Java e Parasë/ Guvernatori Sejko: Pandemia shtoi nevojën për edukim financiar! T’i pajisim të rinjtë me…

Mar 24, 2021 | 8:12
SHPËRNDAJE

Me sloganin “Kujdesuni për vete, kujdesu për paratë e tua” startoi dje Java Globale e Parasë, në të cilën iu mëshua fort edukimit të hershëm të të rinjve mbi kulturën financiare për përballimin me sukses të së ardhmes, veçanërisht në kriza si ato që po kalojmë tanimë.

sejko

“Emergjenca globale shëndetësore dhe ekonomike e COVID-19, si dhe impaktet e saj shoqërore kanë ndikuar pothuajse të gjitha aspektet e jetës të të gjitha nëngrupeve të shoqërisë. Tashmë është e qartë që grupmosha të ndryshme po i përjetojnë këto ndikime në mënyra të ndryshme. Kështu, sa u përket nxënësve dhe të rinjve, krahas aspektit shëndetësor, pandemia i ka përballur ata edhe me sfida në fushat e edukimit dhe punësimit. Për këto arsye, tashmë është më e rëndësishme se kurrë t’i pajisim ata me dijen e duhur mbi menaxhimin e financave personale dhe shfrytëzimin e saktë të produkteve bankare”, deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, në fjalën hapëse të eventit online të përvitshëm që synon të afrojë brezin e ri me botën e ndërlikuar të financave dhe banking-ut.

Kjo është vetëm një nga iniciativat edukuese të Bankës së Shqipërisë, të cilat sidoqoftë, nuk kufizohen vetëm në aktivitetet e Javës Globale të Parasë.

“Edukimi financiar i publikut është pjesë e rëndësishme e punës sonë të përditshme. Përmes mjeteve edukative virtuale të vendosura në faqen tonë zyrtare, nxënësit dhe mësuesit mund të mësojnë gjatë gjithë vitit mbi çështje të financave, duke parë video dhe shfletuar literaturë dedikuar arsimit parauniversitar dhe studentëve. Faqja jonë përmban informacione të thjeshtëzuara mbi tema të jetës së përditshme, si hapja e një llogarie bankare, menaxhimi i buxhetit personal, hartimi i planeve të kursimit, aplikimi për kredi bankare”, nënvizoi Sejko, duke ftuar të rinjtë të njihen më shumë me faqen zyrtare të institucionit më të madh mbikëqyrës të bankave.

Sakaq, lëndë të posaçme të inkorporuara në arsimin e mesëm si lëndë me zgjedhje janë një tjetër formë për të ndihmuar nxënësit të njohin botën e financave personale, e pse jo edhe për t’i orientuar në zgjedhjen e jetës. Guvernatori shtoi qëndrimin se është vendimtare që institucionet e angazhuara në këtë iniciativë të mos i rreshtin përpjekjet për të sjellë termat financiarë në vëmendje të brezit të ri. Çdo vit, gjatë muajit mars, bankat qendrore, agjencitë shtetërore, institucionet financiare, dhe organizata të shoqërisë civile në mbarë botën organizojnë Javën e Parasë. Numri i vendeve të angazhuara në këtë event global dhe rrjedhimisht edhe i fëmijëve e të rriturve të përfshirë në të, ka ardhur në rritje. Këtë vit Java Globale e Parasë do të organizohet në rreth se 175 vende të botës dhe pritet të përfshihen në të rreth 40 milionë fëmijë dhe të rinj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura