Javeri, Çeçua dhe hapja e dosjeve

Aug 9, 2022 | 9:13
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

PËLLUMB NAKO

Javeri ka qenë oficer i Sigurimit të Shtetit në një qytet në jug të vendit.

Skrupuloz në profesion, fanatik në besnikërinë ideologjike ai gëzonte një emër të frikshëm dhe për këtë gjë ishte edhe vetë i bindur, por nuk preferonte ta shfaqte. Ishte ai që hartoi dosjen e gjurmimit për Çeçon me dëshmi e përgjime. Ky i fundit, një djalë te të tridhjetat, i sapomartuar, shtatshkurtër dhe trup i lidhur, kishte biografi jo të mirë. Rridhte nga një familje nacionalistësh të dënuar. Natyrë entuziaste, i dëlirë, i sinqertë, Çeçua nuk u arriti t’i bënte mirë llogaritë me kohën dhe sidomos me vendin ku jetonte. Nuk i mbyllej goja për Amerikën, fuqinë e saj të madhe, gjërat e bukura që kishte ky vend. Aq i pakujdesshëm ishte Çeçua për ato që fliste, saqë Javeri nuk pati siklete të mëdha për ta peshkuar, kur ai ligjëronte për këtë vend. Vështirësia e vërtetë për Javerin doli kur u përpoq me të gjitha mënyrat për ta bërë Çeçon bashkëpunëtor. Dhe për këtë i tundte para syve dosjen bashkë me vitet e burgut që do t’i kushtonte. Sa herë që Çeçua jepte përgjigje negative, i nervozuar, Javeri përsëriste thuajse gjithmonë të njëjtën frazë: “Nuk të pëlqen pushteti popullor ty, do Amerikën ti, armikun tonë më të madh dhe më të egër”.

Çeçua nuk pranoi dhe u dënua me 10 vite burg. Pasi bëri pjesën dërrmuese të dënimit, ai u lirua sepse në vendin tonë sapo ishte vendosur pluralizmi. Ardhja në pushtet e PD-së pastroi shumë oficerë sigurimi nga administrata, por sipas ligjit që u hartua në atë kohë, disa syresh u mbajtën në detyrë për arsye pune. Se cilat ishin këto arsye, pak dihen, por Javeri nuk u pushua si shokët e tij. Njëkohësisht, në kuadrin e kësaj reforme në administratë, Çeçua emërohet shef komisariati i Policisë në qytet. Fati e solli të bëhej shefi i Javerit, i cili pas shkrirjes së Sigurimit të Shtetit, ishte emëruar aty si oficer i Policisë Kriminale.

Si gjithë të tjerët e asaj kohe, euforik, i kënaqur me pushtetin që kishte dhe gjithmonë naiv se kohët ishin përmbysur njëherë e përgjithmonë, Çeçua nuk i ra në qafë për asgjë Javerit, por as nuk e pranoi në zyrë kur ky i fundit kërkoi ta takonte. Sigurisht për t’i thënë “se nuk kishte pasur asgjë personale me Çeçon, por koha ishte e tillë dhe ai kishte bërë veç detyrën”. I futur në një zyrë të vogël e plot lagështirë, me makinën e shkrimit para, Javeri shtypte pa pushim shkresat që i vinin, ndërkohë që askush nuk e shihte në sy. Ndaj edhe një ditë, pa pritur e pa pandehur, ai dhe dorëheqjen. Dikush që merrej me biznes kishte nevojë të punonte bashkë me të. Biznesi privat po hidhte hapat e para.

Vitet rridhnin dhe Çeçua po gëzonte një emër shumë të mirë në polici, pavarësisht se nuk kishte filluar karrierën nga Akademia. Në ato vite, madje ai mori edhe një sasi të mirë lekësh si dëmshpërblim për burgun e kryer. Si mjaft shqiptarë të tjerë, në një proces dehjeje, papërgjegjshmërie sociale dhe me siguri absurde, Çeçua nuk i pa fare se sa para kishte marrë, por i hodhi ato pa humbur kohë në një nga firmat piramidale të kohës. Kur ato u rrëzuan e bashkë me to gjithë paratë e shumë viktimave, Çeçon e këshilluan të ndërhynte me ndonjë të njohur te bosi i firmës sepse megjithëse zyrtarisht firma kishte falimentuar, ai vazhdonte të ndante para. Kur Çeçua tha se nuk njihte njeri, këshilluesi i shtiu në vesh se Javeri ishte krahu i djathtë i bosit të firmës. Çeços i dhembën shumë ata para që humbi, u dha lamtumirën, por te Javeri nuk shkoi. Dihet qe qeveria ku Çeçua mori detyrën e shefit të komisariati u rrëzua nga revoltat e viktimave të firmave financiare piramidale. Ky ishte një moment kur Javeri forcoi lidhjet me krahun e ri politike që dukej qartë se do të vinte në pushtet. Ai filloi të qëndronte mjaft pranë politikanëve të atij krahu, të cilët shihnin tek ai një njeri të besuar që mund të kryente çdolloj shërbimi.

Puna e parë që bëri qeveria e sapoardhur ishte ndryshimi i ligjit për ish-oficerët e sigurimit. Ligji la përsëri disa klauzola që askush nuk i verifikoi kur ata u rikthyen në administratë me shumicë. Kurse Çeçua i lirua nga detyra. Ngelur në mes katër rrugëve, ai provon fatin dhe i del lotaria për në vendin e ëndrrave të tij, në Amerikë. Pa e zgjatur, ikën në SHBA-në e adhuruar ku filloi të bëjë një punë të rëndë për moshën që kishte tashmë. Megjithatë, vazhdoi të ishte i njëjti: entuziast, pozitiv dhe punëtor. Vitet vazhduan rrjedhën e tyre dhe Çeçua kalonte ditët duke lyer urat në SHBA, kurse Javeri nga militant partiak i pasur, kalonte në kabinete ministrash sipas uljes dhe ngritjes se individëve të krahut politik ku militonte.

Megjithëse larg, nuk kishte shans që Çeçua të shkëpuste kontaktet me Shqipërinë, ndaj dhe për të parë kanalet televizive shqiptare, u abonua në një link me pagesë. Një ditë, ulur në divan duke ngrënë kokoshka sipas stilit amerikan (siç tregon vetë ai) në një nga kanalet shqiptare, pa të shfaqej para tij Javeri. Me pasion dhe kompetencë profesionale, ai fliste në një studio televizive se cilat ishin rreziqet kombëtare të Shqipërisë duke nënvizuar rëndësinë kapitale që vendi ynë ishte tashmë anëtar i NATO-s, krah për krah SHBA-së, që sipas tij mbetej aleati i përjetshëm i Shqipërisë. Çeços i dhembi, madje më shumë se burgu. Po ç’të bënte?

Historia nuk ka trillime. Ajo tregon ekzaktësisht rrugën që po ndjek vendi ynë nga koha e diktuarës deri në pak ditë më parë kur disa zonja opozitare na shpëtuan nga tranzicioni kur deklaruan se duhet të hapim dosjet pasi në këtë mënyrë mbyllim tranzicionin në Shqipëri. Kurse dikush tjetër tha se dosjet duhen hapur sepse rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare.

Po si mund të bëhen deklarime të tilla kur institucionet publike të vendit tonë nuk kanë pikën e besueshmërisë sepse sistemet politike të ndërtuara deri tani kanë prodhuar vetëm një gjë: Mosbesim? Kur një koloneli të flotës detare, një palë i heq certifikatën e sigurisë sepse është spiun, kurse pala tjetër ia kthen sepse është patriot? Kur, ashtu si Javeri, edhe Kryeministri ynë thotë se i ati i tij ka qenë në anën e duhur të historisë kur firmosi pushkatimin e dy poetëve? Sikur Çeçua të kishte pranuar të kthehej në spiun, sot me siguri ai do të neveritej, por jo Javeri. Hapja e dosjeve, pas lloj-lloj lojërave dhe provokimeve të panumërta me to, duhet bërë me pjekuri dhe besueshmëri absolute për të gjithë. Por në kushtet e një lufte të hidhur për pushtet si ajo që po zhvillohet aktualisht, hapja e dosjeve nuk do të kishte dobi. Ato mund të hapen kur Shqipëria të ketë kohezion të lartë social, kur gjithë grupet e interesit të kenë besim të plotë të njeri-tjetri e për rrjedhim edhe tek institucionet publike dhe jo në një kohë kur institucionet nuk zbatojnë ligjin, por e bëjnë atë sipas interesave të individëve apo korrenteve politike në fuqi. Nuk hapen dosjet për të hequr qafe këtë apo atë politikan, me apo pa të drejtë. Përqendrimi duhet të mbetet te lufta kundër korrupsionit dhe kriminalizimit të shoqërisë shqiptare. Ajo duhet pastruar sepse është rrezik i vërtetë kombëtar. Jo shashkat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura