Jeta e Skënderbeut, historiani flet në Panorama TV: Këto janë momentet kyçe që duhet të sqarohen. Defteri që do të sjellë një përparim për njohjen e tyre

Jan 17, 2023 | 17:55
SHPËRNDAJE

Historia për jetën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu ka nevojë të sqarohet në disa momente të veçanta të saj. Kështu ka deklaruar në studion e Panorama TV, historiani i njohur Ferit Duka.

Në një bisedë me moderatoren Ada Hazizolli, Duka u shpreh se në histori ka disa boshllëqe serioze që lidhen ne historinë e Skënderbeut, duke cekur momentin kur ai shkoi në Stamboll si dhe kohën sa qëndroi atje.

“Nëse sot shtrohet se çfarë duhet të dimë më tepër për Skënderbeun. Ka disa boshllëqe që janë serioze që lidhen me rininë e Skënderbeut. Ngjarje dhe momente të tilla, kur shkoi Skënderbeuy në oborrin e sulltanit që e dorëzoi i ati. Ka nevojë të sqarohen momente të tilla. Kur shkoi, sa qëndroi. Po ashtu edhe momente të tjera të rëndësishme. Edhe disa aspekte sociale. Të vetë zhvillimeve që çuan drejt epopesë së madhe të Skënderbeut. Është e nevojshme të thellohen kërkimet por një rol të madh ka këtu edhe fati. Defteri i tokave të Gjonit po të gjendet do të sjellë një përparim të dukshëm në njohjen për aspekte shumë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së Skënderbeut”, deklaroi ai në Panorama TV.

Duka theksoi se Skënderbeu është figura shqiptare më e popullarizuar në botë, që ka gjetur reflektim në literaturën shkencore, historike të huaj.

“Sigurisht që në këtë datë përkujtimore, 555-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, ne krahas nderimit për heroin, për atë që ai bëri në interes të popullit dhe kombit shqiptar ne verifikojmë dhe shohim veten tonë. Historianët shohin punën e tyre që shkrimi i historisë të ecë në ato drejtime që janë edhe sot e kësaj dite deficitare. Skënderbeu për shkak të efektit që pati lufta e tij, shembulli i tij në botën e qytetëruar, në kujtesën e shqiptarëve, pa dyshim që është figura shqiptare më e popullarizuar në botë. Skënderbeu është personazhi që ka gjetur reflektimin më të madh në literaturën shkencore historike të huaj. Është një figurë e cila ndoshta që pas mbarimit, shekullit XV, ka gjetur një jehonë të madhe.

Skënderbeu është figura dhe personazhi me pasqyrimin më të madh në literaturën shkencore. Është trajtuar gjerësisht deri në atë masë sa literature klasike që janë shkruar për Skënderbeun e kanë ezauruar historinë e tij. Historia e Skënderbeut ka një rëndësi të madhe por nuk është se ka sjellë element të rinj dhe domethënës në njohjen e historisë së Skënderbeut”, u shpreh historiani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura