“Jemi shumë të fortë”, heroi Nonato: Dua të fitoj “Këpucën e Artë”! “Suksesi i Erzenit vjen, sepse…

Jan 31, 2023 | 23:55
SHPËRNDAJE

Patrik Nonato rikthehet të bëjë heroin e Erzenit. Sulmuesi brazilian shënoi dy gola në fitoren e djeshme ndaj Vllaznisë, duke qenë protagonist kryesor në “Niko Dovana”. Paraqitja e tij ka bërë që në Shijak të kenë tashmë një idhull.

Nonato

Pas përfundimit të ndeshjes me shkodranët, tifozët nisën të thërrasin në kor emrin e tij, por edhe të brazilianit tjetër, Enk. Sulmuesi 25- vjeçar ka ardhur në Shqipëri bashkë me familjen dhe prej disa muajsh po qëndron në Shijak.

Pas takimit të djeshëm ai foli për “Panorama Sport”, duke treguar për emocionet e fitores me Vllazninë, por jo vetëm. “Në ndeshjen e kaluar me Tiranën humba disa raste dhe u mërzita disi, pasi nuk e meritonim atë rezultat.

Megjithatë, mblodhëm forcat dhe mendoj se bëmë një ndeshje të madhe me Vllazninë. Jam shumë i kënaqur për mënyrën se si shkuan gjërat në këtë takim. E nisëm me gol dhe e administruam mirë rezultatin. Unë mendoj se i gjithë ekipi ka luajtur shumë mirë. Kemi pasur edhe mungesa, por ajo që dua të theksoj është se tek Erzeni të gjithë sakrifikojnë. Kjo na bën ne një skuadër shumë të fortë dhe unë kam bindjen se do të vazhdojmë me fitore”, ka thënë braziliani.

GOLAT

Me tetë gola, po aq sa Florent Hasani i Tiranës, por edhe me faktin se rivalët e tij për “Këpucën e Artë” si Redon Xhixha dhe Xhuljano Skuka janë larguar tashmë nga kampionati shqiptar. Nonato beson se i ka të gjitha mundësitë për të fituar trofeun e golashënuesit më të mirë të Superiores në sezonin e tij të parë në Shqipëri.

Nonato2

“Jam i lumtur që po shënoj rregullisht dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua në këtë moment. Fakti që skuadra po luan mirë dhe po marrim pikë më motivon edhe më shumë. Duke parë mundësitë që kemi, besoj se do të jem deri në fund në garë për të fituar ‘Këpucën e Artë’. Nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe ekipet e tjera kanë sulmues cilësorë.

Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe është herët të flasim. Rëndësi ka që ne të vazhdojmë me rezultate pozitive, sepse edhe golat do të vijnë. Jemi në formë të mirë dhe vërtet po kalojmë një moment të lumtur bashkë me tifozët tanë.

Ata po na mbështesin shumë dhe ne ndihemi si në shtëpinë tonë tashmë. Jemi katër brazilianë dhe kjo e bën më të lehtë për të gjithë. Më bëhet qejfi që tifozët u kënaqën, sepse mbështetja e tyre ka qenë shumë domethënëse deri në këtë pikë”, përfundoi sulmuesi.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura