“Ji më pak arrogant dhe bëj detyrën”- Shehaj përplaset me ministrin e Brendshëm, Lleshaj: S’më intimidon dot me…

Sep 23, 2020 | 11:01
SHPËRNDAJE

Lleshaj-Agron ShehajIsh deputeti i PD, Agron Shehaj debatoi ashpër dje me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj në emisionin “Open” mbi riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë që qëndrojnë prej vitesh në kamp refugjatësh në Siri. 

Shehaj tha se prej një viti e gjysmë, që kur çështja u kthye në qendër të vëmendjes nga mediat, shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë për të rikthyer në veçanti fëmijët shqiptarë që kanë mbetur jetimë në kamp.

Ai i kërkoi ministrit Lleshaj të jetë më pak arrogant dhe të bëjë detyrën. Nga ana tij, ministri Lleshaj u shpreh se nuk ka detyrim ligjor ndaj kësaj çështje dhe rolin e tij e cilësoi si humanitar.

Debati i plotë:

Shehaj: Faktet janë që pas një viti e gjysmë përparimi për riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë, jetimët shqiptarë, nuk ka asnjë rezultat. Nuk është bërë asgjë. Është domethënëse që ministri me një ton arrogant, ku është i vetmi që nuk ka bërë asgjë, i përgjigjet gazetarëve që kanë qënë në kamp ku i tregojnë se çfarë duhet të bëjë, i përgjigjet me ironi. Unë do ftoja ministrin të ishte më pak arrogant dhe çfarë ka ndërmend të bëjë. Ka kaluar një vit e gjysmë dhe koha është shumë e rëndësishme. Sa më shumë kalon koha aq më e vështirë bëhet për ti sjellë.

Lleshaj: Çdo diskutim politik apo tentativë për ti dhënë nuanca politike këtij diskutimi është tendencë për ti dhënë një nuancë toksike.

Shehaj: Ti qëndrojmë fakteve. Sa minorenë keni sjellë ju në Shqipëri në një vit e gjysmë.

Lleshaj: Mundohu të jesh më realist dhe jo kaq cinik në këtë ngjarje. Nuk kam ndonjë detyrim ligjor për të ardhur këtu.

Shehaj: E keni detyrim ligjor që ç’ke me të. Kjo është arsyeja që pas një viti e gjysmë nuk keni bërë asgjë sepse mendoni se po na bëni një nder. Ky është problemi. Ata janë shtetas shqiptarë z ministër, duhen ndihmuar dhe ju e keni për detyrë. Shteti shqiptar e ka për detyrë ti sjellë këtu. Se kam detyrim ligjor thotë. Ky është skandal.

Lleshaj: Për këta shtetas shqiptarë që ke filluar të qash sot kanë ikur para 5-6 vitesh dhe nuk je ndjerë. Sot e refuzoj këtë vajtim të vonuar.

Shehaj:  E keni gabim. Po flisni përçart dhe nuk dini çfarë po thoni.

Lleshaj: Unë kam ardhur këtu për arsye humanitare

Shehaj: Jo, ju duhet të bëni detyrën tuaj. Ju s’po bëni asnjë nder, asnjë humanizëm. Ju jeni ministër i shtetit shqiptar, ata janë nënshtetas shqiptarë dhe ju e keni detyrim ti merrni e ti sillni.

Lleshaj: Nuk më intimidon mua kështu. Është hera e dytë që vij unë këtu. Lë shumë punë për të ardhur sepse e ndjej si përgjegjësi qytetare, morale, shtetërorë e me radhë. Por duhet të jemi realistë që atje janë 70 mijë vetë në atë kamp nga çdo vend i botës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura