Jetëgjatësia e një qeverisjeje

May 5, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

NGA LEONIDHA MËRTIRI

leonidhamertiri

Qeveria e porsakrijuar e Dritan Abazoviç në Mal të Zi erdhi pas votimit në Parlament të mocionit të mosbesimit të qeverisë së Zdravko Krivokapiç. Ky i fundit u vu në krye të ekzekutivit me zgjedhjet parlamentare të fundgushtit të dy vjetëve më parë, në 2020-ën, përmes koalicionit të njohur: Fronti Demokratik ultraserb, Demokratët dhe Lëvizja “Ura” e Abazoviç. Jetëgjatësia e qeverisë nuk zgjati më shumë se katërmbëdhjetë muaj nga ardhja në pushtet. Koalicioni qeverisës, qysh në muajt e parë, filloi të brehet nga kontradiktat e vazhdueshme midis pro serbëve nga njëra anë dhe atyre për integrimin europian të vendit në Bashkimin Europian nga ana tjetër. Diçka që parashihej. Influenca serbe mbi të ishte e hapur, ndihmuar aktivisht nga Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Pasojat? Dukej se çdo gjë lëvizte në të kundërtën e integrimit euroatlantik, ashtu siç parashihnim dhe ne në shkrimin tonë, botuar në këtë gazetë, me titull “Mali i Zi pas zgjedhjeve”. Kurrfarë progresi në këtë drejtim, krahasuar me vendet e tjerë fqinjë në rrugën për anëtarësimin e tyre në BE, kur atij i ishte dhënë statusi i vendit kandidat qysh në 2010-ën dhe u anëtarësua në NATO në vitin 2017. Tani gjithçka dukej si e ngrirë për të favorizuar nëpërkëmbjen e pavarësisë së kësaj republike.

Dritan Abazoviç, duke mos u pajtuar me këtë situatë, edhe pse në postin e zëvendëskryeministrit, u bë nismëtari i një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë. Por kjo nuk mund të kalonte lehtë. Forcat e tjera politike në qeveri kërkuan shkarkimin e tij të menjëhershëm nga numri dy i qeverisë, gjë që nuk do të realizohej, për shkak se atë do ta mbështeste shumica e parlamentarëve. Aleatët e tij në koalicionin e mëparshëm qeverisës, Fronti Demokratik dhe Demokratët nuk i ndërprenë sulmet ndaj kreut të Lëvizjes “Ura”, duke e etiketuar atë si “tradhtar të elektoratit”, shoqëruar kjo dhe me kërcënime për likuidim të tij.

Ndërkohë, mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së Zdravko Krivokapiçit u miratua me 43 vota nga 81 që është numri i parlamentarëve, duke e rrëzuar atë, domosdoshmëri kjo për të sotmen dhe të nesërmen e vendit. Një zhvillim ky i rëndësishëm. Në këtë mënyrë iu hap rruga krijimit të një qeverie të pakicës, drejtuar nga Abazoviç. Mbështetja që iu dha kabinetit të tij nga Partia Demokratike Socialiste e Presidentit Millo Gjukanoviç ishte vendimtare në këtë kohë krize, për stabilitetin e vendit. Pavarësisht që ajo vetë nuk bën pjesë në koalicionin e ri qeverisës, në përbërje të të cilit përfshihet, përveç Lëvizjes “Ura”, Partia Popullore Socialiste pro serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë e shqiptarëve, të boshnjakëve dhe kroatëve që jetojnë në republikën e Malit të Zi.

Një situatë e vështirë për qeverinë e pakicës. Mendojmë se jetëgjatësia e saj nuk është e lehtë. Pikëpyetjet në këtë situatë janë normale dhe, sigurisht, lidhen me rezultatet e qeverisjes. Si do të përballohet kriza ekonomike, ardhur dhe për shkak të agresionit rus në Ukrainë, përkrah problemeve të tjera të mprehta që janë prezente dhe lidhen me përshpejtimin e zgjidhjes së tyre për anëtarësimin në Bashkimin Europian? Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformat në fushën e drejtësisë, e nesërmja e qëndrimeve ndaj marrëdhënieve pronësore-juridike të Kishës Serbe me shtetin malazez e të tjera janë çështje themelore të qeverisë. Për Abazoviçin, siç duket dhe nga programi i paraqitur, janë të qarta këto objektiva. Realizimi i tyre do të kërkojë shumë punë e përkushtim nga ana e kësaj qeverie. Por, vështirë të arrihet ajo çka dëshiron kryeministri i ri, pa “pajtimin e Malit të Zi”, sikurse me të drejtë pohon vetë ai. Shqetësim i ligjshëm. Kohezioni midis forcave politike për problemet më të rëndësishme bëhet edhe më i nevojshëm në këto kushte. Çdo çarje për shkak të programeve të tyre politike do të trimëronte kundërshtarët e shtetit të pavarur malazez, për ta mënjanuar atë nga rruga e tij euro-atlantike.

Pa bërë orakullin, por nga sa vihet re sot, lufta politike do të ndihet edhe më tepër. Strikëmbshat do të jenë të gatshëm. Fronti Demokratik ultraserb edhe më tej vështirë të pajtohet me gjendjen e re. IshKryeministri Krivokapiç vazhdon ta shohë qeverinë e pakicës si një mashtrim, duke këmbëngulur në të njëjtën kohë në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, si e vetmja rrugëdalje për të nga kriza e Malit të Zi. Kjo e fundit, u shkon për shtat atyre. Një betejë e qartë gjeopolitike. Në këto ujëra përzihen dhe kërcënimet për protesta. Tani për tani nuk flitet për një konsensus të të gjitha forcave, sidomos për problemet më të rëndësishme. Këtë situatë e ndihmon dhe qëndrimi i njohur i Kishës Ortodokse Serbe, e cila është e interesuar ta inkurajojë atë për destabilizimin e Malit të Zi.

Ne do të dëshironim që të gjitha këto, pavarësisht sfidave me të cilat do të përballet qeveria e Dritan Abazoviç, ajo t’i kalojë me sukses, që mandati i saj të mos i ngjajë asaj të qeverisë së mëparshme, për më shumë jetëgjatësi, në interes të prosperimit të shtetit fqinj dhe qytetarëve të tij në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura