Jo interesave klienteliste, pro interesave kombëtare

SHPËRNDAJE

AGIM NESHO_1AGIM NESHO

Kur përpiqemi të gjejmë të arsyeshmen në politikën e jashtme të vendit tonë, gjykojmë për çdo fakt, rrethanë dhe interes për një zgjidhje racionale, por harrojmë atë që është më parësorja – ekzistencën e një grupi klientelist, autoritarist, antiinstitucional që ka kapur qeverisjen e vendit. Interesat e tij për përfitim, mbajtje pushteti, bien ndesh me interesat e shtetit. Dhe si pjesë e veprimtarisë së tij, politika e jashtme e Shqipërisë bëhet pjesë e këtyre interesave të vogla pragmatiste, që sjellin mbajtjen në pushtet apo protagonizmin në arenën ndërkombëtare.

Karakteristikat e kësaj politike të jashtme janë luhatja e qëndrimeve, pozicione në interes të protagonizmit të lidershipit, patriotizmi pa shkak dhe i deformuar si dhe politikave të pastrukturuara. Gjatë këtyre pesë viteve krijuam partneritet strategjik me Turqinë, duke i dhënë paritet investimeve të tyre dhe morëm pjesën që na takon nga Perandoria e re Osmane – xhaminë me katër minare;

Votuam kundër aleatit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se jemi të njësuar me votën e Bashkimit Europian, por duke ‘harruar’ që në v. 2015 votuam pro ngritjes së flamurit të Palestinës në OKB, sipas udhëzimeve të “vëllait të madh”, në një votë kundër vendeve të Bashkimit Europian si Britania e Madhe, Gjermania, etj.;

U përpoqën të shkatërrojnë marrëdhëniet me Greqinë për të “rritur barazinë dhe dinjitetin kombëtar”, ndërsa brenda disa muajsh duan t’u japin grekëve atë që vetë ata nuk e kanë pranuar (Greqia ka deklaruar 6 milje det territorial, ndërsa marrëveshja me Shqipërinë u njeh 12 milje detare sipas ministrit të Jashtëm Grek);

Deklaruan që nuk kemi ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë, por marrim vesh se ‘ishte Partia Socialiste (d.m.th Edi Rama) që bëri të mundur përfshirjen dhe miratimin e ligjit për gjuhën shqipe;

Qeveria punon për stabilitetin ballkanik, por kërkon të bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë nën një president të vetëm, duke hedhur në erë atë që është thelbi dhe kushti i krijimit të Republikës së Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar “Kosova e pandashme, e pabashkuar me territor tjetër dhe e pakthyeshme nën sovranitetin Serb”, duke provokuar dhe vënë në rrezik njohjen ndërkombëtare të Kosovës si subjekt i barabartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Po të shikosh të gjitha këto lëvizje të qëndrimeve të politikës së jashtme, nga patriotizmi romantik i bashkimit të vendit – dhe kjo jo nëpërmjet një strategjie me fuqitë kryesore, por dakordësive e skemave të vogla me Vuçiç – deri në deformimin e linjave të politikës tradicionale të shtetit Shqiptar, do të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me një politikë institucionale, por me dëshirat ekzibicioniste të një lideri autoritar. Dhe kjo jo pa një qëllim.

Shqipëria këto vite ka rrëshqitur dukshëm nga rruga e demokracisë dhe kërkesat e Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku fenomenet e kapjes së shtetit, lidhja me krimin e organizuar, korrupsioni, janë fenomene reale dhe evidente për Shqipërinë. Kthimi i shtetit në një narko-shtet për arsye elektorale dhe mbajtje pushteti nuk mund të kalojë kaq lehtë nga komuniteti ndërkombëtar nëse lidershipi shqiptar nuk do mund të “kërcënojë” me axhendë nacionaliste që mund të prishë ekuilibrat ballkanikë – si atë të bashkimit të kombit, ashtu edhe lidhjeve me Turqinë – si mundësia e fundit për t’u pozicionuar.

Nacionalizmi përdoret dhe është në funksion të ekuilibrave të brendshëm dhe ndërkombëtarë. Në kushtet e një konfiguracioni të ri gjeopolitik, Europës i shkon më tepër qasja pragmatiste me elitat e vjetra ballkanike. Çdo destabilitet në Ballkan vështirëson zgjidhjet e saj për të ardhmen. Sot, në vigjilje të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, Shqipëria po negocion marrëveshje me Greqinë. Greqia është një vend mik dhe partner strategjik i Shqipërisë dhe marrëveshjet janë pjesë e zhvillimit midis dy vendeve.

Pasi i kemi mbajtur marrëdhëniet e ngrira për pesë vjet kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sot na ofrohet një marrëveshje “që zgjidh problemet e mbartura me Greqinë për 70 vjet”. Shpejtësia, mungesa e transparencës dhe diskutimeve të gjera si dhe vendimmarrja joinstitucionale të krijon dyshimin se kjo marrëveshje është nën presionin e zgjidhjeve të momentit (hapjen e negociatave me BE) duke pasur vlerë vetëm për luftën politike të brendshme (deklaratat se do të jetë marrëveshje më e mirë se ajo e para?!) dhe jo interesat afatgjata të vendit.

Vendimi i Institucionit të Presidentit për të ulur këtë arrogancë dhe respektuar Kushtetutën është një masë e nevojshme dhe largpamëse. Ky veprim nuk ka të bëjë me bllokimin e marrëveshjes, por është një mesazh për qeverinë se interesat e vendit dhe politika e jashtme e tij qëndrojnë më lart se interesat dhe protagonizmi i lidershipit të një administrate të radhës.

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakHistoria e gruas nga Hasi: Lash burrin dhe fëmijët pas për të punuar infermiere në Gjermani
Artikulli tjetërTritan Shehu akuza të forta Ramës: Po diskriminoni Gjirokastrën, është kthyer si Alepo

S'KA KOMENTE

Comments are closed.