Jeta tragjike e balerinës, gruas së Sergej Esenin, që fati e “hodhi” në Sarandë

Jul 24, 2018 | 15:17
SHPËRNDAJE

Historia është e veçantë: një balerinë amerikane, që kishte artin në shpirt, e la Amerikën dhe erdhi në Paris në fillimet e shekullit. Një udhëtim në Greqi me familjen e saj kur ajo ishte veç 15-vjeçare, e kishte frymëzuar që të kërcente zbathur dhe veshur me tunikën e bardhë që shohim sot në statujat e antikitetit, të kërcente ashtu si nimfat.

Dhe kështu, ajo zbarkoi në Francë, duke u shfaqur në skenat parisiane të “Rue Gaité” si një balerinë që kërcente si shtojzovallet dhe që sillte ehot e largëta të antikitetit dhe danset e festave të Dionisit. Kështu, shumë shpejt ajo u bë jo vetëm e parapëlqyera e publikut, por dhe muza e një sërë letrarësh, kompozitorësh, piktorësh e skulptorësh të shquar të asaj kohe. Pothuaj të gjithë u dashuruan me të, si skulptorët Rodin apo Bourdelle, ashtu dhe letrarë, si shkrimtari italian D’Anunzio, apo regjisorë teatri e aktorë si dhe poetë si Sergej Esenin që u çmend pas saj dhe u martua.5251454578

Por diçka tragjike do ta ndryshonte rrjedhën e jetës së saj. Dy fëmijët e saj, në rrethana aksidentale, u mbytën në lumin Seine të Parisit. Atëherë, në dëshpërimin e madh për fëmijët, edhe ajo donte t’i jepte fund jetës së saj. Por ishte vëllai i saj që do ta shpëtonte atë, Rajmond Dunkan, një estet i kohës, i cili kishte hapur madje një Akademi në Paris, që vishte vetëm sandale dhe kostumi i tij ishte veç një veshje si e Platonit apo Sokratit grek, sapo ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte shoqëruar ambasadorin amerikan, duke bërë me të rrugën nga Korfuzi, Janina, nëpër Epir dhe duke përshkuar Sarandën dhe jugun shqiptar për të mbërritur në Durrës, meqë në atë kohë vazhdonin punimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, ku vendosej për fatin e tokave shqiptare, për Çamërinë dhe Kosovën.

Ai i tha se do ta çonte motrën në një vend ku shpirti i saj i vrarë do të mund të prehej: një vend tragjik, me një bukuri të rrallë, një vend tronditës, në Shqipëri. Shqipëria sapo kishte shpallur pavarësinë e saj dhe lufta ballkanike kishte mbjellë në jug veç vdekje e mjerim të jashtëzakonshëm, ku mijëra e mijëra refugjatë linin Janinën, ku luftohej midis grekëve që donin ta pushtonin atë dhe turqve që donin ta mbronin. Dhe një ditë, një vapor do ta sillte Isadorën dhe Rajmondin bashkë me familjen e tij nga Marseja në Korfuz dhe që andej brigjeve shqiptare, të cilat iu dukën që në fillim tepër enigmatike, por dhe shumë të bukura. Kështu nisi dhe aventura e saj shqiptare, duke vendosur çadrat e tyre në shpatin e gurtë të kodrinës të asaj qyteze të vogël me një grup shtëpish dhe doganën shqiptare, që sapo ishte hapur dhe ku mjaft udhëtarë kalonin për të shkuar në Korfuz dhe që andej për në Europë.

Si mund të përshkruhet jeta e saj në “Santa Quaranta” apo “Skelë”, siç e quanin shpesh banorët portin e vogël të Sarandës, kur gjithçka ka ndodhur pothuajse një shekull më parë? Dëshmitarët okularë kanë vdekur pothuaj të gjithë. Shqipëria e vitit 1913 jetonte në jerm dhe në një kaos të madh. Pavarësia sapo ishte shpallur dhe liria kërcënohej sërish. Në brigjet e Adriatikut e Jonit, horizonti nxinte nga anijet e luftës. Trupi i këtij kombi kishte filluar të gjymtohej. Kronistët e asaj kohe, gazetarë francezë, anglezë e amerikanë, kanë shkruar për flamurin e ngritur në Vlorë dhe qeverinë provizore, për revoltat e fshatarëve dhe peticionet drejtuar krerëve të Fuqive të Mëdha, për ushtritë e huaja, përgjakjen dhe mjerimin e madh të popullit, për Shkodrën e rrethuar dhe Korçën e pushtuar, për Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit të Kufijve dhe misionarët e paqes…

“Ne morëm anijen në Brindisi dhe më pas, – shkruan Isadora Duncan në librin e saj “Jeta ime”, – një mëngjes të bukur mbërritëm në Korfuz. Gjithë natyra përreth ishte e qeshur dhe përcillte një lloj lumturie, por ajo nuk mund të më ngushëllonte. Ata që më shoqëronin prej shumë ditësh e javësh, kur qëndroja e ulur në kolltuk me vështrimin e humbur diku, më kishin folur për këtë natyrë të bukur. E ndieja që koha kalonte dhe se kisha hyrë në një mjedis të errët dhe gri, ku nuk ekzistonte asnjë dëshirë për të jetuar apo lëvizur. Kur goditesh nga një dhimbje e madhe, gjestet dhe fjalët humbasin. Si një Niobé i shndërruar në gur, edhe unë qëndroja e palëvizur, duke pritur që vdekja të më shuante”.

Luan Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura