“Janë një portë dalëse dhe hyrëse për virusin”- Flet mjekja Oftalmologe: Ja si mund të transmetohet COVID-19 nëpërmjet syve dhe shenjat që shfaq

Apr 26, 2020 | 17:45
SHPËRNDAJE

Veç shenjave tipike, siç janë temperaturë e zgjatur, vështirësi në frymëmarrje dhe diarre, koronavirusi mund të manifestohet edhe me lotim të syve, shtim të sekrecioneve, skuqje apo edhe enjtje.

Sipas mjekes oftalmokirurge Dr. Alda Zani në një studim të realizuar në shkurt me një grup pacientësh te infektuar 74% e tyre rezultuan positiv për COVID-19 në materialin e marrë në fyt dhe vetëm 5% e tyre rezultuan positiv në materialin e marrë nga sekrecionet e syrit.

46b33c1f-01ed-4db5-b434-37740facf6a8

Ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre si shfaqje të parë të sëmundjes kanë patur lotim të shtuar. Nga ana tjetër në kushtet e karantinimit dhe paralizimit të aktiviteteve dhe shërbimeve me rëndësi sipas doktoreshës është edhe, që zinxhiri i shëndetësisë i cili është këputur të fillojë të aktivizojë mekanizma për të rijetësuar punën në spitale.

Doktoresha, COVID-19 është kthyer në kërcënim global. Janë rmë shumë se 2.7 milionë të prekur në të gjithë botën. Si e keni parë ju këtë situatë dhe a ekziston mundësia që ky virus të transmetohet përmes syve?

COVID- 19 është kthyer në kryefjalën e ditës jo vetëm në shëndetësi. Sot flitet vetëm për virusin dhe jeta jonë pa dashur po rrotullohet në të gjitha aspektet rreth sjelljes kokëfortë të këtij virusi. Ai ka gjunjëzuar gjithë botën duke e përballur atë me një emergjencë shëndetësore dhe krizë ekonomike.

Sa potencial ka ky virus të kërcënojë jetën tonë? Sa kohë duhet të qendrojë njerëzimi në karantinë? Cilat janë organet që preken më shpejt? A është prekja e syve një tregues që virusi ka prekur trupin tonë? Si mund të trasmetohet virusi nga prekja e syve? Shumë pyetje dhe sigurisht përgjigjje të ndryshme vijnë nga studiues të ndryshëm. Sjelljet e virusit ndryshuan në kohë sepse virusi pësoi mutacion dhe krijoi simotrat e tij, pra gjenotipe të ndryshme dhe si pasojë bëri që dhe simptomat të ishin të ndyshme. Në fillim u tha që jepte shenja të ngjashme me gripin e thjeshtë, pra vetëm simptoma të lidhura me traktin respirator. Më vonë një studim kinez evidentoi që 38% e pacientëve të hospitalizuar positiv nga COVID-19 shfaqi çrregullime gastrointestinale me diarre difuze.

Pak kohë më vonë një studim britanik evidentoi që ndryshimet që jepte ky virus në sistemin vazal mund të çonin në rritje të menjëhershme të tensionit arterial dhe si pasojë mund të shkaktonin hemorragji cerebrale dhe vdekje të menjëhershme. Më vonë u futën në lojë mjekët Otorinolaringolog, të cilët kishin evidentuar një shenjë të hershme të virusit, mungesa e nuhatjes dhe ajo e shijes të cilat mund të shërbenin dhe si tregues që një person mund të ishte në fazat e para të infektimit dhe mundësisë për të infektuar të tjerë. Okulistët më vonë treguan që 3% e pacientëve të prekur shfaqnin konjuktivitis, sy të skuqur, lotim të shtuar dhe sekrecione. Pra virusi u bë i gjithëpushtetshëm në trupin tonë. Ai arriti të perfeksionohej në sjelljet e tij dinake dhe duke eksploruar trupin tonë arriti ta pushtonte atë dhe të prekte të gjitha organet e tij.

Neurologët sollën raste me humbje tranzitore të koshiencës pa simptoma respiratore e cila vërtetoi edhe njëherë që ky virus egzistonte në shtame të ndryshme. Mjekimet mbështetëse shtoheshin dhe njëkohësisht rrëzonin njera-tjetrën duke lënë hapësira dhe për teoritë e ndryshme konspirative të cilat nuk ishin të pakta.

Kush do të fitojë në këtë betejë që akoma është e hapur, ne apo virusi? Sa larg është shpikja e vaksinës? Sa do ta ndihmojë vaksina njerëzimin i cili tashme ka marrë një goditje të rëndë? Të gjithë laboratorët shkencorë thonë që janë shumë afër vaksinës por data më e afërt e shpresës është në shtator edhe pse në dijeninë time duhet të paktën një vit për të prodhuar një vaksinë. Shtatori sigurisht për një pandemi nuk është i largët por a do munden shkencëtarët dhe gjenetistet të kalojnë provën imunologjike të një virusi që thuhet që është krijuar nga vet ata.

Si mund të transmetohet virusi nëpërmjet syve dhe a është mbrojtja e syve një masë parandaluese?

Për t’ju rikthyer syve të cilët janë një porte dalëse dhe hyrëse për virusin pra një pacient mund të infektoj dhe të infektohet nga të tjerë nëpërmjet sekrecioneve të syrit. SARS-CoV është një virus me trasmetueshmëri të lartë i identifikuar tashmë që shkakton COVID-19. Virusi ka një përqindje të lartë fataliteti sidomos në personat e moshuar me sëmundje kronike bashkëshoqëruese si sëmundje kardiovaskulare, diabeti mellitus, sëmundje kronike respiratore dhe sëmundje imunosupresive. COVID-19 shfaqet kryesisht me simptoma respiratore si kollë, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje. Diarreja është një manifestim i hershëm i infeksionit. Ndër simptoma të tjera të raportuara janë dhe prekje okulare në formën e konjuktivitit si dhe humbja e nuhatjes dhe shijes.

Të mbetemi tek sytë doktoresha, cilat janë shenjat që COVID-19 paraqet?

Të dhënat e fundit flasin për një manifestim klinik të COVID-19 edhe në sy. Kjo shfaqje është në formën ënjtje infeksioni apo inflamacioni të cipave të jashtme të syrit i quajtur konjuktivitis, që është në fakt i padallueshëm nga konjuktivitet e shkaktuara nga viruse të tjera. Klinikisht paraqitet me lotim të shtuar të syve, shtim të sekrecioneve, skuqje të syve dhe ënjtje apo edemë të cipave të jashtme të syrit. Në një studim të realizuar në shkurt me një grup pacientësh të infektuar 74% e tyre rezultuan positiv për COVID-19 në materialin e marrë në fyt dhe vetëm 5% e tyre rezultuan positiv në materialin e marrë nga sekrecionet e syrit. Ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre si shfaqje të parë të sëmundjes kanë patur lotim të shtuar. Gjithashtu në këtë studim u vu re edhe një lidhje e fortë midis prekjes së syve dhe gravitetit të shfaqjes klinike të virusit.

Doktoresha gjatë kësaj periudhe ka edhe nga ata që kanë probleme me sytë jo domosdoshmërisht të lidhura me COVID-19, çfarë do të rekomandonit?

Së pari, duhet të kenë parasysh që një ndër mënyrat e infektimit me COVID-19 është nëpërmjet syve ose nëpërmjet kontaktit të duarve të kontaminuara me sytë ose rënies së aerosoleve të kontaminuara në konjuktive. Eshtë e rëndësishme të shmangin vizitat ambulatore tek okulisti me përjashtim të rasteve urgjente, ulje e menjëhershme e shikimit, dhimbje e fortë e syrit ose traumat aksidentale me përforacion të syrit.

Së dyti, jo çdo shfaqje me lotim apo skuqje dhe sekrecione të shtuara të syve është e lidhur me COVID-19. Këto janë shfaqje të zakonshme të lidhura edhe me alergji stinore apo viruse të tjera qarkulluese. Për aq kohë që nuk kanë shenja të tjera shoqëruese të mos shqetësohen, por të marrin në distancë konsulencën e duhur nga mjeku okulist.

Së treti, mjeku jo vetëm ai okulist është një nga kategoritë në risk dhe si i tillë ai mund të infektojë pacientë ashtu sikurse mund të infektohet nga pacientët. Mjekët janë një vektor transmetimi për pacientët, kolegët, familjarët e tyre prandaj duhet të ketë një klinikë të justifikuar për të shkuar te mjeku. Mjekët okulist për shkak të distancës së afërt gjatë vizitës janë edhe më të rrezikuar sepse nuk mund të ruajnë distancën nga pacienti.

Cilat janë shenjat klinike të COVID-19?

COVID-19 është termi i përdorur për shfaqjet klinike të infeksionit të shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2 . Fillimisht,  ishte Kina që informoi OBSH-në në dhjetor të 2019-ës për një shfaqje të re klinike që lindi në një market me prodhime deti, në Ëuhan. Në 7Janar të 2020-ës, u arrit të identifikohet dhe izolohet virusi shkaktar. COVID-19 është i ngjashëm dhe me SARS dhe MERS. SARS shkaktoi edhe pandeminë e parë të shekullit 21 nga e cila humbën jetën rreth 774 njerëz në 26 shtete.

Ndërkohë që MERS u izolua në 2012-ën dhe  u regjistruan 850 vdekje. Ndërkohë që COVID-19 ka prekur deri më tani rreth 2.7 milionë në gjithë botën dhe ka shkaktuar rreth 196.000 vdekje. Kryesisht, COVID-19 shfaqet me simptoma respiratore të ngjashme me viruset e zakonshme respiratore si kollë, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje. Diarreja është një shfaqje e infeksionit të hershem. Ndërkohë që ka dhe simptoma të tjera jo specifike si dhimbje koke, dobësi trupore dhe dhimbje përreth syve.

Sipas raportimeve më të fundit, te pacientët me COVID-19 janë vënë re edhe prekje të sistemit nervor në formën e humbjes së nuhatjes dhe shijes si dhe prekje të syve në formën e infeksioneve të sipërfaqeve të jashtme të syrit, të quajtur conjuctivitis. Në rastet më të rënda vihen re komplikacione të funksionit të veshkave, kardiomiopati dhe encefalopati. Zakonisht simptomat shfaqen 2 deri në 14 ditë nga ekspozimi me virusin. Më shumë se 97% e pacientëve zhvillojnë shenja të sëmundjes brenda 11.5 ditëve nga kontakti me virusin. Kjo është arsyeja që periudha e karantinimit është përcaktuar 14 ditë.

Cilët janë rrugët e transmetimit?

Virusi transmetohet nëpërmjet spërklave respiratore, ku një pacient i infektuar kollitet apo tështin. Edhe nëse një person prek sipërfaqe të kontaminuara me spërkla dhe më pas prek sytë, hundën apo gojën mund të infektohet. Gjithashtu, sipas disa studimeve të fundit, është vënë re që virusi mund të qëndrojë në formën e aerosolit përreth 3 orë. Koeficienti i transmetimit të COVID-19 është 1.5-3. Pra, një person i infektuar apo mbartës asimptomatik mund të infektojë deri në 3 persona të tjerë, për çdo grup kontakti të afërt që ai ka.

A ka një mjekim specifik për COVID-19?

Për momentin nuk ka asnjë mjekim specifik apo vaksinë për COVID-19. Një mjekim antiviral me emrin rendesivir përdoret për rastet e rënda për të bllokuar kaskadën inflamatore. Ndërkohë që chloroquina dhe hydroxychloroquine janë mjekime antimalarike dhe për sëmundje autoimune që duken të jenë premtuese për trajtimin e COVID-19 por mbetet ende për t’u provuar siguria dhe efikasiteti i tyre.

Prej muajit mars janë pezulluar ndërhyrjet kirurgjikale. Çfarë pasojash mund të sjellë kjo dhe a mendoni që duhet të ketë një strategji post COVID për rijetësimin e sistemit shëndetësor?

Një fazë tepër e rëndësishme për të cilën duhet të shqetësohemi po njësoj është faza post-COVID. Të gjitha hallkat e shëndetësisë duhet të krijojnë strategji që tani për të vepruar në situatën post COVID e cila mund të jetë edhe më e vështirë për t’u menaxhuar. Duhet patjetër që zinxhiri i shëndetësisë i cili është këputur të fillojë të aktivizojë  mekanizma për të rijetësuar punën në spitale. Në shtetin fqinj italine një koleg kardiolog kishte iniciuar një nismë “il cuore non aspetta”.

Pra, zemra nuk pret pikërisht për të rifilluar punën në specialitete të cilat janë jetike dhe për të kuptuar që virusi kërcënon jetën e pacientit njësoj si një patologji kardiake e pamjekuar. Një pacient kardiologjik, një pacient onkologjik, e të tjerë nuk mund të presin kaq gjatë. Një ndërhyrje e planifikuar përpara 5 muajsh ka qenë jo urgjente dhe e stabilizuar, por në këtë periudhë të gjatë izolimi ajo mund të jetë komplikuar dhe mund të kërcenojë jetën e pacientit. Duhet të ngrihet një strategji testimi për kategorinë në risk, duke përfshirë këtu të gjithë pjesëtarët e sistemit shëndetësor.

Për ndërhyrjet e planifikuara ka kohë të mjaftueshme të testohen pacientët që do i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale. Frika e një kolapsi post COVID është e justifikuar kur mendon pamundësinë për të përballuar dyndjet në pavione, vizitat e shtuara, kërkesën e rritur për egzaminime. Pra, e ritheksoj, të gjithë  aktorët e sistemit shëndetësor duhet të krijojnë strategji për rifillimin e punës në spitale gjithmonë alert ndaj virusit duke respektuar me rigorozitet masat mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe pacientët.

Keni një apel të fundit?

Dua ta mbyll me nota optimizmi duke shpresuar që ky virus do të na bëjë më të mirë, më të dashur, do të na ndryshojë mënyrën e të punuarit dhe jetuarit. Do na bejë të kuptojmë që sa kohë ju kemi vjedhur fëmijëve  dhe të dashurve tanë. Do të na mesojë  sesa mirë mund të punojmë edhe nga shtëpia me të njëjtin produktivitet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura