Jahti në Patok u braktis/ Çfarë gjeti policia brenda në mjet? Përjashton mundësinë se do të…

Oct 23, 2020 | 12:29
SHPËRNDAJE

Jahti i llojit “velter”, me flamur slloven, i cili u gjet i braktisur në det të hapur pranë zonës së Patokut në Kurbin, dyshohet të jetë vjedhur. Në këtë konkluzion kanë dalë ekspertet e Policisë dhe Prokurorisë pas veprimeve hetimore që janë kryer që nga koha e gjetjes së mjetit në Patok.

jahti

Ndërkohë Prokuroria e Kurbinit po vijon hetimet për identifikimin e pronarit të këtij mjeti lundrues turistik. Sipas burimeve, brenda tij është gjetur një dokument dhe është kërkuar mbështetja e Interpolit për të marrë kontakte me vendet fqinje me qëllim zbulimin e prejardhjes së këtij jahti.

Duke ju referuar faktit se “veliera” ka fuqi motorike të vogël, është përjashtuar mundësia që ai mund të jetë përdorur për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk ka të dhëna se kur mund të ketë hyrë në ujërat shqiptare dhe personat që kanë qenë në bord kanë gjetur pikërisht vendin e përshtatshëm për ta braktisur, pasi në zonën në fjalë ka shumë pak lëvizje dhe është e pabanuar. Mjeti lundrues turistik me emrin “Tai-Pan” është ankoruar dhe është sekuestruar nga Prokuroria, duke qenë se është objekt hetimi.

Ky është jahti i dytë që gjendet i braktisur në afërsi të Shëngjinit, ku një vit më parë u gjet edhe jahti turk i braktisur, në të cilin udhëtonte kapiteni Sezgin Yavuz, i cili vijon të jetë i humbur. Mjeti lundrues me flamur slloven është konstatuar nga Policia Kufitare disa ditë më parë, të cilët i janë afruar dhe nuk kanë parë persona në bord. Ata janë larguar dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim edhe 24 orë të tjera, por nuk kanë konstatuar asnjë lëvizje në mjet.

Mbrëmjen e së shtunës së kaluar, jahti është marrë nga Policia dhe është ankoruar në portin e Shëngjinit, ndërsa në lidhje me rastin kanë nisur menjëherë hetimet. Brenda mjetit lundrues turistik me emrin “Tai-Pan” nuk është gjetur asnjë objekt i dyshimtë, por dyshohet të jetë nisur nga Greqia me destinacion Malin e Zi.

Për të zbuluar të vërtetën kanë nisur verifikimet me portet e vendeve fqinje, ndërsa sipas burimeve, jahte të tilla shoqërohen gjithmonë me një gomone dhe mendohet se ajo është larguar që aty para se të mbërrinte Policia. Dyshimet janë se kanë qenë dy persona në bordin e jahtit, të cilët janë larguar, ndërsa dyshohet se pronari mund të jetë shtetas italian. Policia dhe Prokuroria e Kurbinit po vijojnë hetimet për të zbuluar se kujt i përkiste jahti dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila deri më tani mbetet e mistershme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura