“Jemi të qetë, kthehemi me fitore nga Vlora”, sulmuesi i Lushnjes: Presioni mbi Flamurtarin, triumfojmë për… premion

May 7, 2021 | 17:02
SHPËRNDAJE

Lushnja ka siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë, ndaj javët e fundit i luan për “qejf”. E megjithatë, një motiv për të fituar e kanë. Bashkia akordon premio në transferta, ndaj verdhejeshilët do të udhëtojnë në Vlorë për të marrë pikët dhe… paratë. Ky do të jetë udhëtimi i fundit i lushnjarëve, ndaj është shansi më i mirë për të mbushur “xhepat”. Janë jo pak, por nga 150 mijë lekë për çdo lojtar. Këtë e pohon edhe sulmuesi Vilfor Hysa, në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Ai paralajmëron kthesën në këtë ndeshje, ndërsa hapur e thotë që presioni është mbi Flamurtarin.

vilfor hysa

“Jemi përgatitur gjatë gjithë javës dhe mendoj se jemi gati. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, ndonëse duket sikur luajmë për ‘qejf’. Ne tashmë luajmë për prestigj, për të siguruar vendin e parë të zonës ‘play out’. Jemi të qetë, derisa u bënë javë që e kemi siguruar qëndrimin në këtë kategori. Presioni është mbi Flamurtarin, që do të blindojë pozicionin që ka në renditje dhe kap ndeshjen shtesë.

Jemi të motivuar, përtej të gjitha kushteve. Sikundër edhe dihet, ne kemi edhe premio për ndeshjet në transferta. Do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe besoj se do të fitojmë kundër Flamurtarit”, përfundoi 31-vjeçari. Lushnja do t’i bëjë llogaritë me mungesa edhe në këtë 90- minutësh.

Nëse Bejko u bë kohë që nuk luan për shkak dëmtimi, Mone është i skualifikuar. Verdhejeshilët janë ndeshur tri herë me Flamurtarin këtë sezon dhe kanë arritur dy fitore dhe një barazim. Ky është takimi i katërt mes këtyre dy ekipeve dhe për Lushnjën edhe e fundit në transfertë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura