“Jam Zaimina bisha, jo e brishta”

Nov 2, 2014 | 7:28
SHPËRNDAJE

Zaimina: Nuk jam seks simbol, mendoj se është thjesht një mit

Të kërcejë është pasioni i saj i jetës, ndaj ofertës për t’u bërë pjesë e “Dance with me” nuk mund t’i thoshte “jo” për asnjë arsye. Zaimina Vasjari tregon për “feeling” artistik me partnerin Laert Vasili në këtë show, lidhjen e konsoliduar me të dashurin e saj dhe të vërtetat rreth miteve që janë krijuar në publik për imazhin si këngëtare.
Merr pjesë në një sfidë kërcimi në garë me personazhe të tjerë publikë. Si ka qenë marrëdhënia jote me kërcimin deri tani dhe ishte e vështirë të vendosje për pjesëmarrjen në këtë show?
Kërcimin e kam dashuruar që në fëmijëri dhe është një nga pasionet e mia. Nuk u vonova shumë për të vendosur për pjesëmarrjen time në këtë “show”, pasi është një nga gjërat që më pëlqen të bëj më shumë.
Cilat ishin pluset dhe minuset që mendove në favor apo disfavor të imazhit tënd para se të nënshkruaje këtë kontratë?
Nuk mendoj se ka minuse për sa i përket imazhit tim. E vetmja gjë që mund ta quaj disfavor, është koha që shpenzoj çdo javë në prova, pasi më ka bërë që të lë pak pas dore angazhimet e  tjera.
Cili është zhanri i kërcimit që ke më shumë për zemër, pra që përshtatet me karakterin tënd?
Në fakt, ky është një kompeticion ku asnjë personazh nuk paraqitet i vetëm, por në çift, prandaj deri diku nuk mund të kesh luksin të zgjedhësh të kërcesh me atë që ty të pëlqen më shumë, pasi mund të mos i përshtatet partnerit tënd. Mendoj se në karakterin tim janë disiplinat latine, por në çift na shkojnë më tepër kërcimet bashkëkohore.
Partneri yt është Laert Vasili, një aktor që ka jetuar prej vitesh në Greqi. Si ndodhi që u bëtë bashkë dhe si do e përshkruaje këtë çift në skenë dhe jashtë saj?
Kisha dëgjuar për Laertin dhe për famën e tij ndërkombëtare, por nuk kisha pasur rastin asnjëherë para spektaklit ta takoja nga afër. Është një nga njerëzit më të veçantë dhe specialë që unë kam takuar në jetë. Çdo ditë mund të mësosh diçka prej tij dhe kështu jemi bërë shumë miq edhe jashtë skenës. Kuptohet që jo gjithmonë gjërat shkojnë vaj, edhe ne kemi konfliktet tona, por nuk mbajmë inat më shumë se pesë minuta. Laerti vendos gjithmonë pasion në çdo gjë që bën, saqë ndonjëherë më duket sikur jemi në teatër edhe gjatë provave.
Si ndihesh përballë jurisë, si mund t’i përshkruash emocionet kur ju gjykojnë përkatësisht secili prej tyre, Berti, Iliri dhe Bona?
Secili prej tyre ka karakter ndryshe nga tjetri. Gjykimet e Robertit i marr gjithmonë me sportivitet, po ashtu edhe të Valbonës, pasi në fakt gjithmonë na thotë vetëm fjalë të bukura. Ndërsa atyre që u kushtoj më shumë vëmendje, apo që edhe mund të më mërzisin, janë gjykimet e Ilirit, që është edhe eksperti i fushës në të cilën ne garojmë.
Po mes personazheve të tjerë në garë, cilët të duken më pranë profesionalizmit të balerinëve?
Më pëlqen shumë çifti i Oltës dhe i Devisit, po ashtu edhe Nora me Gentin, si dhe Xhensila me Gitin.
Ky spektakël është “reality show”, që zbulon dhe karakterin e artistit jashtë skenës. Dukesh e brishtë, jo konfliktuale dhe fjalëpakë. Lind pyetja si mundesh ta përballosh tregun agresiv të muzikës me këtë natyrë?
Zakonisht ajo është Zaimina që shikoni aty, por si të gjithë njerëzit edhe unë mund të kem shpërthimet e mia kur më cenohet diçka. Zgjedh që të jem fjalëpakë edhe kur kam të drejtë, në mënyrë që të tjerët të reflektojnë vetë. Përballja me tregun e muzikës nuk ka lidhje me karakterin e artistit, por me punën e tij. Çdo gjë që kam arritur deri tani nuk e kam bërë në sajë të tipit, por falë punës sime.
Dimë tashmë që ke një lidhje të konsoliduar me të dashurin tënd. Ç ‘mund të thuash më shumë për partnerin, a të mbështet ai në iniciativat e tua artistike, a bëhet xheloz dhe çfarë planesh keni të dy?
E kam thënë shumë herë që nuk do doja të flisja për jeten time private. Vendosa të zbuloja këtë gjë pak kohë më parë, pasi dolën disa thashetheme në një portal shqiptar që ishin shumë fyese për mua dhe partnerin tim. Por kjo nuk do të thotë se tani që u thye akulli mund të flas lirisht për këtë temë. Mund t’ju them se jam shumë e lumtur, por mendoj që jeta ime private më përket vetëm mua, ndaj dhe nuk do doja ta ndaja me mediat.
E  ke gjetur kështu dashurinë e vërtetë?
Po, kam kohë që e kam gjetur dhe besoj se jam më shumë fat.

Pjesa ime më e bukur, buzët
Pjesa e trupit më seksi të ty?
Buzët.
Premtimi më i madh që ke dhënë në dashuri?
Në përjetësi.
Dhurata më e shtrenjtë që ke marrë?
Të shtrenjta për mua janë edhe lulet.
Ti je ekstravagante deri në ç’pikë?
Deri në skenë.
Skandali më i paparashikueshëm që do bëje për sukses?
Asnjë.
Miti që ekziston për ty, por që s’është aspak i vërtetë?
Seks-simbol.
Ushqimi që konsumon gjithmonë duke menduar se lufton plakjen?
Sallata.
Kush të njeh më mirë, thotë për ty Zaimina “e brishtë” apo “bishë?”
Bishë.
Deri tani, çfarë s’ke mundur dot të blesh me paranë?
Charter privat.
Në ç’fazë të jetës do të thuash harrojeni Zaiminën siç ka qenë, tani jam Zaiminë tjetër?
Asnjëherë nëse do doja që një ditë të harroheshin gjërat që kam bërë, pasi nuk do t’i kisha bërë.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura