“Jemi gati për të gjitha skenaret”/ Agron Duka: Vullneti i Ramës të heqë koalicionet, mos të hapë listat. Do të gjejmë zgjidhjen që…

Sep 24, 2020 | 18:44
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/Për kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, vullneti i kryeministrit Edi Rama është të heqë koalicionet dhe të mos hapë listat. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Duka tha se drafti i opozitës është i qartë prej kohësh, lista 100% të hapura dhe ruajtje e koalicioneve. Megjithatë, sipas tij asnjë hap nuk mund të hidhet më tej pa një asistencë të ODIHR-it.

Duka tha se opozita është e përgatitur për të gjitha skenaret e mundshme, megjithatë sipas tij, edhe nëse nuk do të lejohen koalicionet do të gjendet një zgjidhje për të maksimizuar votën e opozitës së bashkuar.

agron-duka-zyre-copy

Këshilli politik po dështon të gjejë një konsensus për koalicionet dhe hapjen e listave, sipas jush a duhet te çojë opozita një draft?

Agron Duka (Kryetar i PAA): Drafti ynë është i qartë prej kohësh, lista 100% të hapura dhe ruajtje e koalicioneve. Megjithatë, asnjë hap nuk mund të hidhet më tej pa një asistencë të ODIHR-it. Qytetarët e kanë të qartë tashmë se drafti i propozuar nga PS-ja është një tallje e madhe, e cila ekspozon vullnetin për të hequr koalicionet dhe për të mbajtur listat e mbyllura. Me një mazhorancë që është e pasinqertë, kërkohet një arbitër ndërkombëtar si ODIHR për të mos lejuar keqpërdorimin e Reformës nga një pushtet që ka në mendje mbijetesën në karrige dhe jo demokratizimin e jetës politike.

Ndërkohë në mbledhjen e konferencës së kryetareve në kuvend u futën në rend dite dy draftet për hapjen e listave, që do të thotë se kodi mund të ndryshoj pa konsensusin e opozitës politike, çfare do bëni ju nëse kjo bëhet fakt?

Agron Duka: Duhet të bëjmë të qartë një gjë shumë të rëndësishme për të gjithë opinionin publik, çdo hap i mëtejshëm me këtë palo draft, pa konsensusin e opozitës, do të përkthehet në një bllokim ndërkombëtar të Shqipërisë. Kushti numër një për negociatat është një reformë zgjedhore konsensuale, dhe mazhoranca këtë e di mirë. Dhe nëse vijojnë në këtë rrugë, duke ditur pasojat për Shqipërinë, do të jemi përballë një vendimi të qëllimshëm antikombëtarë, që pëprara interesave të shqiptarëve, vendos interesat e partisë. Ne do të përpiqemi ta ndalim këtë marrëzi të radhës, me çdo mjet kombëtarë dhe ndërkombëtar. Frika e mazhorancës nga zgjedhjet, nga humbja e sigurt, nuk e mban dot peng Shqipërinë.

Pas mbledhjes së këshillit politik, kryedemokrati Basha ju thirri ju si aleatë në nëj takim, çfarë diskutuat? A diskutuat për një plan “b” nëse listat “hapen” në këtë formë dhe koalicionet hiqen?

Agron Duka: Sigurisht ne po bëhemi gati për të gjitha skenarët e mundshme. Interesi i Ramës është të bllokoj opozitën te skemat politike, ndërkohë që koha kalon dhe zgjedhjet afrohen. Prandaj ne nuk kemi humbur kohë, po merremi me fushatën tonë, secila parti është duke përgatitur ekipin dhe programin për 25 prillin. Cdo strategji ka komponentin e saj të konfidencialitetit, megjithatë ajo që qytetarët duhet të dijnë është se ne, në cdo mënyrë, pavarësisht pengesave artificiale që po na krijohen, do të jemi në zgjedhje alternativa që jo vetëm do t’ju ofrojmë programin më të mirë për të lënë pas krahëve këtë periudhë të errët për Shqipërinë, dhe gjithashtu, me mbështetjen e qartë të aleatëve tanë europianë, do të çelim brenda vitit të parë negociatat duke mbajtur tryezën ndërqeveritare sapo bllokuesit e integrimit të kenë lënë zyrat e shtetit.

Si do të hyjë në zgjedhje opozita e bashkuar nësë nuk lejohen koalicionet tradicionale?

Agron Duka: Ne po i shohim të gjitha skemat e mundshme dhe në një mënyrë apo në një tjetrën, do të gjejmë zgjidhjen që maksimizon votat e opozitës. Ne si PAA kemi përcaktuar vizionin dhe objektivat tona për 25 prillin dhe jemi në gjendje t’i përshtasim me kodin e ri zgjedhor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura