Flet vajza që denoncoi Shukri Xhelilin: Pse e filmova edhe në hotel

May 19, 2016 | 9:20
SHPËRNDAJE

Anisa është vetëm 20 vjeçe. Ka mbaruar gjimnazin në Peshkopi dhe prej 3 muajsh është me detyrë magaziniere në Qendrën Kulturore të qytetit. Vendin e punës ia ka dhënë vetë ish-kreu i Bashkisë, Shukri Xhelili, tashmë i arrestuar për abuzim seksual ndaj saj.

anisa-alla

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Anisa A. rrëfen historinë që tronditi vendin pak ditë më parë dhe që atë vetë sot e pengon që të shkojë edhe në punë.

Ishte pikërisht përfitimi i këtij vendi pune, “monedha” që Shukri Xhelili përdori në këmbim të kërkesës së vazhdueshme për favore seksuale ndaj Anisës. Ajo thotë se, e ndodhur në këtë situatë, vendosi ta demaskojë.

“Qenke shumë vajzë e bukur dhe e zgjuar. Kush nuk do të të fuste ty në punë…?”. Me këtë mesazh në Facebook nga Xhelili, ka nisur historia e ngacmimeve seksuale, që Anisa është detyruar t’i përballojë, deri kur e filmoi me zë e figurë në tri vende. Në zyrë, makinë dhe në hotel.

Çfarë shkolle keni mbaruar?

Kam mbaruar gjimnazin në Peshkopi.

Tani kërkonit punë?

Po, vendosa të kërkoj një punë në Bashki.

Si e kërkuat këtë punë?

Që në momentin e parë, mendova t’i shkruaja në Facebook Shukri Xhelilit. Kjo sepse nuk mund t’i shkoja direkt në zyrë, pa lënë më parë një takim me të. Ai ishte kryetar Bashkie dhe normal që nuk do të më priste.

I shkruat në Facebook. Ju ktheu përgjigje?

Po, më ktheu. Më la takim te zyra.

Përgjigjja ishte zyrtare, formale, apo që aty pati ndonjë ngacmim nga ana e tij?

Jo, jo. Ishte një përgjigje zyrtare.

Në çfarë periudhe ka ndodhur kjo? Kur i keni shkruar për herë të parë?

Në muajin shkurt të këtij viti.

Më pas e takuat te zyra. Çfarë ndodhi?

Po, e takova te zyra. I thashë çfarë problemi kisha, pra që kërkoja punë. Më tha që do të më njoftonte vetë. Ose në Facebook, ose në telefon.

Kur ishte komunikimi i radhës me të?

Kaluan 2-3 ditë dhe i shkrova prapë unë. I thashë se çfarë po vendoste për atë që më tha. “Hajde takohemi te zyra. Flasim te zyra”, më tha.

Shkuat?

Po, shkova dhe në ato momente…

Çfarë bëri?

Ngrihet, më takon, më buzëqesh… Pastaj më thotë: “Do rregullojmë gjithçka”.

Ju ngacmoi në këtë takim?

Jo.

Po më pas?

Pastaj vazhdoi në Facebook.

Vetëm në Facebook, jo në telefon?

Edhe në telefon, por më shumë në Facebook.

Çfarë ju thoshte në këto biseda?

Më garantoi që do të ma gjente punën.

Ju tha se çfarë pune do t’ju gjente?

Jo nuk më tha, por më tha që do të më gjente punë.

Ngacmimet kur filluan?

Pasi më tha që do ma gjente punën, filloi të më ngacmonte në Facebook. Më thoshte fjalë të ndryshme.

Çfarë fjalësh ju thoshte?

Më tha: “Qenke shumë vajzë e bukur dhe e zgjuar. Kush nuk do të të fuste ty në punë…?”. Më pas, pasi më kërkonte vazhdimisht takime dhe unë i thosha që nuk e takoja, më tha: “Unë do ta gjej punën dhe atëherë do të takohemi”.

Sa zgjati koha që ai vazhdoi t’ju ngacmojë?

Pothuajse 2-3 javë ka zgjatur.

Ju a kishit dëgjuar gjatë kësaj kohe që ai kishte ngacmuar në këtë formë edhe vajza të tjera para jush dhe i kishte futur në punë në këtë lloj forme?

Po, kisha dëgjuar. Pasi e pashë që ai nuk do ma jepte punën nëse nuk i bëja atë që tashmë quhet “favor seksual”, vendosa të bëj këtë që bëra.

Si e regjistruat?

Pasi shkova te zyra e tij, sepse më kishte thënë që të shkoja, duke më thënë: “Do emërohesh sot”. Ishte ditë e hënë, e bëra regjistrimin. Atë ditë që do të firmosja kontratën, e filmova me kamerë.

Në atë moment vendose ta filmoje?

Jo, e kisha menduar më përpara.

Me këtë celular që keni tani e filmuat?

Jo, me një tjetër. Pasi e filmova, vendosa ta denoncoj me video tek “Ora News”.

Pse pikërisht aty?

Po sepse atë televizion kisha hapur në atë moment që më erdhi ideja për ta denoncuar. Pashë që aty dilte vazhdimisht një numër telefoni, për të denoncuar raste të tilla dhe tek ai numër mora në telefon dhe m’u përgjigjën me gjithçka.

Momenti ku shfaqeni në makinë me të, keni qenë në Tiranë. Ishte po atë ditë që e filmuat në zyrë?

Jo, jo, ka qenë moment tjetër në Tiranë. Në Tiranë kemi qenë pas 2-3 ditësh nga takimi në zyrë.

Ju kishit dy video që e kishit filmuar Shukri Xhelilin duke ju kërkuar favore seksuale. Në zyrë dhe në makinë. Përse vendosët që ta filmonit edhe në hotel? Pse donit të shfaqej në televizion edhe ai moment?

Duhej të shfaqej që ta kuptonin të gjithë qëllimin e tij. Pra që ai qëllimin e tij donte ta çonte deri në fund. Dhe që nuk i kishte vetëm fjalë ato që bënte.

Para se t’i drejtoheshit televizionit, e kishit menduar ndonjëherë që ta denonconit në Polici Shukri Xhelilin?

Jo, nuk e kam menduar.

Pse?

Nuk kisha besim.

Apo e dije që ka mbështetje?

Mbase edhe kjo.

Prej sa kohësh ju i mbanit këto filmime, para se të shfaqeshin në televizion?

I kisha që para dy javësh. Domethënë dy javë para se të shfaqeshin në televizion.

A ishte në dijeni të këtyre pamjeve Shukri Xhelili, para se të shfaqeshin?

Jo, jo, nuk ka qenë në dijeni.

Po në momentin që u shkëputët dhe nuk e takuat më, nuk ju mori më në telefon?

Jo, thjesht më fshiu nga Facebook-u.

Pse ju fshiu?

Meqenëse nuk i doli ajo që kërkonte, vendosi të më fshinte. Domethënë pasi i ika nga hoteli atë ditë.

Ju kishte shkruar më pasi i ikët nga hoteli?

Jo, nuk më ka shkruar më. Vetëm më fshiu.

A patët frikë në ndonjë moment teksa e filmonit, që ai mund ta kuptonte?

Jo, telefonin e mbaja në dorë, dukej më shumë sikur po luaja me të. Ai as që e ka menduar që unë po e filmoj.

Po te pjesa e filmimit në makinë, pse ishit ulur pas?

Desha vetë unë që të ulesha mbrapa.

Çfarë ndodhi në momentin që u shfaq videoja në televizion?

Nuk jam identifikuar që atë natë.

Por ju keni thënë që keni shqetësime, presione, kërcënime. Kur kanë ndodhur këto?

Të nesërmen. Që kur shkova në punë atë ditë. Filluan përçmimet që në rrugë. Më pas nisën edhe kërcënimet. Njerëz që na vinin në shtëpi, na ndiqnin me makina, mua dhe familjarët e mi. Na vinin fuoristradat poshtë pallatit, kishim frikë të dilnim.

Si ju kanë kërcënuar?

Do t’ju vrasim, do t’ju djegim…”, këto lloj kërcënimesh.

Në shtëpi ju ka ardhur njeri që ju ka kërcënuar?

Po. Më kanë bërë presion që të ndryshoj deklaratën e parë që kam dhënë.

Kush ishin këta persona?

Përveç të tjerëve, që janë mbështetësit dhe bodigardët e Shukri Xhelilit, në shtëpi na erdhën edhe dy gra, që janë të afërmet e Teftës, bashkëshortes së Shukri Xhelilit.

Vazhdojnë edhe sot këto kërcënime? A ndiheni të rrezikuar?

Po, shumë të rrezikuar. Ndihemi shumë të pasigurt, unë dhe familja ime. Pasi ndodhi kjo, atje nuk jetohet më. Por as këtu në Tiranë. Askund në Shqipëri. Ai ka mbështetës dhe njerëz në çdo vend.

Pasi u shfaq videoja, ju thirrën për të dëshmuar në Polici?

Po, më kanë thirrur.

E kërkuan videon si provë?

Jo, nuk më kanë kërkuar asgjë.

Kur vendosët të publikonit videon, e kishit menduar se Shukri Xhelili do të arrestohej?

E vetmja gjë që kisha menduar ishte që ai do të hiqej nga puna. Nuk do ishte më kryetar i Bashkisë së Peshkopisë. E dija që mund ta shoqëronin në Polici, por mendoja që do të dilte dhe jo që do ta fusnin në burg.

Po pasi u arrestua Xhelili mbrëmjen e së hënës, patët ndonjë telefonatë apo kërcënim?

Telefonatë jo, por në momentin që dalim në rrugë, atëherë fillojnë fyerjet, na tregojnë me gisht dhe na kërcënojnë.

Ju jetoni në pallat?

Po, në katin e parë të një pallati pranë spitalit.

Në rast se do t’ju thërrasin për të dëshmuar përballë tij në gjykatë, a do të dëshmoni?

Patjetër që po.

Si e komentoni reagimin në media të bashkëshortes së Shukri Xhelilit?

Nuk mund ta gjykoj gruan e tij. Se çfarë thotë, e di ajo vetë. Është mendimi i saj.

Po për deklaratën e Xhelilit, që e cilësoi sulm politik, çfarë keni për të thënë?

Nuk ka të bëjë fare politika këtu.

Pra nuk ju shtyu njeri që të bënit këtë që bëtë?

Absolutisht askush. Gjithçka e kam bërë me vullnetin tim.

Po familjen, kur e keni vënë në dijeni?

Për mesazhet kanë qenë në dijeni.

Ndërsa për videon e mësuan në momentin që doli.

A i keni dorëzuar në Polici këto mesazhe që thoni?

Nuk m’i kanë kërkuar. Por, megjithatë, unë nuk i kam më. I kam fshirë. Edhe Facebook-un e kam mbyllur.

Po në Tiranë keni ardhur vetë, apo ju thirrën në Prokurori?

Jo, më thirrën në Prokurorinë e Përgjithshme. Për momentin më caktuan një psikologe. Ajo po më ndihmon, pasi jam e traumatizuar nga ajo që ndodhi. Nuk e mendoja që do bëhej kaq e madhe. Në momentin që e bëra atë video, nuk mendova gjatë, nuk e besoja se do bëhej kaq e madhe sa u bë. Thjesht mendova që ai person do të marrë atë që meriton, do të demaskohej dhe kaq. Jo që do arrestohej dhe do të shkonte puna deri këtu ku shkoi.

Këto ditë ka pasur edhe komente të tilla, sikur kjo që keni bërë është disi çështje politike, apo edhe parash…

Jo, absolutisht. Nuk ka qenë as çështje politike, as parash. Ishte thjesht për ta demaskuar atë.

I pari që reagoi pas kësaj ngjarjeje ishte ambasadori amerikan, Donald Lu. Ju keni kërkuar disa herë mbështetjen e kësaj selie diplomatike. A keni pasur ndonjë telefonatë?

Jo, askush nuk na ka telefonuar. Kam një thirrje për ambasadorët e huaj, që të paktën të na mbështesin e të na përkrahin ata.

Aktualisht a jeni në punë?

Po jam, pavarësisht se nuk kam shkuar këto ditë, pasi nuk mundem të shkoj nga shikimet e njerëzve, nga fyerjet, nga kërcënimet.

Ku jeni e punësuar?

Te Pallati i Kulturës. Magaziniere.

Ju emëroi Shukri Xhelili aty?

Po, ai. Por si shpërblim për atë që bëri, pra që më futi në punë, ai kërkonte favore seksuale.

Sa kohë keni që punoni?

Tre muaj kam. Kam marrë dy rroga aty.

Do ta lini punën?

Nuk shkoj dot, se aty më dalin ata të Bashkisë. Nuk kemi më asnjë lloj garancie tani. As unë, as asnjë nga familja jonë.

Keni kërkuar mbrojtje nga Policia?

Po, kemi kërkuar. Por mbrojtja na ka ardhur vetëm një ditë. Ka qenë një makinë civile dhe një punonjës civil që ka qëndruar poshtë pallatit deri në orën 12 të natës dhe pastaj është larguar. Nuk ka ardhur më më pas.

Intervistoi Etleva Delia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura