Java Ndërkombëtare e Parandalimit të Helmimit nga Plumbi/ Cilat janë pasojat shëndetësore të ekspozimit dhe si mund të parandalohet

Oct 26, 2021 | 17:49
SHPËRNDAJE

Lumturi MerkuriEkspozimi ndaj plumbit, veçanërisht në fëmijëri, mbetet shqetësim kryesor për shëndetin publik në të gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka identifikuar plumbin si një nga 10 kimikatet me ndikim kryesor në shëndetin publik. Helmimi nga plumbi dëmton shëndetin, ul inteligjencën dhe shkakton një barrë të madhe ekonomike mbi familjet dhe shoqërinë. Në vitin 2019, ekspozimi ndaj plumbit llogariste 900,000 vdekje në të gjithë botën, për shkak të efekteve në shëndet. Prodhimi dhe shitja e bojës me përmbajtje plumbi lejohet akoma në mbi 55% vende të botës, duke qenë një burim i vazhdueshëm i ekspozimit nga plumbi.

Per të gjitha këto, dhe për faktin që ekspozimi me plumbin e bojrave është plotësisht i parandalueshëm, organizohet çdo vit ndërgjegjësimi për efektet shëndetësore të ekspozimit ndaj plumbit.

 Çfarë është helmimi nga plumbi?

Plumbi është një metal natyral toksik që ka pikë shkrirjeje të ulët, merr formë dhe derdhet kollaj dhe mund të kombinohet me metale të tjera për të formuar aliazhe. Për këto arësye, plumbi është përdorur nga njerëzit dhe është i përhapur në produkte të ndryshme. Përdorimi i tij gjerësisht ka rezultuar në ndotje të madhe mjedisore, ekspozim të njerëzve dhe probleme të rëndësishme të shëndetit publik në shumë pjesë të botës.

Mbasi hyn në trup, plumbi shpërndahet në organe të tilla si truri, veshkat, mëlçia dhe kockat, ku grumbullohet/depozitohet me kalimin e kohës. Helmimi me plumb vjen nga grumbullimi i plumbit në trup gjatë një periudhe të gjatë kohore. Gjithsesi, edhe një dozë e vetme e konsiderueshme mund të vrasë. Sipas raportit të Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, në 2006, një fëmijë parashkollor vdiq ngaqë gëlltiti një copë bizhuterie metalike me përmbajtje të lartë plumbi.

 Burimet dhe rrugët e ekspozimit

Plumbi ka gjetur përdorim të gjerë, në shumë produkte të përditshme, pavarësisht aftësisë së tij helmuese. Njerëzit mund të ekspozohen ndaj plumbit përmes burimeve të ndryshme profesionale dhe mjedisore të shumfishta. Ekspozimi ndaj plumbit ndodh nëpërmjet ajrit (nga smogu), aparatit gastrointestinal (ushqimi, uji), lëkurës (bojrat, pluhuri).

Ekspozimi ndaj plumbit vjen kryesisht nga:

  • Aktivitetet e minierave, shkrirja, riciklimi i metaleve
  • Përdorimi i bojërave e pigmenteve me bazë plumbi për të lyer shtëpitë. Shumë bojrave u shtohet plumbi për të qenë rezistente ndaj korrozionit, të thahet shpejt, të jetojë më gjatë, të duket si e sapo lyer, etj. Boja gjendet në shtëpitë tona, në gjithçka që lyhet, e cila vjetërohet, degradon me kalimin e kohës duke prodhuar pluhur me përmbajtje plumbi. Këto bojra mund të jenë burim ekspozimi për 50-75 vjet.
  • Përdorimi i ujit të pijshëm i marrë përmes tubave prej plumbi apo të salduara me plumb.
  • Përdorimi i benzinës me plumb për automjetet-Plumbi nuk shpërbëhet dhe nuk digjet, prandaj gazi që lëshojnë automjetet me përmbajtje plumbi, thithet gjatë frymëmarrjes
  • Prodhimi i baterive me acid plumbi për automjetet motorike e riciklimi apo djegia e tyre. Një burim i madh plumbi për banorët, janë bateritë që mbajnë në oborret e shtëpive, të cilat i çmontojnë për skrap.
  • Djegia e mbetjeve që përmbajnë plumb e mbeturina të rrezikshme-ata që banojnë pranë landfilleve e vendeve të ndotura kanë më shumë rrisk. Tymi nga djegiet e mbeturinave mund të ndoti ajrin dhe ta transportojë plumbin në distanca të largëta
  • Djegia e mbetjeve elektronike- Plumbi gjendet brenda pothuajse të gjitha pajisjeve elektronike dhe sot në gjithë botën gjerenohet një sasi e madhe mbetjesh elektronike, shumica e të cilave riciklohen. Kur këto mbetje elektronike hidhen e grumbullohen në landfille, shpërbëhen duke ekspozuar plumbin ndaj mjedisit-akoma më keq kur digjen
  • Prodhimi e përdorimi i enëve prej balte/qeramike të veshura me lustër plumbi (plumbi u jep artikujve të argjilës pamje të lëmuar si xham). Ruajtja e ushqimeve acide dhe gatimi në objekte të vjetra e të plasaritura të qeramikës, rrisin sasinë e plumbit që lëshohet nga glazura. Uji i pijshëm që mbahet në poçe argjile që të rrijë i freskët dhe pijet e nxehta që shërbehen në filxhanë të lustruar, janë gjithashtu burim ekspozimi
  • Prezenca e plumbit në disa produkte kozmetike-aftësia e plumbit për të ruajtur ngjyrat e ka bërë që ai të gjejë vend në produkte kozmetike si bojërat e flokëve apo disa marka të kuqi buzësh. Ekspozimi ndonëse në doza të vogla është shumë i dëmshëm nëse marrim parasysh aplikimin e gjerë të produkteve kozmetike. Prandaj, konsumatorët duhet të kujdesen kur blejnë këto artikuj
  • Lodrat janë një burim potencial i ekspozimit të fëmijëve ndaj plumbit për dy arësye: (a) lodra mund të jetë e lyer me bojë plumbi dhe (b) vetë lodra është bërë me plumb.
  • Prezenca e plumbit në zinxhirin ushqimor përmes dheut të ndotur. Më shumë se 80% e marrjes ditore të plumbit vjen nga toka, uji, ajri dhe ushqimi i ndotur me plumb.

Njerëzit mund të jenë në risk të ekspozimit ndaj burimeve të shumëfishta ndaj plumbit.

 Cilat janë efektet/pasojat shëndetësore të ekspozimit ndaj plumbit?

Plumbi akumulohet në trup dhe ndikon në të gjitha organet. Ekspozimi i plumbit mund të shkaktojë dëme shëndetësore në të gjitha grupmoshat, por është veçanërisht i dëmshëm për fëmijët e vegjël. Tek të rriturit plumbi shkakton dëme afatgjatë, përfshirë rritjen e rrezikut për presionit të lartë të gjakut dhe dëmtim të veshkave. Simptomat më të zakonshme të helmimit nga plumbi janë: vjellje, diarre, ngjyrim i dhëmbëve blu në të zi, dobësim i muskujve, anemi, humbje peshe, humbje e orientimit, humbje e memories afatshkurtër, humbje të përqëndrimit, probleme me gjumin, etj.

Ekspozimi i grave shtatzëna ndaj niveleve të larta të plumbit mund të shkaktojë abort, lindjen e fëmijës të vdekur, lindje të parakohshme dhe fëmijë me peshë të ulët në lindje.

Fëmijët e vegjël janë veçanërisht të prekshëm nga efektet toksike të plumbit sepse thithin 4-5 herë më shumë plumb sesa të rriturit dhe mund të pësojnë ndikime të thella e të përhershme negative shëndetësore, veçanërisht në zhvillimin e trurit dhe sistemit nervor. Për më tepër, kurioziteti dhe sjellja fëminore (futja e gjërave në gojë apo pica sindrom) mund të rezultojë në gëlltitjen e objekteve që përmbajnë plumb.

Efektet shëndetësore tek fëmijët

Ekspozimi ndaj dozave të larta të plumbit shkakton helmim akut simptomatik, me dhimbje barku, anemi e dëmtim i sistemit nervor qendror shoqëruar me koma, konvulsione dhe vdekje. Fëmijët që mbijetojnë nga helmimi i rëndë me plumb mund të ngelen me paaftësi intelektuale dhe çrregullime të sjelljes.

Në nivele më të ulëta të ekspozimit, plumbi dëmton sisteme të shumta të trupit përfshirë ulje të funksionit të trurit dhe reduktim të aftësive, që zgjatin gjatë gjithë jetës.

Në veçanti, plumbi mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fëmijëve, duke rezultuar në zvogëlimin e koeficientit të inteligjencës, ndryshime në sjellje si zvogëlimi i vëmendjes, rritja e sjelljes antisociale dhe ulja e produktivitetit në shkollë. Gjithashtu shkakton anemi, dëmtim të veshkave, dëmtim të sistemit imun dhe toksicitet ndaj organeve riprodhuese.

Efektet neurologjike dhe të sjelljes nga ekspozimi ndaj plumbit janë të pakthyeshme. Sa më i lartë ekspozimi ndaj plumbit, aq më i lartë niveli i plumbit në gjak e aq më të theksuara pasojat.

Si mund të kuptojmë që jemi helmuar nga plumbi?

Helmimi me plumb ndodh gradualisht dhe pa shenja dhe është e vështirë që shenjat të lidhen me ekspozimin ndaj plumbit. Ankesat gastrointestinale apo neurologjike të zakonshme mund të jenë të paqarta dhe jo jospecifike. Mund të dyshohet diagnoza e helmimit me plumb në se  njihen burime të mundshme të ekspozimit ndaj plumbit. Burime të tilla ekspozimi përfshijnë cipat e bojës në banesa të vjetra, afërsia me djegien e hapur të mbetjeve ose me riciklimin e baterive të makinave. Kombinimi i simptomave gastrointestinale apo neurologjike, me një histori të njohur ose potenciale të ekspozimit ndaj burimeve të plumbit sugjeron diagnozën.

Nuk ka një nivel kufi, poshtë të cilit plumbi nuk shkakton asnjë dëmtim në zhvillimin e trurit njerëzor

Si mund të mbrohesh prej ekspozimit nga plumbi?

Helmimi nga plumbi është krejtësisht i parandalueshëm përmes një kombinimi të një kontrolli të fortë, veprimit të vendosur të institucioneve, rritjes së dijeve të profesionistëve të shëndetit publik dhe ndërgjegjësimit komunitetit.

Një nga mënyrat për tu mbrojtur nga ekspozimi i plumbit është informimi rreth burimeve të ekspozimit të plumbit dhe shmangia e blerjes së produkteve që mund të përmbajnë plumb. Për shembull, kur konsumatori ble bojë duhet të kontrollojë etiketën për të parë nëse përmendet plumbi.

Nëse dikush është duke planifikuar të rinovojë shtëpinë ose mobiljet e lyera me bojë, dhe mendon se boja origjinale mund të përmbajë plumb, duhet të këshillohen me ekspertë për metodat më të sigurta për heqjen e bojës.

Duhet bërë kujdes gjithashtu kur blihen produkte kozmetike.

Kur blihet një bateri e re makine, ajo e vjetra duhet çuar tek distributori ose tek një fimë e licencuar për riciklim dhe nuk duhet hedhur në mjedise të hapura apo të digjen.

 Meqenëse bojërat me plumb janë një burim i vazhdueshëm i ekspozimit në shumë vende, heqja graduale e tregetimit të bojrave me plumb, është një nga veprimet prioritare për qeveritë.

Heqja e benzinës me plumb në shumë vende të botës, bashkë me masat e tjera të kontrollit të plumbit, ka rezultuar në një rënie të konsiderueshme të përqendrimeve të plumbit në gjak në popullatë. Nga korriku 2021, karburanti me plumb për makina nuk shitet më në asnjë vend në botë. Megjithatë, duhet bërë më shumë për heqjen graduale të plumbit në bojra: deri më tani, vetëm 41% e vendeve kanë vendosur kontrolle ligjërisht të detyrueshme për plumbin në bojra.

Po Shqipëria/ Si është situata lidhur me ekspozimin ndaj plumbit?

Shqipëria ka miratuar qysh në vitin 2003, një VKM nr. 824 dt.11.12.2003 “Për klasifikimin, etiketimin e ruajtjen e substancave dhe preparateve të rrezikshme”. Sipas këtij vendimi, bojrat me peshë të metalit/plumbit kundrejt peshës së përgjithshme më të lartë se 0.155 duhet të kenë të shkruar në etiketë “Përmban plumb, të mbahet larg fëmijëve”. Në rastet e amballazheve që përmbajnë më pak se 125 ml preparat, udhëzimi duhet të jetë “Kujdes! Përmban plumb”. Gjithashtu është përgatitur një rregullore “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve nga risqet e lidhura me agjentët kimikë në punë”, përfshirë plumbin. Po ashtu ekspozimet në vendin e punës nga plumbi trajtohen tek sëmundjet profesionale.

Dr. Lumturi Merkuri

Mjeke, Specialiste e Shëndetit Publik

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura