Jashtë listave fituese, këta janë kandidatët për deputetë që kanë më shumë vota se kolegët e tyre

Apr 28, 2021 | 18:23
SHPËRNDAJE

Pavarësisht se janë renditur më poshtë në listë, shumë prej kandidatëve për deputetë kanë siguruar vota ‘personale’ më shumë se konkurrentët e tyre brenda partisë dhe që aktualisht janë në listën fituese të kandidatë.

-800-0-eb891b32827bc8855e405e7811d16d3e

Kështu, në Qarkun e Elbasanit, kandidati demokrat Luçiano Boçi, i renditur i shtati dhe aktualisht jashtë listët fituese, ka marrë më shumë vota se kandidatët e tjerë të renditur më lart në listë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Boçi ka siguruar 6,659 vota, duke marrë shumë më shumë vota se sa sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka siguruar 2,720 vota apo kandidatja e parë në listë Flutura Açka, e cila ka marrë vetëm 1,206 vota. Pavarësisht me numër më të madh votash, Boçi deri më tani është jashtë listës fituese për deputetë në Qarkun e Elbasanit.

Një tjetër kandidat që mund të thyej herësin e partisë dhe të futet në Parlament, është Bardh Spahia në Shkodër. Ai ka marrë 5,232 vota, duke u renditur i dyti në Qarkun e Shkodrës pas Zef Hilës me 5,803 vota. Hila është në listën e fituesve.

Emilja Koliqi, e cila aktualisht është në listën fituese në këtë është më pak e votuara duke marrë vetëm 1,180 vota.

Qarku i Kukësit duket se e ka vulosur se cilët do të jenë deputetët në Parlamentin e ri, pasi të gjithë kandidatët fitues janë edhe më të votuarit si emra.

Në Qarkun e Lezhës, kandidati për deputet që mund të sfidojë kolegët është socialisti Gentian Malotaj, i cili ka siguruar 3,771 vota, më shumë se kandidatja për deputete e PS-së, Shpresa Marnoj, e cila aktualisht është në listën fituese (1,546 vota).

Qarkun e Fierit, Agron Kapllanaj, aktualisht është jashtë listës fituese si deputet, por ai ka marrë 7,310 vota, më shumë vota se çdo kandidat që është aktualisht në listën fituese jo vetëm nga radhët e demokratëve, parti me të cilën kandidon, por edhe në radhët e socialistëve, duke lënë pas Erion Braçen si më i votuari nga PS.

Edhe në Qarkun e Korçës, Andrea Mano ka marrë shumë vota se kandidatët që aktualisht janë shpallur fitues.

Kandidatja e cila aktualisht fituese nga radhët e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj është Sorina Koti, e cila marrë 1462 vota kundrejt 5,115 votave që ka marrë Mano.

Gëzim Ademaj kandidat i Partisë Demokratike në Vlorë, ka marrë më shumë vota se kandidati fitues aktualisht fitues, Arbi Agalliu. Ademaj ka marrë 3,227 vota, kundrejt 1474 vota që ka marrë kandidati Agalliu.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Gjirokastër, ku kandidati demokrat Bujar Hoxhaj, i cili ka siguruar 3,101 vota është jashtë listës fituese, kundrejt kandidatit fitues Kasëm Mahmutaj, i cili ka siguruar 2,286 vota.

Qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi nga PS, kanë marrë shumë vota se disa prej emrave që aktualisht janë në listën fituese të PS-së.

Xhafaj ka siguruar deri më tani 4,137 duke lënë pas të gjithë kandidatët fitues përveç Belinda Ballukut, e cila ka siguruar 6,241 vota.

Këto janë vetëm rezultate paraprake dhe në fund të numërimit të të gjitha fletëve të votimit, do të mësohet kush do të jetë përfundimisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura