Java e “larjes së hesapeve”, përballë vihen trajnerët… “armiq”

Mar 7, 2017 | 15:58
SHPËRNDAJE

Futbolli është i pamëshirshëm, jo thjesht për faktin se mund të humbasësh një ndeshje në sekondat e fundit apo përmes një penalltie të paqenë. Kapriciot e këtij sporti po konfirmojnë këtë sezon se mund të përballin në një hark të shkurtër kohor edhe trajnerë që kanë bërë rokada me njëri-tjetrin apo nuk kanë lënë gjë pa thënë me deklaratat e tyre.

duro starova daja josa

Këtë herë përballjet vijnë në momente kritike të kampionatit, kur skuadrave u duhen më shumë se kurrë pikët. Shpëtim Duro sfidon Sulejman Starovën, ndërsa Ilir Daja duhet të mposhtë Tiranën, që e largoi për të emëruar Mirel Josën.

Java e 25-të rezervon një Partizani-Flamurtari me dy trajnerë që “habitën” edhe miqtë e tyre me polemikat në verën e vitit 2015. Ndërsa në “Selman Stërmasi” do të luhet një Tirana-Skënderbeu, me Josën që u largua pas katër titujve kampionë në Korçë dhe Dajën që iu pre në mes projekti me bardheblutë. Dy ndeshje që më shumë se kurrë do të kenë jo vetëm hakmarrjen e brendshme të katër trajnerëve, por që me siguri do të vendosin jo pak edhe për vazhdimësinë e garës në klubet respektive.

Duro vs Starova

duro starova

Shpëtimi e kishte mbyllur sezonin si trajner i Partizanit, duke e rikthyer në Kupat e Europës pas shtatë vitesh, ndërsa Sulejmani ishte në rolin e drejtorit të klubit. Befas kontrata me trajnerin nuk vazhdoi dhe polemikat nisën në momentin që drejtimin e pankinës e mori “Bobi”. Teksa të kuqtë po përgatiteshin për të sfiduar Stromgodsetin në Ligën e Europës, Duro dhe Starova nuk lanë gjë pa i thënë njëri-tjetrit, në një polemikë që zgjati më shumë se një javë, botuar ekskluzivisht në “Panorama Sport”.

Në fakt, miq të dy trajnerëve tregonin me bindje se Duro dhe Starova kanë pasur raporte korrekte ndër vite, duke nisur që nga sezoni 1992-1993, kur Partizani u shpall për herë të fundit kampion nën drejtimin e Sulejmanit. “Që nga momenti që u bë trajner i Partizanit, unë ia kam fshirë numrin e telefonit. Më kishin thënë edhe më parë se është një njeri që u fut thikën pas shpinës bashkëpunëtorëve. Ai është një njeri i shthurur!”, pat thënë Duro për Starovën, ndërsa “Bobi” e kishte cilësuar të paaftë.

“Duro ka dashakeqësi, ka smirë dhe tendencë për ta dëmtuar Partizanin. Por, unë nuk i kam borxh askujt dhe aq më pak një njeriu që e kam ndihmuar, e kam përkrahur dhe e kam mbrojtur. Kam bërë gabim që kam mbuluar vazhdimisht paaftësinë e tij”, ka thënë Starova.

Daja vs Josa

daja josa

Pas largimit nga Skënderbeu, ku presidenti Ardjan Takaj nuk ia rinovoi kontratën, edhe pse kishte fituar 4 tituj radhazi, Mirel Josa nisi të shfaqej vazhdimisht në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke ndjekur Tiranën i shoqëruar nga drejtori sportiv, Devi Muka. Zërat në klubin bardheblu po qarkullonin që në tetor se Josa do të ishte trajneri i ri, edhe pse 24 herë kampionët i kishin bërë një nisje të mirë sezonit me Dajën.

Mjaftoi një humbje ndaj Luftëtarit dhe më pas barazimi me Vllazninë që presidenti Halili të shkarkonte Dajën dhe të emëronte Josën, duke konfirmuar prapaskenën e paralajmëruar nga gazeta që në shtator. Josa dhe Daja nuk kanë pasur miqësi mes tyre, madje edhe kur ky i fundit u shpall kampion me Elbasanin në sezonin 2005-2006, një humbje ndaj Skënderbeut që drejtohej në atë kohë nga Mireli, “prodhoi” një deklaratë të papritur.

“Elbasani ka probleme”, thoshte Josa si trajner i korçarëve, pasi mundi verdheblutë. Por, kjo deklaratë i solli fat Elbasanit, që nga ai moment nuk u ndal më.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura