Jo dialog për dialog

Jul 29, 2015 | 12:58
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRIleonidha-mertiri

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur  vazhdimisht dëshirën që 2015-a të jetë vit i përparimit në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Dhe jo dialog për dialog. Një progres real do të ndihmonte realisht dhe BE-në të mund të hapte pas kësaj kapitujt për Serbinë dhe Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit për Kosovën. Arritja e tyre, ndërkohë, siç theksoi kohët e fundit në Zagreb zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, kërkon “të ndërmerren vendime të guximshme si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd”. Vendimet e guximshme nuk nënkuptojnë kthim nga pika e nisjes dhe as inkurajim të atyre qëndrimeve që të mbajnë rob të nacionalizmave të njohur.

Këto ditë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njofton Tanjug, duke iu referuar zbatimit të marrëveshjeve midis Serbisë dhe Kosovës, është shprehur se “deri më 27 gusht besoj se do t’i zgjidhim të gjitha gjërat”. Ndërkohë, në Beograd është duke qëndruar një delegacion nga Brukseli për zgjidhjen e atyre problemeve që pengojnë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura midis dy palëve. Deklarata e Vuçiç, sikurse shihet, është në funksion të kësaj të fundit. Por sa i përgjigjet ajo realitetit, mbetet për t’u parë. Sepse edhe gjatë këtyre ditëve, në Serbi është ngritur një zhurmë e panevojshme, pas së cilës qëndrojnë synimet e njohura.

Pothuajse tërë mediat serbe kanë botuar letrën e ish-kryeministrit, aktualisht ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Fjala është që Kosova të mos pranohet në UNESCO, pas kërkesës së saj, sepse ajo për Daçiç nuk konsiderohet shtet. Për kryediplomatin serb kjo do të ishte një shkelje e hapur e rregullave të OKB-së, e parimeve të saj për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Dhe më tej, për këtë sillen argumente të çuditshme përmes njerëzve të qeverisë dhe organizmave të ndryshme brenda dhe jashtë Serbisë. Pa u mbushur mirë një muaj nga deklarata e ministrit serb Aleksandër Vulin në Kroaci, gjatë një vizite në memorialin për të vrarët nga regjimi nazist në Luftën e Dytë Botërore, në kampin e përqendrimit në Jadovno, pranë qytetit kroat Gospiç, se “duhet të flasim hapur për ngritjen e fashizmit në Kroaci…se jemi gati të luftojmë së bashku”, këto ditë ai anatemoi dhe shqiptarët e Kosovës. Sipas tij, “Kosova ka djegur kishat serbe, ndaj nuk mund të bëhet anëtare e UNESCO-s”. Dhe më tutje mund të vazhdohej me këto spekulime banale.

Asgjë për masakrën serbe ndaj shqiptarëve apo dhe djegien e objekteve të kultit të këtyre të fundit. Nga ana tjetër, shefja e Grupit Negociator të Serbisë në BE, Tanja Mishçeviç, pranimin e Kosovës në këtë organizatë të OKB-së e sheh si një precedent që do të dëmtonte funksionimin e mëtejshëm të këtij organizmi. Qëndrimet emotive të serbëve pas kësaj nxiten më tej dhe për rrjedhojë, dialogut midis dy palëve i ngushtohet gjithnjë e më shumë hapësira.

Me sa duket Serbia, edhe pse është e vetëdijshme për këmbënguljen e Bashkimit Europian se pa normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, nuk mund të përcaktohet fillimi i punës për hapjen e kapitujve në negocimin për integrimin europian të saj, vështirë të heqë dorë nga qëndrimet e njohura nacionaliste. Madje, pavarësisht grimit të “politikanëve të moderuar”, taktikave të diplomacisë serbe.
Kosova është anëtare e 35 organizatave rajonale e ndërkombëtare, duke përfshirë dhe organizma të rëndësishme të OKB-së, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar etj. Nëse merr shumicën e votës të vendeve anëtare, Kosovën nuk e pengon asgjë për të qenë anëtare e UNESCO-s.

Shqetësimi i politikanëve serbë, në fund të fundit, nuk lidhet thjesht me trashëgiminë e objekteve bizantine-ortodokse në territorin e Kosovës. Halli për ta, kuptohet, është më i madh: te rritja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës. Të shpresosh apo të gënjesh veten me të kundërtën, aq më keq. Ata, pa u dyzuar, duhet të mësohen me këtë realitet. Aq më mirë do të jetë për ta, për rajonin tonë, që të mos mbetet pre e urrejtjes, për integrimin e përbashkët në familjen europiane. Kosovës, nga ana tjetër, do t’i duhet të forcojë më shumë shtetin e vet, sundimin e ligjit, por dhe të luftojë për zgjerimin e hapësirave të bashkëpunimit me Serbinë dhe vendet e tjera, duke i dhënë më tepër frymëmarrje proceseve demokratike në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura