“Jetofshi në kohëra interesante”

Sep 19, 2019 | 8:48
SHPËRNDAJE

TOBIAS XHAXHIU

udhetim-ne-tri-kohe-dialog-me-alda-bardhylin

“Jetofshi në kohëra interesante” mendohet të jetë një mallkim me origjinë kineze, ndonëse në Kinë s’e përdor kurrkush, përpos investitorëve të huaj, agjentëve të bursës apo ndonjë ish-funksionari të administratës së Maos, i cili duke kërkuar vazhdimisht rikthimin e kohërave të bukura, sheh se si po transformohet bota para syve të tij, apo më saktë se si ekonomia po e ndryshon atë me një fuqi gati natyrore. Është klasifikuar si mallkim për arsyen e thjeshtë se gjërat “interesante” janë shpesh të paparashikueshme, të panjohura dhe të paprecedentë, ashtu si vetë koha.

Rrjedhimisht, kur themi se koha në vetvete shfaq një pamjaftueshmëri informacionesh, për sa i përket ndryshimeve që pritet të vijnë, mënyra e vetme për të bërë të mundur parashikimin e asaj çka na pret, mbetet përvoja. Këto ide empirike më erdhën ndërmend teksa shfletoja “Udhëtim në tri kohë” (Onufri, 2019), librin më të fundit të profesor Adrian Civicit, që vjen në trajtën e një bashkëbisedimi intelektual me studiuesen e letrave shqipe, Alda Bardhyli. Libri është i ndarë në tri kapituj të gjatë reflektimi, ku hera-herës nuk mungojnë dozat e humorit dhe qasjes së paanshme ndaj fakteve historike. Si një njeri që i ka përjetuar të tria kohët, është e qartë se sinteza në mendimet e autorit vjen e plotë, duke i dhënë këtij publikimi trajtat e një manuali deshifrues të historisë moderne të Shqipërisë, rrëfyer nga këndi apolitik i ekonomisë. Kapitulli i parë flet për socializmin. Fillimisht duhet ta pranojmë se kemi të bëjmë me fjalën më të anatemuar të leksikut botëror, pas ndoshta fjalës “djall” apo “ferr”.

Me rënien e sistemeve totalitare në vendet ish-komuniste, fjala socializëm ishte një sinonim i portretit ballëlartë të Marksit, i cilësuar si “babai i të keqes së madhe”. Doemos, edhe në Shqipëri s’kish si të ndodhte ndryshe. Gjithçka që kishte të bënte me këtë fjalë ishte ndjellakeqe, pra një keqinterpretim i pashmangshëm. Autori e përshkruan përkthimin nga shqiptarët e socializmit, si një marrëdhënie midis legjitimitetit dhe prosperitetit shoqëror, ku duheshin gjetur, shpikur e mbështetur teza që ushqenin idenë utopike se “partia-shtet” kish vendosur të ngrinte një çadër qeveritare mbi truallin e shkatërruar të Shqipërisë së pasluftës, për të përmbushur misionin historik të mëkëmbjes së vendit dhe afrimit të së ardhmes socialiste, ku njeriu i ri apo thënë ndryshe “homo socialiticus”, do të gëzonte benefitet e një sistemi idilik barazie. Autori shprehet se diktatura iu imponua popullit si një “kontratë sociale” apo si një “autoritet racional”, si diçka e natyrshme dhe e pëlqyer nga njerëzia. Teksa lexoja këto përfundime mbi natyrën e socializmit në Shqipëri, m’u kujtua shkolla “stoike” e antikitetit, ku “morali” (etika) është thelbësor dhe bashkuar me logjikën (njohjen), krijojnë një binom të pathyeshëm. Stoikët, kur shihnin një kalë në galop thoshin se shihnin kalin dhe jo llojin e kuajve, pra çdo përgjithësim për ta ishte një abstraksion, një emërtim, por kurrë një realitet i prekshëm, në dallim nga diktatura, që dhe në rast se nuk ta kish ënda ta pranoje, do të trokiste ajo vetë në portë, shoqëruar nga enturazhi i stoikëve të saj.

Fundi i kapitullit të parë e gjen autorin në një rrëfim autobiografik të periudhës së vizitës së tij në Kubën komuniste, ndërkohë që vendi ynë e kish parë dritën jeshile të demokracisë. Atje, marrëzia e kuqe përvëlonte ende, ndaj profesor Civici bëhet aktor i disa aventurave irracionale të një diktature tropiku që nuk duhen humbur. “Ne po fillojmë një histori të re, por nuk po e fillojmë atë nga fillimi, por nga fundi. Ne do të jemi në fillim vetëm në fundin e saj”, do të lexoja thënien nga Alexander Zinoviev në preambulën e kapitullit të dytë kushtuar Tranzicionit, ku libri fillon të marrë trajtën e një shëtitjeje Danteske. Në këtë kapitull, gjërat fitojnë një karakter më teknik e serioz, ashtu si dhe pyetjet e drejtuara nga Bardhyli. Autori flet për përballjet e para me konceptet e ekonomisë së tregut dhe pamundësisë së shtënies në dorë të informacionit mbi ligjësitë ekonomike ndërkombëtare. Qartësisht, kjo është koha e dilemave të mëdha, e kërkimit të vazhdueshëm dhe nevojës për gjetjen e një udhërrëfyesi në këtë Purgator ekonomik.

Autori me të drejtë e paraqet këtë proces si një transformim në formën e një rikthimi në pikën e nisjes. Për profesor Civicin, kjo kohë përkon me një momentum të veçantë në kontekstin e zhvillimit ekonomiko-shoqëror në rang global. Në botën perëndimore ekzistonte një luftë e brendshme midis teorisë neoliberale dhe asaj kejnesianiste, ndërkohë që në Lindje po dështonin radhazi teoritë e rimëkëmbjes socialiste nëpërmjet reformash dhe kështu po shfaqej kriza e thellë strukturore në këto vende. Si rrjedhojë, ky ishte terreni i përshtatshëm për shtetet perëndimore që t’ia nisnin eksperimenteve ekonomike mbi qeveritë e brishta “post-socialiste”, duke sugjeruar reforma me karakter romantik si “trinia e shenjtë”: stabilizim, liberalizim, privatizim. Aplikimi i tyre i drejtpërdrejtë dhe i pamëshirë i dha shkas lindjes së një serie dukurish me efekt negativ, pasojat e së cilave jehojnë edhe sot në mjedisin ekonomik dhe mbi mendësinë e sipërmarrjes. Tranzicioni, ashtu si dhe në këtë libër, shfaqet si një epokë kryqëzatash kundrejt ideologjive, ku rimëkëmbja nga hiri paraqitet si rrugëdalja e vetme.

Marksi vetë, zbatonte po të njëjtën praktikë agresive në gjykimet e tij. Ai besonte se në çdo shoqëri gjendet një infrastrukturë dhe doemos një superstrukturë, ku infrastruktura shprehet si tërësia e mjeteve të prodhimit në një realitet ekonomik, bashkërendimi i së cilave formaton superstrukturën. Ndërkohë, superstruktura në vetvete s’është tjetër veçse bashkësia e një serie elementesh që variojnë nga politika tek arti, nga vlerat te besimi e kështu me radhë. Ai vlerëson se kritika ideologjike ka të bëjë me kallëzimin e çdo sendi që lind në shpirtin e njeriut, çka shndërrohet paskëtaj në një mbulesë efikase për faktet dhe ngërçet ekonomike të një shoqërie. Kësisoj, doktrina e tij, në rast se dështon të aplikohet në kontekste të ndryshme dhe keqinterpretohet, siç ndodhi në Shqipëri e që solli për pasojë tranzicionin, kthehet në një parashikim eskatologjik për një të ardhme pashmangshmërisht kapitaliste. Kështu kemi mbërritur në kapitullin e tretë dhe ndalesën e fundit të këtij udhëtimi në tri kohë, kapitalizmi.

Profesor Civici e bën të qartë që në nisje se kapitalizmi nuk është një formulë ekzakte apo model që aplikohet po njëlloj ngado, por më mirë të themi një sistem i dakordësisë shoqërore që ushtrohet në forma të ndryshme, por me qëllim të njëjtë, ku e rëndësishme është mbështetja mbi pronën private, ekzistencën e fitimit, grumbullimin e kapitalit dhe lirinë sipërmarrëse etj… Më tej, autori ndalet në përcaktimin e dallimeve midis modeleve të ndryshme të kapitalizmit në Evropë, si ai “anglosakson”, “korporatizmi liberal” në Gjermani apo ai francez i “kapitalizmit shtetëror”, mbështetur mbi parimet e “ekonomisë mikse” ku dallohet si karakteristikë e veçantë mbarëvajtja e kontratave të partneritetit publik privat. Natyrisht, autori s’kish si të mos ndalej dhe në modelin e katërt, atë japonez. Këtu kemi të bëjmë me një kapitalizëm të ngritur mbi rrënjë të thella kulturore, ku racionalizmi ekonomik plekset me kompromisin shoqëror, një mélange që nuk lë hapësirë për sindikalizëm tipik. Shtjellimi i këtyre koncepteve shpie logjikshëm te ngritja e pyetjeve mbi uniformizimin e modeleve globale të kapitalizmit dhe rëndësisë që tradita kapitaliste e vendeve të fuqishme ka në zhvillimin ekonomik e politik në shkallë ndërkombëtare. Nga këtu nis edhe interpretimi historik i adaptimit të modeleve kapitaliste në vendet e Lindjes dhe në Shqipëri.

Autori shprehet se nëse do të kërkohej një emër për modelin e kapitalizmit që po ndërtohet në rajon e gjetkë vendeve të ish-bllokut lindor, do t’ishte modeli i “kapitalizmit të kushtëzuar” apo ndryshe të “ndërvarur”, të bazuar në fluksin e kapitaleve të huaja. Po kështu, profesor Civici flet për vështirësitë e kaluara nga vendet si i yni për të përmbushur një kalim të shëndoshë nga ekonomia e centralizuar tek ajo e tregut të lirë, vendosjes së ekuilibrit makroekonomik midis kërkesës dhe ofertës, inflacionit, liberalizmit të çmimeve dhe kontrollit shtetëror. Një tjetër dukuri e pamohueshme e kapitalizmit e trajtuar në këtë kapitull, është pabarazia sociale, ku intervistuesja Bardhyli mëton të marrë një përgjigje shteruese. Por, le të mos i zbulojmë të gjitha. Libri është shkruar me një shqipe të rrjedhshme, ku balancohet natyrshëm leksiku akademik me atë të përgjithshëm, që e shndërron këtë bisedë intelektualësh në një ftesë të hapur për debat, aq më tepër në një kohë të pangjyrë akademizmi të munguar e studimesh të përcipta mbi ekonominë dhe ndërlidhjen e saj me politikën. Studiuesja Alda Bardhyli, një emër i lakuar në rrethet letrare e në shtypin vendas, ka ndërtuar pyetje të qarta, të drejtpërdrejta për të cilat s’mund të kërkohet tjetër veçse përgjigje koherente, të cilat profesor Civici i ka dhënë pa dorashka dhe me kthjelltësinë e një profesionisti të fushës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura