“Je shkolluar nga Komiteti i Prizrenit”- Përgjigjja e akademikut për Auron Taren: Shumë hamendësime

Jul 7, 2020 | 17:30
SHPËRNDAJE

“Koliqi dhe Camaj ishin për një kohë të gjatë në shërbim të inteligjencës së huaj. Marrëdhëniet e tyre të komplikuara me shërbimet sekrete italiane, amerikane, gjermane, UDB-në.Ardian-Ndreca

Si duhen trajtuar këto figura në dritën e fakteve te reja?” Auron Tare fton përmes këtyre rreshtave lexuesit të shikojnë “anën e pazbuluar” të shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi (si dhe të tjerë emrave të njohur) përmes detajeve që ai sjell në shkrimin e tij “Dritëhije në histori”.

Mirëpo, hulumtimi arkivor në dokumentacione vendëse e të huaja rreth veprimtarisë në shërbim të agjencive të huaja inteligjente të dy shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, për më tepër mënyra sesi ai i sillet publikut nga Tare, duket se kanë irrituar të tjerë studiues. Ndër ta është edhe akademiku i sapozgjedhur, Ardian Ndreca, i cili pretendon se ndryshe nga ç’kërkon të tregojë Tare, “Koliqi dhe Camaj kanë qenë në kahun e drejtë”.pjimage (4)

“S’do ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballek të Auron Tares mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Por ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne, por ka ba detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva, në vend që me vijue me koleksionue gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të Atlantikut.

Fotokopjet e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit, që ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta. Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme e mandej shumë hamendësime, që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi”, shkruan Ndreca.

Studiuesi rendit më tej edhe disa pasaktësi që ka në dokumentet e shqyrtuara nga Tare. “Për shembull, Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943 – e gjithë kjo të ban me mendue se sa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me çfarëdolloj uniforme të ishte vesh ky i fundit!

Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist”, shton ndër të tjera akademiku. Mirëpo, studiuesi Auron Tare ka vijuar më tej replikën me Ndrecën, duke u ndalur në disa aspekte personale të këtij të fundit, si ndryshimi që i ka bërë mbiemrit pasi ka shkuar në Romë dhe fakti që sipas tij shkollimi i Ndrecës është bërë nga ish-anëtarë të Komitetit të Prizrenit (ku edhe Martin Camaj ishte anëtar dhe provave origjinale e fakteve të tërthorta që Tare sjell, ka qenë në shërbim të UDB-së jugosllave.

Sipas tij, ky Komitet “përpos organizimit të një force të armatosur, gati për t’u përdorur në një moment oportun, ishte pikë së pari një organizatë përmes së cilës UDB-ja kishte ndërtuar një rrjet informativ për të depërtuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporën shqiptare, pra një organizatë spiunazhi)”.

“Mësimdhënësit Ndreca (aka Marku) diçka i ka djegur në botimin tim (Dritëhije të Koliqit dhe Camajt), saqë pa gdhirë ka mbushur faqet e portaleve shqiptare me reagime tipike për ata që tallte Ushtari i mirë Shvejk. Nuk dëshiroj fare të merrem me replikë me mësimdhënësit Ndreca (aka Marku), prandaj në këto radhë doja thjesht të mbroja Shvejkun, personazhin komik të fëmijërisë. Sa për Ndrecën, i cili, pasi mbërriti në Romë dhe ndryshoi mbiemrin e fëmijërisë, mund të flas ndonjë herë tjetër, pasi mbështetja dhe shkollimi i tij nga ish-anëtarë të Komitetit të Prizrenit meriton një shkrim më vete”, shkruan Tare.

Lisandri dhe Aristea Kola: Kur mitet përflitenlisandri kola

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, studiuesi dhe poeti Lisandri Kola (bashkautor me Aristea Kolën) reagojnë rreth botimit të Auron Tares “Dritëhije mbi Camajn dhe Koliqin”. “Ju keni nxjerrë dokumente dhe i keni kontekstualizue në nji kah interpretimi, që në dukje përban nji provokacion, që lidhet kryekëput me emnin e dy figurave të randësishme si Camaj e Koliqi, po nuk jua asht ndalë ‘penda’ pa cekë edhe Oroshin, Gjeçajn e Sheldinë, e madje ju vjen habi se pse kanë ndêjtë bashkë. Për tri arsye të thjeshta, zotnia juej. Nji, se janë veriorë, dy se janë katolikë dhe e treta, antikomunistë. E jo për arsye ‘rekrutimi’ si mëtoni ju me ua paraqit lexuesve. Se cilat janë qëllimet ‘e ndershme’ tueja me mprehë lapsin ndaj trinisë së masipërme, këtë ka me e vërtetue koha”, shkruan Kola. Ai thekson më tej se “Se sa ka qenë Camaj bashkëpunëtor i Sigurimit, e tregon arratisja e tij”.

LEXO EDHE Auron Tare: Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, “të pazbuluar” si informatorë të agjenturave të huaja: 250 dollarë në muaj…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura