Jo vetëm Tirana, profesor Fuga…

Jun 3, 2015 | 12:23
SHPËRNDAJE

GJERGJ META

   … por edhe Durrësi, Vlora, Shkodra, Lezha, Kukësi, Pogradeci, e kështu me radhë, janë qytete në rënie të lirë dhe kjo ka shumë kohë që po ndodh në këtë parcelën tonë shqiptare. Janë qytete në rënie të lire, të rënduara nga pesha e parave të korrupsionit nga njëra anë, drejt zbrazëtisë thithëse të mungesës së vlerave nga ana tjetër. Në këtë rënie nuk ka diçka që i pret. Dhe ju besoj se më kuptoni qe me fjalën vlera nuk ka asgjë moralizuese apo fetarizuese, paçka rrobës që unë vesh, por mbeten ato vlera që janë pjesë e qytetarisë, e polisit.
Ju flisni vetëm për Tiranën, e në fakt pa dashur, edhe pse me të drejtë, duke folur për Tiranën e rivendosni edhe një herë këtë qytet në qendër, duke anashkaluar kështu realitetet e tjera urbane të Shqipërisë. Jam përpjekur më se një herë të reflektoj kur shoh diferencën e shikimit mbi Firencen nga “Piazza Michelangelo”, me këndvështrimin mbi Tiranën nga mali i Dajtit apo, më thjesht, kur shoh qytetin e Durrësit nga njëra prej kullave që ndodhet afër vilës së Zogut, apo kur shoh qytetet e tjera e qytezat shqiptare tashmë pakthyeshmërisht të betonizuara, pra të shpërfytyruara. Gjithkush që ka pasur mundësinë të shohë Firencen nga “Piazza Michelangelo” e sheh se ndërtesa më e lartë e qytetit është Katedralja dhe se ndërtesat moderne janë diku në periferi të qytetit.
Ndërsa në qytetet tona nuk ka mbetur asgjë nga çka ishte tradicionale. Edhe ajo pak arkitekturë që keq apo mirë kishin menduar të parët tanë, nuk ekziston më askund ose nuk është aspak e integruar me atë moderne.
Megjithatë, po u kthehem ende mendimeve të mia për të kuptuar se përse ky kaos, kjo rënie e lirë e qyteteve tona! Mund të them menjëherë se kaosi i qyteteve tona nuk është as më shumë e as më pak sesa kaosi i shpirtrave tanë dhe i atyre që kanë për detyrë të na udhëheqin. Në përgjithësi ne jashtë vetes projektojmë atë çka kemi brenda vetes. Mungesa e një vizioni harmonik brenda jetës sonë individuale rrjedhimisht sjell mungesën e harmonisë në atë çka ne bëjmë apo se si sillemi nga jashtë. Apo sikurse thotë një shprehje e urtë latine ”non dat quod non”.
Në gjithë këto vite, në pjesën më të madhe në qytetet e mëdha, por edhe në ato më të vogla, ka mbizotëruar ideja që dikush ka disa para dhe këto i investon në ndërtim thjesht për të fituar, por pa një vizion. Dhe vizioni nuk është çështje parash, kuptohet.
Nuk është investuar mbi një vizion, por mbi një dëshirë individuale (ose klanore) për të fituar.
Ata që janë në politikë, duan para për të mbajtur pushtetin e, ata që kanë paratë, duan pushtetin për të mbajtur apo rritur paratë. Kjo është kaq e vërtetë saqë shihet qartë, pasi nuk ka asnjë zhvillim urban organik apo harmonik në të gjitha ndërtimet që janë bërë në qytetet e mëdha, por vetëm logjika përfitimi. Absurdi është që sa më shumë ndërtohet, aq më shumë të pastrehë ka dhe aq më shumë pallate boshe janë e këto të verifikueshme shumë lehtë. Është e njëjta logjikë babëzie ajo që do të ndërtojë pallate akoma në një qendër si ajo e “Don Boskos”, ku çdo ditë kalojnë rreth 1000 fëmijë, adoleshentë e të rritur për t’u formuar e për t’u argëtuar në fushat sportive dhe ambientet sociale, profesionale dhe arsimore të kësaj qendre. Pavarësisht kontratave të rregullta që duhen respektuar, gjenden gjithmonë ata gjyqtarë që u thyhet shkopi i drejtësisë nga barra e peshqeshit e kështu bëhen përgjegjës të shkatërrimit të qyteteve tona.
Mungesa e një vizioni është mungesa e arkitektëve pa vizion. Një arkitekt është një njeri që merret me arké-në, me themelin, parimin, atë çka ishte në fillim. Në fund të fundit, arkitekti është zanati që ndërmjet të gjitha zanateve ka të bëjë me artin, me tekné. Një arkitekt më së pari është njohës i asaj që ishte në fillim (en arké) e, më pas, e projekton në të tashmen e në të ardhmen në vazhdimësi. Por më thoni se çfarë vazhdimësie kanë ndërtesat aktuale, konfigurimet aktuale të lagjeve të vjetra tiranase, durrsake, shkodrane etj. me ndërtesat e reja? Të jesh arkitekt nuk është çështje vijash, projektimi apo përllogaritjesh, por është mbi të gjitha çështje shpirti. E pikërisht ky vizion shpirtëror u ka munguar “arkitektëve” të qyteteve tona në këtë çerek shekulli të fundit.
Arkitektët e qytetit nuk janë vetëm ata që hedhin firmën në fund të një projekti të përfunduar, por janë ata që kanë mbi të gjitha sensin dhe përgjegjësinë e polisit, ata që kanë dashuri për këtë
polis dhe e udhëheqin nëpërmjet të bërit një politikë për polisin. Nuk mund të ndërtohet një qytet pa ndërtuar qytetarinë, sepse vetëm qytetaria ndërton qytetin.
Pak më parë përmenda se pa një vizion shpirtëror nuk ka ndërtim qytetesh të denja për qytetarë e më vjen ndërmend një psalm, që thotë: nëse Zoti nuk e ndërton qytetin, kot lodhen ndërtuesit.
Qytetaria është një çështje shpirtërore, por pa këtë nuk ekziston qyteti. E armiku më i madh i qytetarisë si koncept shpirtëror është korrupsioni. Ky i fundit e bën qytetin dhe qytetarinë të bien në gjendje të lirë, sepse i prish për nga brenda (corruptio = prishje). Në këtë pikë jam dakord me ju profesor, duke ju ndërruar vetëm një fjalë: Qytetaria ka rënë. Mos e përqesheni, qajeni!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura