“Jam Ilir Meta o super budallenj”/ Presidenti sqaron deklaratën: Ata që tentojnë asgjësimin e demokracisë, do dështojnë! Ja për kë ishte paralajmërimi

Feb 12, 2022 | 19:53
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka sqaruar deklaratën e tij disa ditë më parë ku iu drejtua ndërkombëtarëve dhe rilindësve vendas me shprehjen “Jam Ilir Meta, o superbudallenj”.

Sipas kreut të shtetit, ata do të dëshpërohen sepse sipas tij, të gjitha përpjekjet për të asgjësuar demokracinë në Shqipëri dhe për të frikësuar qytetarët shqiptarë do të dështojnë.

Në një intervistë për televizionin Apollon, Meta deklaron se të gjithë do të përgjigjen për korrupsionin e tyre.

Meta: Ata do të dëshpërohen sepse gjithë planifikimi i tyre për të asgjësuar demokracinë në Shqipëri, për të varrosur faktikisht pluralizmin politik, për të frikësuar të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për të përzënë nga vendi, gjithë forcat më të reja, forcat më të kualifikuara, të gjithë ata që kërkojnë të drejtat e tyre dhe të jetojnë në një sistem meritokratik. Kjo do të dështojë në mënyrë të padiskutueshme.

Prandaj dhe ata do të dëshpërohen dhe do të përgjigjen për super korrupsionin e tyre. Shikojeni aferën e inceneratorëve, shikoni koncesionet, shikoni sa ka vajtur 1 kilometër rrugë e re, apo autostradë, është 6 herë më shtrenjtë, se sa në Serbi. Shikoni ndërkohë pagat se ku kanë ngelur, më të ulëtat në rajon! Shikoni çmimet se ku kanë vajtur, jo po çmimet janë në të gjithë botën. Shikoni çmimet sa janë në Maqedoni dhe në Serbi! Nuk kanë asnjë lidhje.

Kjo ka lidhje vetëm me super korrupsionin, që është zhvilluar këtu. Me përqendrimin e pushtetit në pak duar dhe njëkohësisht, përqendrimin e ekonomisë në shumë pak duar. Dhe kjo ka sjellë këtë gjendje kaq të rëndë! Shiko sa e përkrahim ne bujqësinë, 30 euro për hektar, 180 euro për hektar e ka Kosova, 6 herë  më shumë, mbi 200 e ka Maqedonia.

Pyetje: Po buxhetin e ka 2 herë më të lartë se sa Shqipëria.

Meta: Nuk krahasohet, jo 2 herë është shumë herë më lart, nuk diskutohet ajo çështje.2 miliardë e ca kemi ne eksportet, 7 miliardë e ca euro i ka Maqedonia e Veriut, një vend më i vogël se Shqipëria. Shko shiko zonat e lira në Maqedoninë e Veriut, industri automotive, gjithçka kanë zhvilluar. Pse? Sepse i kanë dhënë prioritet zhvillimit të vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura