“Jeta juaj nuk duhet të lidhet vetëm me klasën dhe telefonin, por dhe me punën e duarve”, Rama: Program për artet dhe zejet në të gjitha shkollat

Oct 19, 2021 | 17:14
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të projektit të qeverisë për të hartuar Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029), është ndalur ditën e sotme në Durrës, ku ka zhvilluar një takim me nxënës të shkollave të ndryshme të qytetit.

Rama

Teksa dëgjoi problematikat e të rinjve, Rama bëri me dije se gjatë diskutimeve të projekt buxhetit ditën e sotme, u parashikuan dhe investime në klasat e informatikës dhe përmirësimin e laboratorëve shkencorë.

Kryeministri u fokusua dhe te plani për futjen e programit të zejeve dhe sportit në shkolla, në mënyrë që jeta e të rinjve të mos jetë vetëm në klasë dhe në i-phone, por të lidhet dhe me punën e duarve dhe kreativitetin artistik.

“Faleminderit shumë për mundimin dhe kontributin tuaj. Duhet t’ju them se pa asnjë dyshim gjithë ky cikël takimesh që janë organizuar nga ministrja e Rinisë në të gjithë Shqipërinë, ku unë kam patur rastin të marrë pjesë në disa prej tyre, për hir të së vërtetës është shumë interesante që njerëz që nuk e njohin njëri tjetrin, vajza dhe djem në qytete të ndryshme, por që janë në shkollë dhe në të njëjtën moshë, adresojnë çështje që janë të njëjtat.

Pa dyshim që ka dhe opinione të veçanta që nuk janë pjesë e opinioneve apo qëndrimeve të përbashkëta. Për t’ju demostruar një fakt nga takimi i sotëm, unë erdha pak me vonesë, por nuk ishte vonesë, ishte pamundësi për arsye pune, pasi jemi marrë sot me projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm Po jua them këtë se shqetësimet e këtyre takimve janë diskutuar me anëtarët e kabinetit për tu përfshirë në projekt buxhetin e vitit të ardhshëm.

Një nga çështjet që u prek dhe këtu është cilësia e ulët e mësimit të informatikës, pasi klasat e informatikës janë të një cilësie të ulët, ku nuk duhet të mësohet mekanikisht dhe teorikisht, por praktikisht.

Një temë tjetër që u diskutua është cilësia e mësimit në laboratorë, pasi laboratorët nuk janë të pasur dhe nxënësit ankohen për një mësim jo motivues që mund t’i nxisë ata të mësojnë më shumë. Një temë tjetër është tema e edukimit mjedisor. Këtu dëgjova për vullnetarizmin dhe për edukimin mjedisor. Është për të ardhur mirë ky shqetësim.

Po ashtu një tjetër temë që këtu mbase është edhe pak e lidhur me mjedisin ku jemi është tema e programeve artistike mbas mësimit, ku dikush ngriti çështjen e profilit muzikor, për shkak të lëndës që ka zgjedhur apo lidhjen me solfezhin, ndërkohë që kudo shqetësimi për karrierën është gjithmonë një problem. Ku lidhet e gjitha kjo rezyme që unë bëra.

Lidhet pasi sot ne vendosëm që në buxhetin e vitit të ardhshëm të adresojmë çështjen e mësimit në laborator dhe mësimin e informatikës. Ne do fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave, me qëllimin që plotësimi i laboratorëve mos të jetë një objektiv afatgjatë, por një objektiv afatshkurtër, ashtu edhe për mësimin e informatikës.

Ne sot kemi diskutuar vendosjen në dispozicion të programit të arteve dhe të zejeve në të gjitha shkollat, jo vetëm në ato profesionale, të një financimi të veçantë, ku do të përfshihen dhe vullnetarizmi.

E tha shumë bukur një nga vajzat këtu që jeta e të rinjve të mos jetë e mbyllur në klasë dhe në kutin e i phone-it, por të jetë e lidhur edhe punën e duarve, kreativitetit artistik dhe dëshirën qytetare për t’u aktivizuar në punë në të mirë të komunitetit”, tha Rama.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura