Jeta private dhe përgjimi në vendin e punës

Mar 23, 2021 | 10:07
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjori

XHEZAIR ZAGANJORI

Pak kohë më parë, në fund të vitit 2019, Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane së të Drejtave të Njeriut (GJEDRNJ) dha një vendim mjaft të rëndësishëm lidhur me përgjimin e mundshëm të punonjësve gjatë orarit të punës, si pjesë e rëndësishme e të drejtës së jetës private, garantuar nga neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave te Njeriut (KEDRNJ).

Problemi është vetiu shumë i ndjeshëm për shumë arsye. Mes tyre veçojmë faktin se bëhet fjalë për marrëdhëniet ligjore mes punëdhënësit e punëmarrësit, e nga ana tjetër preket një çështje mjaft delikate: Përcaktimi i kritereve dhe kufijve të ndërhyrjes në jetën private përmes monitorimit apo mbikëqyrjes së punonjësve në ambientet ku punojnë. Ky problem është në fakt shumë i mprehtë në ditët e sotme.

Zhvillimi galopant i shkencës dhe teknologjisë moderne, krahas avantazheve të shumta që i ofron njeriut dhe shoqërisë njerëzore në tërësi, ka krijuar njëkohësisht edhe mundësi pa fund për të përgjuar e monitoruar në tërësi punën dhe jetën e individit, duke depërtuar shpesh edhe në thellësi të aspekteve të brendshme e esenciale të privatësisë dhe personalitetit të tij.

Pikërisht për këto arsye kërkohen rregullime e ndryshime ligjore e jurisprudenciale, për t’iu përgjigjur në kohë dhe me efektivitet nevojës për një mbrojtje më të mirë të jetës private.

Prandaj edhe vendimi i mësipërm i Dhomës së Madhe pritej me padurim. Ai u dha, por ndërkaq ka ndezur një debat shumë të zjarrtë. Ka vlerësime, por edhe mjaft kritika. Sidoqoftë, le ta shohim shkurtimisht disi më nga afër këtë gjykim si dhe diskutimet rreth tij.

Bëhet fjalë për çështjen Lopez Ribalda dhe të tjerë kundër Spanjës. Fabula është e thjeshtë. Administratorët e një supermarketi në Spanjë dyshonin se punonjësit e tyre vidhnin aty mallra të ndryshme. Ky dyshim bazohej vetëm në bilancin apo pasqyrat financiare të muajve të fundit, të cilat dilnin me humbje. Për këtë qëllim, pa dijeninë e punonjësve, ato instaluan kamera të fshehta, përmes të cilave mbikëqyrnin kryesisht zonën e kasave, aty ku realizohen pagesat.

Sipas ligjit spanjoll, nëse punëdhënësi vendos kamera në vendin e punës, ai duhet të vërë në dijeni për këtë veprim edhe punëmarrësin. Në rastin e shërbimeve publike, siç është edhe blerja në supermarket, në dijeni të kamerave duhet të jetë si rregull edhe klienti që hyn aty. Qëllimi është mbrojtja e privatësisë. Pas disa ditëve mbikëqyrje, punonjësit që bënin vjedhje në supermarket u identifikuan, u pushuan nga puna dhe u proceduan penalisht. Më pas, ata iu drejtuan Gjykatës Civile, duke kërkuar dëmshpërblim nga ish-punëdhënësi, pasi vlerësonin se përgjimi përmes kamerave të vendosura fshehurazi në supermarket kishte cenuar jetën e tyre private.

Gjykatat spanjolle të të gjitha niveleve nuk u dhanë të drejtë, duke përdorur si argument kryesor faktin që kërkuesit kishin kryer një vepër penale, përmes së cilës kishin dëmtuar të drejtat pronësore të pronarëve të supermarketit. Kërkuesit iu drejtuan më pas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar shkeljen e standardeve të nenit 8 të Konventës (KEDRNJ) lidhur me mbrojtjen e jetës private.

Në fakt, në çështjen Barbulesku kundër Rumanisë, gjykuar disa vite më parë (në vitin 2017) nga GJEDRNJ, Dhoma e Madhe e kësaj Gjykate ka përpunuar e vendosur disa kritere lidhur me përgjimin e punonjësve në kontekstin e marrëdhënieve të punës. Në këtë çështje, punëdhënësi kishte ndërhyrë pa dijeninë e punëmarrësit në kompjuterin e tij (pra, të kërkuesit Barbulesku), pasi dyshonte se ai nuk punonte siç duhet gjatë orarit të punës, por komunikonte vazhdimisht online për arsye personale.

Në vendimin e dhënë për këtë çështje, Dhoma e Madhe e GJEDRNJ vuri në dukje se hapësira e vlerësimit që u lihet shteteve anëtare në këtë kontekst është mjaft e gjerë, si për sa u përket masave ligjore, ashtu edhe atyre me natyrë rregullative. Megjithatë, ajo theksoi se kjo hapësirë vlerësimi nuk mund të jetë pa limit, duke shtuar se monitorimi i komunikimeve apo i korrespondencës së punonjësve duhet të bëhet duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke parashikuar garanci të mjaftueshme kundër abuzimeve të mundshme.

Mbi këtë bazë, GJEDRNJ radhit disa nga kriteret që u shërbejnë këtyre standardeve dhe që duhen vlerësuar me kujdes nga gjykata në çdo rast konkret, që janë:

Njoftimi i punëmarrësit për mundësinë e monitorimit/ mbikëqyrjes nga ana e punëdhënësit; Përcaktimi i mënyrës së ndërhyrjes që do të përdoret dhe kohëzgjatjes së saj; Identifikimi i arsyeve ligjore të monitorimit; Vlerësimi nëse mund të kishte mënyra të tjera më pak të dëmshme për arritjen e objektivave legjitimë të punëdhënësit; Vlerësimi i seriozitetit të pasojave që i janë shkaktuar punëmarrësit nga monitorimi; si dhe sqarimi i faktit nëse punëmarrësit i ishte krijuar mundësia të njihet me të dhënat e monitorimit.

Sigurisht që zbatimi i këtyre kritere varet shumë edhe nga natyra e punës dhe ambientet, në të cilat realizohet ajo në çdo rast konkret.

Pasi merr parasysh të gjithë këto kritere, GJEDRNJ arrin ne konkluzionin që në çështjen Barbulesku ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.

Në çështjen Lopez Ribalda, monitorimi i punonjësve ishte i një natyre tjetër. Megjithatë, GJEDRNJ në thelb përpiqet të zbatojë të njëjtat kritere të vendosura prej saj në vendimin Barbulesku.

Sigurisht që argumenti kryesor dhe më i fortë i kërkuesve (punonjësve) ishte që, ashtu si në çështjen Barbulesku, edhe në rastin e tyre nuk plotësohej kriteri i parë, pasi ato nuk kishin informacion për vendosjen e kamerave. Punëdhënësi i kishte instaluar ato në vendin e punës pa bërë asnjë njoftim.

Mbi këtë bazë, dhoma e zakonshme e gjykimit në GJEDRNJ me 7 gjyqtarë konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës. Mbi bazën e ankimit të subjektit të paditur, Spanjës, çështja kaloi për shqyrtim në Dhomën e Madhe të kësaj Gjykate me 17 gjyqtarë.

Pretendimet e palëve ishin thuajse të njëjta, megjithëse tashmë referimi bëhej bazuar në argumentet që përmbante vendimi i dhomës së zakonshme të gjykimit të GJEDRNJ. E debati kryesor ishte sërish çështja e zbatimit të kriterit të parë, dijenisë për vendosjen e kamerave.

Duke u ndalur pikërisht në këtë aspekt, në vendimin e Dhomës së Madhe thuhet që në fillim të arsyetimit të saj se njoftimi është vetëm një nga kriteret që duhet vlerësuar, por ai nuk është i vetmi. Për zgjidhjen e çështjes duhet të merren në konsideratë në tërësi të gjitha kriteret. Vetëm mbi këtë bazë mund të arrihet në konkluzionin nëse ka apo jo shkelje të nenit 8 të Konventës.

Ajo shton më tej se pikërisht mungesa e njoftimit për mundësinë e monitorimit përmes kamerave, bën që analiza dhe vlera e faktorëve të tjerë të marrin në këtë rast një peshë e rëndësi të veçantë për zgjidhjen e çështjes nga ana e saj.

Ndër të tjera, ajo konstaton më pas në vendim se: Filmimet përmes kamerave ishin bërë për një periudhë relativisht të shkurtër dhe se ato ishin fshirë menjëherë pas përdorimit të tyre; se pritshmëritë e punonjësve për të pasur privatësi në vendin e punës në kushtet e një supermarketi janë shumë të vogla, aq më tepër që hapësira e supermarketit konsiderohet si vend publik; se filmimet u bënë për të zbuluar vjedhjen, veprim ky legjitim i pronarit të mallrave, pavarësisht se në përgjithësi jo çdo dyshim për vjedhje justifikon përgjimin.

Dyshimi duhet të jetë i arsyeshëm e të tjerë. Mbi këto gjetje, duke zbatuar parimin e proporconalitetit, Dhoma e Madhe ndryshoi vendimin e dhomës së zakonshme të gjykimit në GJEDRNJ, duke arritur në konkluzionin se vendimet e gjykatave spanjolle nuk shkelin standardet e nenit 8 të Konventës. Ky vendim u mor me 14 vota pro dhe 3 kundër.

Siç kemi theksuar në fillim të këtij artikulli, ky vendim ka ngjallur diskutime të shumta. Ka mjaft vlerësime mbi argumentet e dhëna aty, aq më tepër që kemi të bëjmë me vjedhje, por ka ndërkaq edhe kritika. Kritikat bazohen në fakt kryesisht në argumentet e paraqitura nga tre gjyqtarët që janë në pakicë. Ato fokusohen në tre drejtime kryesore:

i) Evidentohet fakti se në kohët moderne, çështja e aksesit në jetën private të individit po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Fotografitë apo filmimet e bëra pa dijeninë e subjektit të prekur përhapen lehtësisht në mënyrë të menjëhershme, brenda pak sekondave. Prandaj është e pamundur të thuhet me siguri se fotografi apo filmime të caktuara janë fshirë apo janë parë nga një rreth i caktuar personash, ashtu siç thuhet në vendimin e Dhomës së Madhe. Pikërisht për këtë arsye vihet në dukje se kriteri i njoftimit ka në këtë rast një rëndësi mjaft të madhe. Duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur këtij kriteri, është lënë mënjanë njëkohësisht edhe një prej standardeve kryesore të vendosura nga Strasburgu në çështjen Barbulesku. Njoftimi ka rëndësi për të gjithë. Mjafton të bëhet në mënyrë të qartë e të thjeshtë në ambientet e punës. Ai nuk mund të jetë në çdo rast individual. Për më tepër është një masë preventive dhe efektive. Përgjimi i fshehtë jo vetëm që është në kundërshtim me ligjin, por krijon në të njëjtën kohë edhe një atmosferë mosbesimi e pasigurie në vendin e punës.

ii) Nuk është vlerësuar sa duhet mundësia e gjetjes në rastin konkret të mënyrave alternative të ndërhyrjes me natyrë më pak invazive, si reagim i përligjur ligjërisht ndaj vjedhjes së mallrave. Theksohet me këtë rast se përgjimi në mënyrë të fshehtë me kamera, kishte dy objektiva: Të ndalohej vjedhja dhe të kapeshin autorët. Për objektivin e parë, njoftimi i punonjësve për vendosjen e kamerave do të ishte më se i mjaftueshëm. Me shumë gjasa, punonjësit nuk do të kishin vazhduar vjedhjen. Për objektivin e dytë, kapjen e autorëve, ligjërisht duhet të ishte njoftuar Policia, pasi vjedhja është vepër penale, ndaj për këtë veprim të dënueshëm, reagimi duhet të bëhet nga autoritetet përkatëse. Ndërhyrja e palëve private të interesuara në këtë proces, duhet të ketë kufi. Drejtësia nuk mund të jepet nga subjekte private. Nga ana tjetër, në një shtet të së drejtës, janë pikërisht autoritetet ligjore që disponojnë në këto raste mjetet e mënyrat e duhura dhe efektive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

iii) Parimi i proporcionalitet nuk është zbatuar siç duhet. Përveç çështjes së njoftimit, kriteret e tjera janë vlerësuar në mënyrë sipërfaqësore e jo bindëse. Kështu, për shembull, thuhet se përgjimi është realizuar vetëm për një kohë të shkurtër, ndërkohë që ai është bërë për dhjetë ditë me radhë, derisa u identifikuan autorët e vjedhjes. Po të mos ishin identifikuar ndërkaq brenda kësaj kohe, monitorimi do të kishte zgjatur edhe më shumë. Nga ana tjetër, ndërsa në vendim bëhet fjalë për vjedhje e humbje që reflektohen në bilancet financiare të supermarketit, gjykatat spanjolle i kanë konsideruar veprimet e kërkuesve si “vjedhje në përmasa të vogla”, e të tjerë.

Sidoqoftë, pavarësisht kritikave, vendimi është i Dhomës së Madhe të GJEDRNJ, ndaj duhet respektuar me rigorozitet. Aq më tepër që përmes tij synohet të gjendet një balancë sa më e drejtë mes të drejtave të ndryshme themelore që ballafaqohen në rastin konkret. Megjithatë, e rëndësishme është që këto rregullime të marrin në konsideratë në vijimësi zhvillimet bashkëkohore. Jeta njerëzore ka nevojë gjithnjë për privatësi, ashtu siç ka nevojë edhe për mbrojtjen e garantimin e pronës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura