“Janë edhe më qesharakë, seç i dinim”- Astrit Patozi: Deri dje i quanin tradhtarë, sot deputetët e opozitës në Parlament janë…

Jul 9, 2020 | 19:29
SHPËRNDAJE

 

Pasi disa deputetë të opozitës parlamentare deklaruan votën e tyre pro marrëveshjes së 5 qershorit, kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi shkruan se dikur këta deputetë u fyen dhe u degjeneruan pse pranuan mandatin.

astrit patozi BD

Sipas tij, pas kaq kohësh, këta deputetë nuk janë më tradhtarë dhe as ilegjitim.

Reagimi i plotë:

JANË EDHE MË QESHARAKË, SEÇ I DINIM

Hahaha. E kam pritur me durim këtë ditë, sepse e dija që do të vinte më shumë se një vit përpara. Që kur nisën sulmet e egra mbi ata, të cilët po pranonin një e nga një mandatin në listën vijuese të Partisë Demokratike dhe të LSI-së.

Madje edhe i kam paralajmëruar atëherë sharësit me pagesë ose jo, që të mos nxitoheshin duke i fyer dhe degjeneruar deputetët e rinj, se në dorën e tyre do të përfundonin shumë shpejt.

Por nuk e kisha menduar kurrë se “pendesa” do të ishte kaq e thellë dhe kaq qesharake.

Dhe ja ku jemi sot. Ata nuk janë më dallkaukë, sharlatanë, njerëz që nuk përfaqësojnë asgjë, injorantë, të paqenë, të pabesë, tradhtarë, gafaxhinj, të shitur, e plot epitete të tjera poshtëruese si këto.

Madje, ata nuk janë as ilegjitimë, siç deklaronte solemnisht, jo vetëm Ilir Meta, që njihte vetëm 82 deputetë të Parlamentit shqiptar, sepse të tjerët nuk i quante. Por paskan qenë vërtetë burra dhe gra të nderuara, që nuk i paskemi njohur më parë, se ashtu ishte një punë.

Dhe ja tani ata u shfaqën para nesh madhështorë. Sot kuptuam dashurinë e tyre për Shqipërinë dhe integrimin evropian, e cila nuk mund të ketë asnjë mënyrë tjetër për t’u shprehur, përveçse të jesh dakord dhe të votosh në Parlament marrëveshjen e Damianin me Oerdin, për të mos e trazuar fekalen politike, por për ta lënë siç ishte. Dhe ata pikërisht këtë bënë sot, në këtë ditë historike, ndaj edhe e meritojnë respektin dhe admirimin e gjithë popullit.

Por puna është se nuk dimë kë të urojmë më parë; “të sharët me libër shtëpie”, të cilët u kthyen trimfues tek partitë, që i hodhën në rrugë para një viti, apo këto të fundit, që u rikthyen sot në Parlament me bisht ndër shalë përmes tradhtarëve të djeshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura