Jonida Beqo, drejtorja e re e Qendrës “Tirana”

Dec 10, 2015 | 15:39
SHPËRNDAJE

Në Tiranë pak e njohin, megjithatë mjafton të kërkosh në internet me Gypsse Yo dhe të shfaqen informacione e performanca pa fund. Jonida Beqo (Vogli) me emrin e artit “Gypsse Yo”, është drejtoresha e re e Qendrës Kulturore “Tirana”. Beqo vendoset në postin, që deri para një jave e mbante Suela Konjari, e cila mbyll mandatin e saj katërvjeçar. Pas një pune gati njëvjeçare si drejtoreshë e Qendrës Rinore Tiranë pranë MMSR, asaj i besohet një tjetër post nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Jonida-Beqo

Dje, drejtoresha e re zhvilloi një takim joformal me mediat, për t’u prezantuar. Edhe pse ajo e shprehu me fjalë të përgjithshme vizionin e saj për institucionin që do të drejtojë, strategjinë e saj mbi të do ta bëjë publike në një moment të dytë. Por ajo theksoi se Qendra “Tirana” do t’i shërbejë kryeqytetit, të gjitha moshave dhe grupeve etnike. Do të afrojë të rinjtë te teatri, do të vazhdojë traditën e mirë të teatrit për fëmijë, por do t’i kushtojë edhe më shumë vëmendje ansamblit popullore të Tiranës. Ajo premtoi se do të bashkëpunojë me stafin aktual të qendrës, duke i quajtur ata asete me vlerë, duke mos e kufizuar reformën institucionale në heqje dhe vënie njerëzish.

Autore e tri vëllimeve me poezi, tri albumeve me poezi dhe këngë, e katër dramave, regjisore, aktore e kostumografe, Jonida Beqo ka jetuar 16 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1998- 2014). Gjatë studimeve dyvjeçare në kolegj për Edukim Arti në Teatër në Calhaun College, Alabama, nisi bashkëpunimet me një trupë profesioniste për shfaqjet artistike.

Dy vite më vonë, në 2000, u transferua në Birmingam të Alabamës, ku vazhdoi studimet për Aktrim-Regji dhe Specializim në Kostumografi në Akademinë e Arteve të Universitetit të Alabamës. Në 2003, pas diplomimit filloi punë në Katedrën e Artit si Menaxhere e Ateliesë së Kostumografisë në Universitetin e Alabamës në Birmingam, ku realizohej kostumografia e 5- 6 premierave në vit me një staf prej gjashtë vetash.

Në vitin 2005 u transferua në Atlanta, ku punoi për “EMORY University”, si kostumografe për teatër dhe balet, por njëkohësisht në Katedër ka punuar edhe si regjisore e aktore për shumë projekte. Në 2001 ajo krijoi “Lighthouse Productions”, kompani e pavarur teatrale, e cila krijon publikime për edukimin dhe zhvillimin e komuniteteve në krizë.

Në pranverë të 2004-s, ajo ka marrë çmimin “Dell’Arte Diversity”, të dhënë nga Festivali i Teatrove të Kolegjeve Amerikane, si dhe Qendra “Kennedy” në DC. Që nga 2006-ta deri në 2013-n ka qenë pjesë e stafit artistik të “Theatrical Outfit”. Në 2010 diplomohet me master shkencor, për Administrim publik, specifikisht në Menaxhim dhe Lidership të Sektorit Publik në “Walden University”.

Që nga viti 2005 ka dhënë turne në të gjithë Amerikën dhe në Kanada si Slam Poet (Poezi e performuar nga autori), një zhanër shumë i njohur në Amerikë. Është nënkampione bote dy herë në Konkursin Ndërkombëtar të Grave për Poezinë Slam.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura