fillonte përsëri.

Çfarë zgjidhjesh të tjera mendove para se ta denoncoje në polici?

Mendoja se si mund ta ndihmoja me ndonjë mjek, për ta nxjerrë nga gjendja në të cilën ndodhej, por prapë më dukej e tepërt që të humbisja kaq shumë kohë për një njëri, me të cilin s’më lidh asgjë.

Në polici ka shfaqur pendesë të thellë, mendon se do të heqë dorë edhe pasi i pranoi të gjitha?

Unë ia kam lënë në dorë drejtësisë të vendosë për të. Ai në Polici i pranoi të gjitha, por kam përshtypjen se nuk ka hequr dorë.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura