Jo nxitim, por durim strategjik

SHPËRNDAJE

Islam-LaukaISLAM LAUKA*

Gushti, bashkë me rritjen e temperaturës, solli edhe ndezjen e debatit mbi korrigjimin e kufirit me Serbinë, shkëmbimin e territoreve apo ndarjen e Kosovës. Kjo është e natyrshme, sepse çështjet territoriale janë ndër më jetiket për një komb. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të disatën herë u përpoq të bindë opinionin se bëhet fjalë për korrigjim  (demarkim) paqësor të kufirit prej 400 km me Serbinë dhe jo për shkëmbim territori, as ndarje të Kosovës; se korrigjimi i kufirit me Serbinë do të bëjë të mundur bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, si një e drejtë historike e legjitime e shqiptarëve të kësaj zone; se për jetësimin e kësaj të drejte, ai është i gatshëm t’i drejtohet edhe referendumit popullor.

Në mbështetje të tezës së Thaçit janë shprehur kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, akademiku Rexhep Qosja, publicisti Baton Haxhiu dhe ndonjë tjetër. Ndryshe nga Thaçi, akademiku Qosja e pranon se bëhet fjalë jo vetëm për korrigjim kufiri, por edhe për shkëmbim territoresh me Serbinë dhe se me këtë, sipas tij, nënkuptohet lëvizja, ndryshimi i kufirit në skajin verior të Kosovës, por jo ndarja e saj. Argumentet e mbështetësve të tezës për korrigjimin e kufirit apo shkëmbimin e territoreve me Serbinë janë këto:

1- Nuk kemi kohë për të pritur, pritja nuk është alternativë. Vonesat do të na kushtonin shumë. Duhet mbyllur kapitulli që do të sillte njohje reciproke dhe marrëdhënie të mira fqinjësore midis Kosovës dhe Serbisë. Korrigjimi a shkëmbimi i territoreve është instrumenti që na çon drejt realizimit të këtij objektivi. Çdo zgjidhje tjetër vë në pikëpyetje pajtimin historik me Serbinë.

2- Është kërkesë e partnerëve tanë strategjikë, Brukselit dhe Uashingtonit, që nëpërmjet dialogut të mundësuar dhe mbështetur prej tyre, të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Nëse nuk veprojmë kështu, pason penalizimi i tyre.

3- Nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, Kosovës i hap rrugën e njohjes nga pesë vendet e BE-së dhe shtete të tera në botë, si dhe i mundëson asaj anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale, përfshirë BE-në.

4- Shkëmbimi i territoreve me Serbinë bën të mundur bashkimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën, ndërkohë që, me kalimin e Veriut në Serbi, Kosova “shpëton” nga serbët e asaj zone, që janë kundër integrimit në institucioet e saj dhe nuk njohin shtetin e pavarur kosovar.

5- Fuqitë e mëdha nuk i kundërshtojnë pajtimet midis dy shteteve, edhe nëse ato prekin disa parime të politikës që ato mbrojnë. Marrëveshja e ekuilibruar Kosovë-Serbi është në favor të të gjithëve, përfshirë SHBA-në, BE-në dhe Rusinë.

6- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, janë shtetarët që kanë potencialin dhe kredencialet e nevojshme për të arritur marrëveshjen përfundimtare midis dy vendeve tona dhe shqiptarët e serbët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi që u është dhënë.

7- Nëse nuk pajtohemi që të shkëmbejmë Luginën e Preshevës me Veriun e Kosovës, shqiptarët do t’i humbasin të dyja. Në pamje të parë, duket se këto argumente qëndrojnë dhe ne duhet të nxitojmë që të mos e lëshojmë nga dora këtë moment të artë: Serbia na njeh si shtet të pavarur e sovran; pas kësaj vijnë njohjet nga pesë vendet anëtare të BE-së, nga Afrika, Azia e Amerika Latine; Rusia dhe Kina tërhiqen nga vetoja në Këshillin e Sigurimit dhe Kosovës i ofrohet automatikisht ulësja në OKB; Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës, ndërsa territoret e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, me serbët e tyre jobesnikë, kalojnë në përbërje të Serbisë, duke lënë Mitrovicën Veriore, Trepçën dhe Ujmanin në përbërje të shtetit kosovar.

Ky është realiteti iluzionar që na ofrojnë mbështetësit e tezës së shkëmbimeve territoriale. Nëse këto argumente i shohim pak më thellë, në dritën e interesave tona kombëtare e shtetërore, duke ua nënshtruar ato një analize kritike dhe racionale, rezulton se ato janë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme. Mbi bazën e kësaj analize, në vijim janë argumentet e mia kundër idesë së përfshirjes së çështjes territoriale në axhendën e bisedimeve Kosovë-Serbi:

1- Dakord që vonesat na kanë kushtuar dhe po na kushtojnë shumë, por ky konstatim nuk duhet të çojë në atë që të përfshihemi në nota paniku e të nxitohemi për të marrë vendime të dëmshme. Më mirë të presim kohë më të mira, sesa të përfundojmë tani një marrëveshje të keqe me Serbinë.

Nëse për Serbinë është koha që të nxitohet (hapja e kapitullit nr.35 të negociatave për anëtarësim në BE nuk mund të bëhet pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërkohë që në Strategjinë e Zgjerimit të BEsë dhe progres-raportin e vitit 2018, Serbisë i kërkohet nënshkrimi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse, juridikisht të zbatueshme, me Kosovën), për ne është koha e durimit strategjik. Nëse Serbia vërtet dëshiron anëtarësimin në BE, ajo është e detyruar t’i kryejë këto “detyra”, pa qenë nevoja e diskutimit të çështjeve territoriale. Alarmit të Serbisë nuk ka pse t’i bashkohen shqiptarët.

2- Siç kam theksuar në shkrimin tim të javës së kaluar, dëmi më i madh që i shkaktohet Kosovës me futjen ne axhendën e bisedimeve të problemeve territoriale, është rihapja e çështjes së saj, kthimi prapa në kohë, në vitet 2005- 2007, në periudhën e procesit të statusit, ku midis shumë alternativave u diskutua edhe ajo e ndarjes së Kosovës. Riaktivizimi i kësaj teme, tani në dialogun Kosovë-Serbi, do të thotë t’u vihet kryq parimeve themelore të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, të miratuara më 14 nëntor 2005, të rikonfirmuara në mbledhjen e tij të datës 31 janar 2006, mbi bazën e të cilave u hartua Plani Ahtisaari dhe që, më vonë, u mishëruan në Kushtetutën e Kosovës. Sipas këtyre parimeve, nuk do të ketë ndarje territoriale të Kosovës, as bashkim me një vend a pjesë të një vendi tjetër.

3- Pavarësisht planeve a dëshirave të Hashim Thaçit, Rexhep Qosjes etj., qëllimi i Beogradit në dialogun Kosovë-Serbi, është jo që të bihet dakord për shënjimin (demarkimin) e kufirit me Kosovën, siç thotë Thaçi, as shkëmbimin e Luginës së Preshevës me komunat e Veriut, siç shprehet Qosja, por të përfitojë territorialisht në kurriz të Kosovës, para se të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare me të, që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Këtë synim Beogradi e ka bërë të qartë publikisht nëpërmjet Presidentit Vuçiç, ministrit të Punëve të Jashtme Daçiç etj. Siç dihet, Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur, por e konsideron atë krahinë të saj. Këtë e ka të sanksionuar edhe në preambulën e Kushtetutës. Si kusht të njohjes, eksplicite ose implicite, të shtetit të ri, ajo kërkon bashkimin me Serbinë të territorit të Kosovës, në veri të Ibrit dhe, në pamundësi të realizimit të këtij objektivi, dhënien e kompetencave ekzekutive Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Kur flet për korrigjim ose shkëmbim territoresh, Beogradi ka parasysh, në rastin më të mirë, vetëm disa fshatra të Luginës, në rastin më të keq, mbase, edhe vetë qytetin e Preshevës, por është naive të mendohet se ai do të heqë dorë nga Lugina e Preshevës, në tërësi, e cila paraqet interes gjeostrategjik jetik për Serbinë. Në politikën e jashtme, si rregull, është vështirë të arrihet realizimi i plotë i objektivave të këtij apo atij aktori. Edhe të mëdhenjtë që, sipas Tukididit, bëjnë atë që duan, shpesh dështojnë në planet e tyre.

Të vegjlit, që po sipas këtij autori, bëjnë atë që u thonë, e kanë akoma më të vështirë të realizojnë objektivat e tyre. Përgjithësisht, ajo që ata arrijnë është një rezultante, pasojë e ndërveprimit të shumë faktorëve, të brendshëm dhe të jashtëm. Në gjykimin tim, përfshirja e çështjeve territoriale në axhendën e dialogut Kosovë-Serbi, në situatën aktuale të botës së trazuar, do ketë si rezultante dëmtimin e rëndë të interesave kombëtare e shtetërore të Kosovës, në favor të interesave serbe.

Me shumë gjasë, kjo rezultante do të ketë trajtën e ndarjes së Veriut të Kosovës ose dhënien e kompetencave ekzekutive AKS-së, që në thelb është e njëjta gjë. Marrja nga Kosova e një pjese të Luginës së Preshevës, këtej hekurudhës, nuk e zgjidh problemin e saj, përkundrazi, e komplikon më tepër atë. Si do zgjidhet problemi i fshatrave shqiptare përtej hekurudhës, të banuara nga mijëra shqiptarë?

4- Në aspektin gjeostrategjik, me kalimin e Veriut në përbërje të Serbisë, Kosova humb vargmalet e Kopanikut. Duke i falur Malit të Zi Qafën e Çakorrit dhe Serbisë këto vargmale, Kosova, në fakt, u ofron avantazhe të dukshme gjeostrategjike fqinjëve të vet, të cilët, në rrethana të caktuara mund t’i shfrytëzojnë kundër saj. Edhe në rastin e Luginës së Preshevës, nëpër të cilën kalon Korridori 10, “korrigjimi” i kufirit mund të çojë në shkëputjen përfundimtare të këtij korridori nga Lugina, gjë që përbën një dobësim tjetër të pozitave gjeostrategjike të faktorit shqiptar.

5- Në aspektin gjeo-ekonomik, është fakt i njohur tashmë, që Veriu i Kosovës, me nëntokën e tij, është ndër zonat më të pasura të Kosovës, për të mos thënë më e pasura. Në atë zonë ndodhet edhe ujëmbledhësi i Ujmanit, me rëndësi jetike për Kosovën. Thënë më shkoqur, Veriu i Kosovës është element strukturor i fuqishëm dhe i domosdoshëm, mbi të cilin mbështetet aftësia e Kosovës për të jetuar si shtet i pavarur dhe sovran.

6- Korrigjimi apo shkëmbimi i territoreve rrezikon të shkaktojë përçarje brenda Kosovës, por edhe në shkallë kombëtare. Në shoqërinë kosovare mungon konsensusi për këtë çështje. Përkundrazi, ajo është e polarizuar keq: në njërën llogore mbështetësit e Thaçit, dukshëm më të paktë në numër dhe, në tjetrën, kundërshtarët e tij, që përbëjnë shumicën. Kjo situatë është edhe në rrafsh kombëtar, por këtu kemi edhe një element tjetër negativ- futjen e pykave midis shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre të Kosovës. Shqiptarët e Luginës janë kundër bërjes kurban të Veriut për hir të bashkimit të pjesshëm të territoreve të tyre me Kosovën, duke i bërë ata përgjegjës për humbjen e tokave mbi lumin Ibër.

7- Nuk ka asnjë garanci që Fuqitë e Mëdha do të përkrahin një marrëveshje serbo-kosovare të bazuar në ndryshime territoriale. Mbështetësit e kësaj teze lënë të kuptohet se SHBA, BE dhe Rusia nuk janë kundër. Qëndrimin e SHBA-së ata e lidhin me presidencën e Trumpit dhe prirjen e tij për miratimin e ujdive dypalëshe, që gjë është e vërtetë, por ata harrojnë që Amerika nuk është vetëm Presidenti, sado kompetenca që të ketë ai, ata harrojnë që “shteti i thellë” amerikan, kur bëhet fjalë për qëndrime parimore, për të cilat ka investuar gjatë, siç ka ndodhur në Kosovë, nuk ndryshon lehtë.

Aq më pak, mund të ndryshojë BE-ja, e cila është e ndërtuar mbi parime krejt të tjera, jo etniko-territoriale. Qëndrimi i Rusisë është më kompleks. Ajo ka dëshmuar se zhvillon politikë pa parime, pa moral dhe në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Është pa bazë argumenti i mbështetësve të tezës së shkëmbimit të territoreve, sipas të cilit Moska do të përkrahë marrëveshjen Kosovë-Serb, sepse i duhet një precedent për të zgjidhur problemet e saj në hapësirën passovjetike.

Rusisë nuk i duhen precedentët. Ajo i krijon vetë ato, nëpërmjet fuqisë ushtarake, siç ka vepruar në Ukrainë, në Gjeorgji, etj. Precedentëve u referohen të vegjlit, ata që nuk kanë fuqi, siç bën Thaçi me marrëveshjen Holandë-Belgjikë, dy shtete mike dhe aleate, për një mikroterritor prej 19.3 hektarë, që nuk ka asnjë lidhje me rastin që diskutohet midis Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, gjatë vizitës së saj në Beograd, më 10 gusht 2018, deklaroi se Kosova është çështje e brendshme e Serbisë, por edhe ndërkombëtare (edhe e Rusisë, IL), dhe se qëndrimi i Moskës për këtë çështje bazohet në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, të cilën, sipas saj, deri tani, askush nuk e ka revokuar. Që do të thotë se pajtimi i Serbisë me Kosovën nuk sjell domosdoshmërisht mbështetjen e Moskës për Beogradin dhe as pranimin automatik të Kosovës në OKB.

Është filtri i interesave të Fuqisë së Madhe ruse që vendos në këtë çështje. Nuk përjashtohet që, për hir të këtyre interesave, Kremlini ta mbështesë pajtimi serbo-kosovar, duke qenë i bindur që marrëveshja e tyre do ta destabilizojë më tej Ballkanin, sepse kështu Rusia siguron praninë dhe ndikimin e vet në rajon. Siç thotë populli, qeni i keq sjell ujkun në torishtë.

8- I diskutueshëm është edhe argumenti që marrëveshja Kosovë-Serbi hap rrugën e njohjes së saj nga pesë vendet e BE-së dhe shtetet e tjera në botë, si dhe atë të integrimit në organizata ndërkombëtare e rajonale, përfshirë BE-në. Rasti i Katalonjës është i freskët. Vështir të përfytyrohet që në këtë situatë Madridi të pajtohet me një marrëveshje që sanksionon “pëlqimin” e qendrës për “shkëputjen” e periferisë së saj. Qipro ka deklaruar hapur se nuk do ta njohë shtetin e ri edhe në rast të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Sa i takon integrimit në Europë, vetë Brukseli është i përçarë midis konceptit të Makronit, të thellimit të integrimit të Bashkimit Europian ekzistues, dhe atij të Merkelit, që nuk e përjashton zgjerimin me anëtarë të rinj. Pajtimi serboshqiptar është i pafuqishëm për të ndryshuar diçka në këtë drejtim. Edhe sikur, ta zëmë, se përfundimi i marrëveshjes me Serbinë do të ndikonte pozitivisht, integrimi Europian i Kosovës nuk mund të justifikojë humbjen e territorit në veri.

Organizatat rajonale janë të përkohshme, toka është e përjetshme. Analiza racionale të çon në përfundimin që zgjidhjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhen kërkuar brenda kufijve ekzistues, të njohur ndërkombëtarisht, pa cenuar rendin kushtetues në vend dhe pa destabilizuar situatën në rajon e më gjerë. Marrja e vendimeve nga udhëheqësit politikë mbi baza emocionale, intuitive, pa marrë në konsideratë argumentet, faktet, përvojat historike, si dhe kapacitet dhe aftësitë mobilizuese të shtetit për t’i sendërtuar ato, e çon atë shtet në theqafje.

I tillë është vendimi që në dialogun Kosovë-Serbi të diskutohen çështjet territoriale. Forcat politike dhe intelektuale shqiptare duhet t’u kundërvihen me vendosmëri këtyre përpjekjeve që dëmtojnë seriozisht interesat tona shtetërore e kombëtare. Akademia e Shkencave të Kosovës duhet të dalë me mendimin e vet institucional për këtë çështje madhore, jo secili anëtar në krye të vet.

Këtë gjë duhet të bëjnë edhe institucione e tjera shkencore në Kosovë, por edhe në Shqipëri. “Babai” i pajtimit shqiptaro-serb, Kryeministri Edi Rama, duhet të dalë nga pozicioni i strucit, për të dhënë edhe ai mendimin e tij për këtë çështje të mprehtë. Durimi strategjik nuk do të thotë pasivitet strategjik, përkundrazi, mobilizim të të gjitha forcave të shoqërisë, të shteteve tona dhe të mbarë kombit tonë për të shmangur një të keqe të madhe, si humbja e territorit shqiptar.

Bashkimi me Kosovën i Luginës së Preshevës, të cunguar, do të thotë që shqiptarët, jo vetëm do të mbesin pa Luginën dhe pa territoret në veri të Ibrit, por rrezikojnë të mbesin edhe pa shtetin e tyre të konsoliduar dhe funksional. Është momenti i provës për të gjithë ne, i cili do të dëshmojë a e meritojmë pavarësinë e fituar. Një popull e komb që nuk di t’i mbrojë trojet e veta, nuk mund ta mbrojë as pavarësinë e tij.

*Diplomat, ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakEno Popi publikon foton e ëmbël të së bijës
Artikulli tjetërBashkia e Tiranës shpërndan 2 mijë pako me ushqime, Veliaj: Solidariteti më i mirë se sharjet pa bereqet

S'KA KOMENTE

Comments are closed.