Jonida Maliqi flet për herë të parë për ndarjen: Ka qenë një luftë, jam munduar ta shpëtoj, por…

Jul 12, 2018 | 13:53
SHPËRNDAJE

Jonida është tashmë mama e një vogëlushi që është kthyer në diellin e saj, edhe në kohët më të vështira, si fundi i një ëndrre dashurie që zgjati plot 17 vite me ish-bashkëshortin e saj, Gentin, për të cilin e mbyll këtu këtë kapitull duke theksuar se është e fundit herë që flet për këtë histori…

“Jemi njohur shumë të rinj, e perceptojmë ndryshe kur rritemi. Kur jemi të vegjël dashurojmë, idealizojmë në një mënyrë tjetër. Kur rritesh gjërat i shikon në një këndvështrim ndryshe dhe është çështje përshtatjeje”.1531338893_gentii

Kur ka nisur një jetë të re, ajo flet për herë të parë, për martesën e divorcin dhe kohët e vështira që kaloi për t’u mësuar të ishte vetëm dhe me shpirtin plot.

“Ne e vendosëm që nuk do të ishim bashkë. Kjo, ka qenë një ndër periudhat më të vështira të jetës sime. Është dashur shumë kohë që të dilnim në atë vendim. Ka qenë një luftë e gjatë, e brendshme”, – thotë ajo.

E sinqertë në rrëfimin e saj të parë të gjatë, që e bën në një kohë kur është gati t’i shohë ngjarjet me distancën e duhur, Jonida e ka lënë mënjanë dhembjen, frikën, mallin dhe ankthin. E ka kaluar në heshtje kohën kur duhej të vendoste. Pa shikimet e kurreshtarëve, pa pyetjet e të pataktëve, e mbledhur kruspull në jetën e saj, derisa asgjë nuk mund të mbrohej më, e çdo gjë duhej të merrte tjetër rrjedhë. Sot, e çliruar nga çdo ndjesi që do e pengonte të ishte vetvetja ajo tregon pushimet e saj e projektet e reja, sikundër i përgjigjet edhe pyetjeve nëse e ardhmja do ta gjejë me dikë përkrah…

“Unë jam idealiste, kam qenë gjithmonë pro marrëdhënieve të shëndetshme, afatgjata. Besoj në dashuri megjithëse jetojmë në një realitet shumë mediokër, deri diku të degjeneruar ama edhe këto frikëra e bëjnë jetën më interesante dhe ndjesitë na bëjnë të ndihemi gjallë. Kurrë mos thuaj kurrë”. 

Pjesë nga intervista dhënë për Revistën WHO:

E ke gjetur ti paqen?
Po, jam shumë në paqe. Si çdo person tjetër, ne kemi rutinën tonë, nuk e dimë çfarë na sjell e nesërmja. Pasi vë Danin në gjumë në darkë, lutem gjithmonë. Falenderoj Zotin për të gjitha mundësitë që më ka dhënë, lutem për të nesërmen, të kemi shëndet, harmoni dhe qetësi. Kur zgjohem në mëngjes dhe ndodh që jam në një nga ato ditët që ndihem pak e lodhur e nuk e di si do më shkojë deri në fund të ditës; kur jam në momente të trishta përpiqem t’i kultivoj vetes me gjithë forcën që kam mendime pozitive dhe në mënyrë absolute mos kultivoj negativitet.

E ke kaluar ti ndarjen tënde? Shumë njerëz e shikojnë të vështirë?
Pa dyshim, do tregohesha hipokrite në qoftë se do thoja jo. Ne e vendosëm që nuk do të ishim më bashkë. Kjo, ka qenë një ndër periudhat më të vështira të jetës sime. Është dashur shumë kohë që të dilnim në atë vendim. Ka qenë një luftë e brendshme që nuk e kam reflektuar jashtë, ndaj shumë njerëz janë çuditur në momentin që morën vesh lajmin, sepse unë vazhdova rutinën time. Kaloi vetëm në këtë mënyrë, duke menduar për vetveten, për Danin, për të mirën e familjes dhe për të mirën tonë si çift. Kishim mbërritur në një pikë që nuk mund të ishim të qetë pranë njëri-tjetrit, vetëm distanca do na bënte mirë, ashtu sikurse jemi sot në paqe. Koha shëron gjithçka. Me kalimin e saj çdo gjë shuhet, nuk harrohet, por ama nuk ke më emocionet e dikurshme dhe sa herë më pyesin, kjo është këshilla ime e vetme, efekti kohë.

A ke bërë përpjekje për ta shpëtuar martesën tënde?
Patjetër, mendoj se kam bërë përpjekjet maksimale brenda limiteve të mia. Jemi njohur shumë të rinj, e perceptojmë ndryshe kur rritemi. Kur jemi të vegjël dashurojmë, idealizojmë në një mënyrë tjetër. Kur rritesh gjërat i shikon në një këndvështrim ndryshe dhe është çështje përshtatjeje. Në një marrëdhënie njerëzore, jo vetëm në çift, përshtatshmëria është çelësi dhe komunikimi në mënyrë absolute.

A gjen ti gjëra për t’u bërë pishman në të shkuarën tënde?
Po, do ishte absurde mos ta pranoja. Jam bërë pishman për disa zgjedhje të miat, për disa reagime të miat. Mendoj që kur ti ke investuar kaq shumë në një marrëdhënie, bëhet e vështirë. Ndoshta, por veten nuk e fajësoj dhe aq shumë sepse e di që kam dhënë mish e shpirt, kam dashur fort dhe jam munduar t’i shkoj deri në fund, ama nuk bëj dot kompromis me jetën time, idealin, apo moralin.

Tashmë nuk është e fshehtë, kënga “Në errësirë” është një dedikim personal për historinë tënde të dashurisë ku ti zgjedh sërish në fund të shohësh diellin. Është ky dielli në të cilin ka arritur tani marrëdhënia jote me Gentin?
Në fakt dielli ka një lidhje të drejtpërdrejtë me personin tim, me atë që unë do arrij të shikoj diellin siç po e shikoj tani. Dedikimi ishte sa i takon gjendjes shpirtërore. Mbyllet një kapitull dhe hapet një tjetër, nuk e di çfarë më rezervon e ardhmja.
Dielli përfaqëson jetën, ngrohtësinë shpirtërore në një farë mënyre dashurinë. Jo, dielli nuk ka të bëjë me Gentin, në marrëdhënien me të, ne i kaluam të gjitha etapat e këqija, të mira dhe tani jemi në një marrëdhënie shumë normale për hir të raportit që kishim, të atyre 17 vjetëve që kemi kaluar bashkë, që jemi rritur bashkë, për hir të respektit që kemi kundrejt njëri-tjetrit.

Një njeri si ty që ka jetuar një histori shumë të gjatë dashurie, e sheh vështirë veten në një raport tjetër?
Nuk mundem të parashikoj të ardhmen, ama e njoh veten dhe e di që nuk jam aq e thjeshtë, ndoshta pak ‘old school’, por sigurisht me pjekurinë e tanishme i kam idetë e qarta se çfarë kërkoj nga një marrëdhënie. Nuk është çështja tek krahasimi, apo tek ndjesia, sepse çdo histori është unike në llojin e saj. Unë jam idealiste, kam qenë gjithmonë pro marrëdhënieve të shëndetshme, afatgjata. Jetojmë në një realitet shumë mediokër, deri diku të degjeneruar. Jam paksa e frikësuar, sepse nuk dua të zhgënjehem, por kjo është njerëzore.
Shumë njerëz më pyesin, – ‘a do të martohesh?’ – Nuk e mendoj, ama kurrë mos thuaj kurrë. Nuk mund të them që nuk jam pro një shoku jete, një personi që mund të kem pranë në të ardhmen time, por kur të ndodhë ajo shkëndija do e vlerësoj ashtu sikurse di të bëj unë. Kjo nuk do të thotë që unë jam kufizuar, por deri tani është ende herët për të qenë e hapur mbi këtë temë.

Është e vështirë të jesh singëll? Apo ti po e shijon këtë fazë?
Ka qenë disi e vështirë, sidomos përshtatja në fillim, atëherë kur ti ke kaluar më shumë se gjysmën e jetës tënde me një person dhe papritur gjendesh e vetme. Ke frikë fillimisht, pastaj gradualisht fiton një lloj vetëbesimi, bëhesh më hermetike. E vështirë nuk është, është shumë e thjeshtë madje, sepse je e pavarur, shumë rehat dhe te gjithëve na duhet koha me vetveten.

Shumë njerëz e kanë komentuar faktin se si do ia bësh tani? Kjo për shkak të të ardhurave që ish-bashkëshorti posedonte. Është e vështirë pa të?
Sa ma qajnë hallin, e di, e di. Duke qenë vetëm kisha shumë hapësira për të punuar vetë dhe për t’ia dalë mbanë. Kam bërë ndryshime, në biznes kam krijuar marrëdhënie të reja pune. Falë Zotit kam energji, psikologjikisht jam e shëndetshme dhe më pëlqen shumë puna. Nuk hyj tek personat dembelë që janë mësuar të varen nga të tjerët. Po bëj dy vjet që jam vetëm, edhe pse lajmi ka dalë përpara një viti. Çdo gjë ka shkuar mirë, për më tepër që divorci me Gentin ka përfunduar me një pakt marrëveshjeje midis dy personave të civilizuar dhe përkujdesja e tij kundrejt Danit, sido që të jetë i bën gjërat më të lehta. Ne jemi të dy shumë të përgjegjshëm kundrejt atij që na bashkon dhe që do të na bashkojë përjetësisht.

Do jetë moda fokusi yt i biznesit? Nuk do tentosh të bësh para me muzikë?
Nuk e di, më janë ofruar mundësi nga më të ndryshmet, si në lidhje me muzikën e në biznes, por në këtë fazë të jetës krahas pasionit të madh shoh mbi gjithçka sigurinë e së ardhmes sime e të tim biri. Unë jam e hapur për gjithçka, dëgjoj konsultohem mendohem gjatë, analizoj dhe më pas vendos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura