“Jam shumë i inkurajuar nga biseda!”- Lulzim Basha flet pas takimit me ministren britanike Morton: Prioritet absolut prerja e lidhjeve të politikës me krimin

Oct 12, 2021 | 11:01
SHPËRNDAJE

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka pritur sot në një takim ministren britanike për Evropën, Wendy Morton.

Në një prononcim për mediat kryedemokrati tha se është i inkurajuar nga biseda, ku prioritet absolut i qeverisë britanike dhe PD-së është prerja e lidhjeve të politikës me krimin e organizuar.

Takimi me ministren për Europën dhe Amerikat të qeverisë së Madhërisë së saj Britanike, ishte një mundësi e dyfishtë. Së pari, tregon nivelin e lartë të interesit Britanik për Shqipërinë. Ju e dini para disa javësh këtu ka qenë këtu edhe ministrja e brendshme, Prity Patel dhe në veçanti për çështjet që janë kauzat kryesore të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve, që janë çështjet e demokracisë, të bashkëpunimit të krimit të organizuar me politikën për të vjedhur zgjedhjet, siç ndodhi më 25 prill. Të luftës kundër krimit të organizuar, të lirisë së medias në veçanti si një nga problemet kryesore të demokracisë shqiptare. Padiskutim edhe të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-britanike me një vëmendje të veçantë për dy çështje kryesore: praninë e investimeve britanike në Shqipëri dhe fatin e qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë në Britani, jo vetëm në Londër, por kudo në Britaninë e Madhe, njerëz të punës, njerëz të sakrificave, interesi më i mirë i të cilëve është dhe mbetet në qendër të vëmendjes të Partisë Demokratike. Qofshin këta nga Tropoja, Kukësi, Fieri, Burreli, Vlora apo Gjirokastra. Kemi qindra mijëra shqiptarë në Britaninë e Madhe, duam t’i shohim me letra të rregullta, duam t’i shohim të jetojnë e punojnë me nder, duam t’i shohim të panjollosur nga një pakicë e vogël e përfshirë në krimin e organizuar. Tani, përveç këtij dimensioni, Partia Konservatore Britanike dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, në veçanti në 4 vitet e fundit kanë ndërtuar një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi“, tha Basha.

Në bisedën mes delegacioneve, sigurisht jemi fokusuar tek prioritetet tona të përbashkëta, në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjes së politikës me krimin. Dua ta theksoj këtë që qeveria Britanike dhe Partia Demokratike e Shqipërisë ndajnë një prioritet të rëndësishëm: Prerja e lidhjeve të politikës me krimin është një prioritet absolut. Janë lidhjet e politikës me krimin një nga arsyet kryesore të masakrës zgjedhore. Ndaj, jam shumë i inkurajuar nga biseda me të dhe fakti që këto prioritete nuk janë thjeshtë pjesë të protokollit diplomatik, por hapave konkret që Britanikët tashmë kanë hedhur dhe do të vazhdojnë të hedhin dhe për të cilën kanë kërkuar ndihmën tonë si Parti Demokratike brenda dhe jashtë parlamentit dhe do ta kenë këtë ndihmë në të gjithë dimensionet e saj. Ndërkohë që në një takim të veçantë kokë më kokë me ministren, kemi folur për forcimin e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike dhe Partisë Konservatore“, vijoi kryedemokrati.

“Në interesin më të mirë të demokracisë, në interesin më të mirë të programit dhe vizionit dhe vlerave që ndajmë. Vlerat që ne ndajmë, janë vlerat e një ekonomie konkurruese me konkurrencë dhe jo monopole.  Me biznes të vogël dhe të mesëm të fuqishëm dhe jo me oligarkë e monopolistë. Me universitete që trajnojnë rininë shqiptare dhe bëjnë të mundur punësimin e saj, në një vend që nuk është i varfër por është i vjedhur. Si dhe për të bashkëpunuar, siç thash në dy fusha imediate, luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve të krimit me politikën dhe lirinë e medias për të cilën në veçanti sot kam kënaqësinë në një ditë që dhe nga ana e motit duket e ndryshme nga e djeshmja, besoj që përmes këtij bashkëpunimi një reze drite, një reze dielli do të bjerë edhe mbi gazetarët shqiptarë, edhe mbi median shqiptare, sigurisht në një nga vendet që është kampione e lirisë së medias, kampione e profesionalizmit të lirisë së medias si Britania e Madhe. Për këtë falënderova ministren dhe ambasadorin King-Smith, i cili ditën e djeshme ka zhvilluar një takim me përfaqësues të medias dhe do ta zgjerojë programin e tij në ndihmë të medias, që është një shtyllë e pazëvendësueshme e demokracisë. Këto ishin disa nga temat kryesore që ndava në takimin me ministren për Europën dhe Amerikën“, u shpreh ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura