“Jeni të pafytyrë”- Deputeti demokrat akuzon PS-në: Votuat një kandidat të “non gratës”! Bushka: Mos na bëni gjyqin

May 27, 2022 | 11:36
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve është shoqëruar me debate të ashpra, pasi mazhoranca miratoi disa kandidatë për t’i kaluar Kuvendit për anëtar të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit.

Mes tyre është edhe Simon Miraka, i propozuar edhe me firmën e Sali Berishës. Kjo e ka bërë deputetin demokrat, Gazment Bardhi që të reagojë ashpër, duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës së janë të pafytyrë.

Ndërkohë nga ana e saj, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka i tha se kandidati në fjalë ka marrë edhe firmën e deputetëve të tjerë të opozitës.

Bardhi: Ju nuk ishit këtu, ja kishit deleguar drejtimin kolegut Ndreca. Ajo që ndodhi para 5 minutash tregon babëzinë që keni ju për të kapur cdo institucion;. Ne tani do flasim për administratën publike, por në fakt ju nuk keni lënë administratë publike në këmbë pa e politizuar. Edhe një institut që është ngritur me vullnet të përbashkët, ju vini këtu për të verifikuar kriteret ligjore dhe zotërinjtë që votuat kundër i plotësojnë kriteret ligjore. Jeni edhe të pafytyrë sepse keni bërë një betim që nuk do votoni asnjë person që propozohet nga non grata, nga Berisha dhe sapo votuan një person që e ka propozuar Berisha. Ju jeni të pafytyrë. Ju tjetër gjë thani dhe tjetër gjë bëni. Sapo votuat një person…mos ma hiq të drejtën e fjalës. Po ju tregoj se çfarë përfaqësoni ju.

Vini këtu dhe thoni që duam të bashkëpunojmë me opozitën për të krijuar institucione konsensuale sepse ajo është një temë që ka nevojë për konsensusin dhe mbështetjen e gjithë Shqipërisë. Nuk mund të jetë vota juaj dhe mbështetja e non gratave që përcakton përbërjen e institucioneve publike. Tani dilni dhe shpjegojini shqiptarëve pse i mashtroni kur thoni që nuk votojmë me firmat e non gratave dhe ngrini dorën rresht. E dini pse? Sepse nuk lexoni, por merrni vetëm urdhra. Jeni betuar, çdo dokument që propozohet nga non grata nuk merret në konsideratë.

Bushka: Kandidati për të cilin flisni ka mbështetjen edhe të deputetëve tuaj, jo non gratave. Kështu që duhet të kishit bërë vetë verifikimin përpara se të vinit këtu të na bënit gjyqin ne.

Me shumicë votash, kandidatët që do ti kalojnë Kuvendit për votim janë:

Altin Hoxha

Gentian Sula

Simon Miraka

Albert Nikolla

Ndërkohë që u rrëzuan kandidaturat e:

Marcel Hilës

Besim Ndregjonit.

Gjergj Markut

Skender Vrionit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura