Jam i sigurt se Veseli do ia marrë Fisnikut Tean

Apr 27, 2015 | 11:51
SHPËRNDAJE

Flet Burim Shehu, miku i Vesel Kurtishajt

Tea e Veseli i Big Brother
Vesel Kurtishaj është banori më i ri i “Big Brother 8”, i cili duket ka hyrë në lojë për t’u qenë në mes çifteve. Por, pavarësisht ngacmimeve ndaj Xhensilës, menaxheri i një kompanie të madhe në Kosovë në të vërtetë pëlqen Tean, e cila aktualisht është në një marrëdhënie me Fisnikun nga Tirana. Me hyrjen e tij në shtëpinë e “BB8”, tashmë është krijuar një treshe intriguese, Fisnik-Tea-Vesel dhe të gjithë janë kureshtarë për të parë nëse ai do të arrijë t’ia marrë Tean Fisnikut. Meqë kemi vetëm pak ditë që e shohim në ekran 23-vjeçarin nga Prizreni, për synimet dhe strategjinë e lojës flet miku i tij më i ngushtë nga Kosova, Burim Shehu.
Ka vetëm një javë që ka hyrë në “Big Brother” dhe ka ecur mirë me protagonizmin e tij. Kaq i shkathët është në jetë Veseli?      
Veseli është ekonomist me profesion dhe punon në sektorin e shitjes si menaxher rajonal shitjesh, në një ndër fabrikat më të fuqishme në Kosovë. Eshtë djalë shumë kërkues në jetë dhe nuk kënaqet me pak, gjithmonë synon më shumë nga çfarë arrin.
Eshtë vetëm 23 vjeç. Ka pasur ai shumë eksperienca në jetë?
Shoku i Veselit Burim Sheu
Në jetën e përditshme është tip shumë i shoqërueshëm dhe gjithmonë mundohet t’i bëjë të tjerët të ndihen mirë në praninë e tij. Është tip hulumtues dhe ambicioz, gjithmonë kërkon diçka të re në jetën e tij, dhe njëkohësisht në punët që merr përsipër, është shumë serioz dhe i përgjegjshëm. Ka pasur eksperienca shumë të vështira në jetë dhe, përveç mungesës së babait, ai ka dhe shumë të tjera që do ia lëmë t’i zbulojë në lojë. Këto eksperienca e kanë bërë shumë të fortë si djalë. Me këmbëngulje të madhe ka arritur të krijojë një jetë stabël për veten e tij.
Cila është arma e tij më e fortë si mashkull në jetën e përditshme?
Pika e tij më e fortë është komunikimi sy më sy, sepse ka shumë vetëbesim në atë që bën.
Është pamja siguria e tij më e madhe kur u afrohet femrave?
Sa i përket pamjes së tij, është i vetëdijshëm për këtë gjë. Mirëpo, bukurinë nuk e përdor për synimet që ka, sepse sipas Veselit gjinia e bukur është femra.
 Ai ka hyrë i fundit në lojë, që do të thotë se i ka ndjekur dhe i ka njohur nga jashtë  banorët e tjerë. Cilët prej tyre vlerëson më shumë?
Me të vërtetë ka hyrë i fundit në lojë dhe kjo ka ndodhur për shkak të insistimit të madh nga shoqëria e tij, për të sprovuar veten dhe në formatin “Big Brother”. Veseli nuk e ka ndjekur nga jashtë lojën, për faktin se ka qenë shumë i zënë me punë. Por me ato 3-4 ditë që ka ndjekur pak nga “BB”, ai para se të hynte, ka vlerësuar shumë Eleonorën dhe Tean. Ndërsa për lojën që bëjnë vlerëson Fatjonin, Albën dhe Zaidën.
Por duket se i ka hyrë në pjesë Fisnikut, duke dëshiruar Tean. Mendon se do ia arrijë qëllimit për ta bërë të tijën?
Duke u mbështetur në atë çfarë ka thënë Tea, Veseli është një mashkull i mirë për të, ndërsa Fisniku thjesht një mik i mirë. Mendoj se nga flirti mes Teas dhe Veselit, marrëdhënia do të kalojë në diçka të bukur nga njohja e tyre ditë pas dite.
Deri tani duket sikur qëllimi i tij i vetëm është për të tërhequr Tean. Cila është marrëdhënia e tij me paranë, a e lakmon fitoren, ndonëse është një lojtar që ka hyrë vonë në lojë?
Marrëdhënia e tij me paranë është ashtu si e çdo ekonomisti të mirë dhe menaxheri shitjesh, pasi puna e tij konsiston në fitime. Sa i përket çmimit të madh, si çdo lojtar në “BB” që po e shijon këtë eksperiencë, patjetër që edhe e synon me ngulm çmimin e madh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura