“Jam me Amerikën, jo kundër Rusisë”- Presidenti Biden pas bisedimeve me Putinin: Pasoja shkatërruese nëse vdes Navalny!

Jun 16, 2021 | 19:51
SHPËRNDAJE

Presidenti i SHBA-ve ka dalë në një konferencë për media ku foli mbi takimin 4-orësh të mbajtur në Gjenevë me homologun rus Vladimir Putin.

“Unë jam me Amerikën, jo kundër Rusisë”, theksoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

“Aty ku kemi dallime unë dua që presidenti Putin të kuptoj pse them atë që them dhe pse bëj atë që bëj”, tha Biden.

“I thashë presidentit Putin se axhenda ime nuk është kundër Rusisë apo dikujt tjetër, është për popullin amerikan”, shtoi ai.  Presidenti i SHBA-ve theksoi se të drejtat e njeriut janë me rëndësi për amerikanët, prandaj u shpreh ai “ato do të jenë gjithmonë në tryezën e bisedimeve”.

Joe Biden u pyet se çfarë pasojash do të ketë nëse do të ketë ndërhyrje të mëtejshme në zgjedhje ose sulme të tjera të sigurisë kibernetike kundër SHBA-ve. “Ai e di që ka pasoja. Ai e di që do ndërmerren veprime”, u tha Biden reporterëve në Gjenevë.

Biden paralajmëroi pasoja “shkatërruese” për Rusinë në rast se lideri opozitës ruse Alexei Navalny ndërron jetë. “Rusia po përpiqet me dëshpërim të ruajë pozitën e saj si një fuqi botërore. Humbja e këtij statusi do të jetë “çmimi që ata paguajnë” për ndërhyrjet e vazhdueshme. Ata nuk janë në gjendje të diktojnë atë që ndodh në botë. E njëjta gjë vlen nëse Alexei Navalny vdes. Pasojat për Rusinë do të ishin shkatërruese”, thotë Biden.

Presidenti amerikan vuri në dukje se ishte me rëndësi të takohej personalisht me Putinin, në mënyrë që të mos kishte keqinterpretime lidhur me deklaratat e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura