Jeta e menaxherit të VIP-ave mes familjes dhe biznesit, Alessio Aliaj rrëfen: Do bëhem baba për herë të tretë. Këshillat për ata që synojnë tregun ndërkombëtar

Feb 16, 2020 | 21:56
SHPËRNDAJE

Modeli i famshëm shqiptar, Alessio Alia, do të bëhet baba për herë të tretë në korrik, pas vajzës dhe djalit. Alessio, i cili ka krijuar një familje të mrekullueshme në Australi me partneren e tij Katherine, zbulon detaje nga jeta e tij si biznesmen dhe menaxher VIP-ash dhe arsyeja pse nuk i mungon aspak jeta e beqarit. 

Ai rrëfen për “Panorama Plus” strategjinë për të bërë të famshëm në kontinentin e largët që ai e quan fundi i botës, këngëtarët shqiptarë, duke e nisur me Ledri Vulën e Noizyn.

Të kemi parë këto kohë afër Ledri Vulës në Australi. Ti e organizove koncertin e tij dhe sa e mundur është që të bëhesh menaxheri i tij pas shkëputjes nga Faton Shoshi? 

Alessio Alia: Në radhë të parë, unë organizova një “club show” për herë të parë që shqiptarët në Australi, pasi dihet që askush nuk ka arritur kurrë ta realizojë një të tillë këtu. Kanë bërë dhe bëjnë festa shqiptarësh në zonat larg qyteteve, thjesht bankete dhe kaq. Por unë, ngaqë merrem me evente të jetës së natës, befas më kapi inati kur isha i ftuar te një natë greke që organizonte një grek, i cili punon për mua.

Ai më pyeti si ka mundësi që ju shqiptarët s’keni bërë asnjëherë “albanien night” në club, siç bëjnë italianët, grekët, serbët, latinët etj. Vetëm ky ishte synim i im e asgjë më shumë, pra t’i mblidhja të gjithë bashkë e t’u tregonim racave të tjera që jemi edhe ne. Kështu, organizova një superevent, me një superkëngëtar dhe person, siç është Ledri Vula. Kjo ishte ajo që unë dëshiroja dhe jo të bëhem menaxher i askujt se nuk më intereson aspak, përveçse kam një shoqëri të mirë me Ledrin.

Ndërkohë, edhe Noizy ka njoftuar koncert në kontinentin ku jeton ti. Je ti organizatori sërish? 

Alessio Alia: Siç ta thashë më parë, unë po e grumbulloj këtë rini të bukur shqiptare këtu në fundin e botës, t’i mbledh bashkë dhe të fus kulturën e muzikës shqiptare në jetën e natës australiane, ngaqë shumë australianë i kam në agjencinë time dhe kur unë pëlqej një muzikë, ata e luajnë edhe në shumë vende të tjera. Edhe sikur të mos jetë natë shqiptare, ata e luajnë, ashtu si luhen këngët e Ledrit në shumë clube si: “Rio”, “Princes Dajana”, apo dhe këngë të disa këngëtarëve si Era Istrefi e disa të tjerëve.

Ndërkohë, “Australia Easter Weekend” do të bëjë një natë edhe me Noizyn. Do të pyesni ju pse Ledri dhe Noizy? Pse janë dy këngëtarët më “in” dhe në modë të këtyre viteve të fundit, kanë hite dhe dëgjohen gjithandej. Ndaj dua të bëj një superparty me Noizyn “Vegas Stile”, baby YES!

Cilët janë këngëtarët e tjerë shqiptarë që kanë arritur të prekin Australinë me famën e tyre? 

Alessio Alia: Siç e dini dhe ju Dua Lipa, por shumë nuk e dinë që ka origjinë shqiptare, pra është nga Kosova. Rita Ora po ashtu, për të cilën pak e dinë që ka origjinë shqiptare. Por për artistët që vijnë nga Shqipëria do punoj unë t’i fus emrat e tyre në tregun australian, siç bëra me Ledrin, Noizyn dhe të tjerët një nga një. Kam synim ta bëj muzikën shqiptare “new stile” për Australinë. (qesh)

Me njohjet që ti ke në botën e showbizz-it botëror, sa i mundur është një duet me një emër të famshëm botëror dhe cili artist nga Shqipëria ta ka kërkuar një ndërmjetësim? 

Alessio Alia: Nuk është aspak e vështirë, vetëm se këngëtarët tanë shqiptarë apo kosovarë janë shumë të angazhuar me këngët shqip dhe turet e tyre, pasi akoma punët e tyre i bëjnë më shumë vetë e nuk ua bën kush, sepse jemi ende shumë pas në shumë gjëra. Menaxherët janë shumë të lodhur në Shqipëri e Kosovë dhe këngëtarëve u bie gjithë puna në kokë, nga klipet, turet, veshjet, sponsorët, reklamat e deri te look-u. Dhe pastaj nuk u del koha që të arrijnë në një tjetër nivel, pra të bëjnë këngë me një artist të huaj. Për shembull, unë mendoj që Ledri mund të shpërthejë shumë më shumë në botën e muzikës botërore, pasi ka një talent të veçantë.

Po jeta jote private, si po shkon në Australi? Të ka shkuar në mendje ta lësh atë vend dhe të kthehesh në Shqipëri, duke qenë se verën e kalon këtu çdo vit? 

Alessio Alia: Unë e dua shumë këtë vend, dyfish, sepse kam dy fëmijë dhe i treti në ardhje, kështu që s’e lë dot. Por zemra ime është në vendin tim dhe të gjithë e dinë se si jam i djegur dhe i përvëluar për vendin tim.

E di që njerëzit duan të ikin nga atje dhe i kuptoj totalisht, por ne që kemi bërë një jetë të re në mërgim duam të rikthehemi në vendin tonë dhe të bëjmë diçka për vendin tonë. Kemi gjithmonë mundësi të bëjmë diçka të bukur për ardhjen tonë, se një jetë kemi, jo 100!

Siç the më sipër, po prisni fëmijën e tretë. Po ia plotëson dëshirës partneres për të pasur shumë fëmijë?

Alessio Alia: Po, siç e thashë më sipër, po pres fëmijën e tretë të lindë në korrik. Faleminderit Zotit të madh për këtë dhuratë! Për mua, familja është ajo që çdo herë mendoj kur rikthehem në shtëpi nga turet, e pres me padurim rikthimin pranë saj. Mezi pres të puth gjithë familjen time, ngaqë ka 33 vite që më mungon familja ime dhe tani e shoh sa paskam humbur pa atë dashuri, që s’paska gjë më të bukur “love”.

Tani që po provon jetën e familjarit, të merr malli për jetën e beqarit?

Alessio Alia:  Jo, se jeta ime është si beqar, ngaqë jam jashtë gjithmonë. Ndaj nuk më ka marrë malli aspak për atë jetë të them të drejtën.

Ndodh që të të gjuajnë vetë femrat dhe, a ka raste kur tundohesh? 

Alessio Alia: Unë them sa mirë që i kemi femrat të na gjuajnë vetë, se pastaj dhe jeta e natës bëhet e mërzitshme. Them se është një sport që duhet ta dish ta luash pa vrarë askënd. Është vetëm një lojë, që mund ta quajmë “Gjuaje, po mos u nxeh!”

Për modelet që duan të provojnë tregun ndërkombëtar, çfarë këshille do t’u jepje ti nga eksperienca? 

Alessio Alia: Vetëm një këshillë u jap, mos të mendojnë që jeta e tyre është vetëm modë. E para, të mësojnë nga çdo punë që bëjnë, sepse shumë rrugë të tjera u hapen nga moda. E dyta, të mendojnë kush ishin dje dhe kush do jenë ditën e nesërme, kaq të kenë para dhe pastaj do të arrijnë ëndrrat e tyre. Vetëm shëndetin të kenë se të gjitha i arrijnë. /Nga Klotilda Harka – Panoramaplus.al

     

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura