“Jetë paralele”/ Libri me dosjen e plotë, kush e spiunoi Maks Velon

Jul 28, 2018 | 22:13
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ “UET Pres” promovoi dosjen sekrete të përndjekjes, hetimit, dënimit të Maks Velos të përmbledhura ne një libër. “Maks Velo. Jetë paralele” është përgatitur nga Alda Bardhyli.

Kjo është hera e parë që publikohet dosja hetimore e Sigurimit të Shtetit për një artist siç ishte Maks Velo. Në të janë përfshirë 106 dokumente, një pjesë e të cilave shoqërohet me rrëfime të vetë Velos mbi ngjarjet e raportuara. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin shkrimtarë, studiues, pedagogë të UET-së, por dhe studentë e gazetarë.

maks velo ne uet

Milto Jorgji

“SEKRET”

Tiranë, më 23.07.1973

SHËNIM-OPERATIV

Në bisedën e bërë më datë 23/07/1973 me piktorin (piktor në Teatrin Popullor), mësova gjatë diskutimit me të lidhur me krijimtarinë e piktorëve të ndryshëm se, përveç atyre që ai ndikohet edhe nga ata që lexon, shikon programe të huaja edhe në forma të tjera. Tek ai ka ndikuar, thotë edhe ajo që ka pasur shoqëri me Maksim Velon, i cili është shumë i prirë për një art dekadent e abstraksionist, duke shprehur jo vetëm preferencë ndaj këtyre piktorëve, por edhe duke i kopjuar ata në krijimtari. Maksim Velo i ka shkuar shumë herë në shtëpi dhe më vonë kur mori studio. Në studion e Edisonit i ka parë krijimtaritë e tij dhe ka pasur shumë raste që e ka inkurajuar atë të bëjë piktura abstraksioniste, duke i thënë se këto janë piktura dhe se kështu duhet pikturuar. Në ato raste kur unë e kundërshtoja, thoshte se nuk kishte të drejtë. Maksi ma kthente “që nuk po flas me ty, unë po udhëzoj këtë, ti, kur të iki unë, mësoje ndryshe”. Maksim Velo, thotë Miltua, ka përkrahur këta muajt e fundit (para fjalimit të udhëheqësit në mars), të gjitha ato krijime që kanë qenë moderniste, madje edhe në diskutime të ndryshme që bëheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Është interesant fakti që ky njeri më parë nuk diskutonte kurrë, ndërsa kur u dukën në artin e pikturës dhe të letërsisë njëfarë liberalizimi, Maksi sikur u gjallërua. Gjithashtu në një bisedë të bërë ndërmjet Maksim Velos, ky i fundit ka mësuar se kur ka ardhur në vendin tonë një franceze dhe Maksim Velo ka qenë me të, i ka dhuruar kësaj dy portrete (sipas vetë Maksit) me piktura malësorësh, por të trajnuara në mënyrë moderne. Ajo i ka shkruar letër që kur studentët francezë bënë një grevë,të gjitha ia kishin prishur, vetëm ato pikturat jo, sepse i kishin pëlqyer shumë edhe ata.

Shënim: Është në përpunim, ndërsa për Maks Velon kemi material në fashikull. Punëtori operativ / Piro Katro /

DOKUMENTI 4

Kujtim Buza

“SEKRET”

Ekzemplar i vetëm Tiranë,

02.03.1975

SHËNIM-OPERATIV

Më datë 02/04/1975 në një bisedë të zhvilluar me sh. Kujtim Buza, midis të tjerave më tha: “Sot në mëngjes më erdhi në shtëpi e shqetësuar vjehrra e Maksim Velos, e cila kërkoi takim, duke thënë se ‘jam e shqetësuar, pasi Maksit i kam gjetur në shtëpi një libër pornografik në gjuhën franceze’. Në këtë libër flitet për marrëdhëniet seksuale të mashkullit e femrës”. “Unë, thoshte Kujtimi, e mora këtë libër dhe e lexova pak, e pashë që kishte përmbajtje pornografike e degjeneruese”. Në këtë libër kishte edhe shënime, gjë që tregonte se është marrë nga shumë persona. Sot më datë 02/04/1975 rreth orës 12:00, vjehrra e Maksit do ta sjellë këtë libër te kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nga ana ime, iu tha Kujtimit që ky libër të mbahet dhe të na dorëzohet ne.

PUNËTORI OPERATIV / PIRO KATRO /

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura