Jahti me kanabis nga Shqipëria, zbërthehet italiani: Do merrja 50 mijë euro, ja kush na e dha mjetin

Aug 12, 2017 | 20:19
SHPËRNDAJE

Italiani i arrestuar dje në Greqi për trafikun e 1.8 tonëve kanabis me një skaf, ka folur para hetuesve grekë. Kapiteni i mjetit lundrues tha se jahti është dhënë me qira nga një mjek italian, por nuk ka paraqitur asnjë dokument për të vërtetuar këtë alibi.jahti

Megjithatë, ai pranoi para hetuesve se kishte vetëm rol transportues dhe do të merrte 50 mijë Euro për të dërguar në destinacion sasinë prej 1.8 ton kanabis. Nuk dihet nëse ai u ka treguar zyrtarëve të policisë greke se cili ishte destinacioni. Në të kaluarën, italiani i arrestuar ka qenë më parë i dënuar në Itali për grabitje me armë. E megjithatë, identiteti i tij nuk është bërë i ditur për arsye hetimore.

Ndërsa, sa i përket shqiptarit të arrestuar i dyshuar se është i përfshirë në këtë rast trafiku, nuk është dhënë ende asnjë informacion. Autoritetet portuale greke bllokuan dje në orët e para të mëngjesit në ishullin Kythira një jaht të vogël me flamur italian në bordin e të cilit kishte 1.8 ton kanabis, raporton tvklan.

Droga ishte e ndarë në 84 pako me hashash. Për këtë ngjarje u arrestua kapiteni italian i jahtit dhe një shtetas shqiptar, i cili u kap në ishullin Kythira dhe që dyshohet se ka lidhje me trafikun e drogës.

Sipas informacioneve policore të gazetës greke “Kathimerini”, jahti ishte nisur nga Italia, konkretisht nga Napoli me destinacion Shqipërinë. Nuk dihet se në cilën zonë të bregdetit shqiptar ndaloi jahti, por “Kathimerini” shkruan se u ngarkua me drogë në Shqipëri. Prej andej, u nis drejt Egjeut ku dhe më pas u kap nga autoritetet greke.

Ndërkohë, burime nga policia shqiptare thonë për tvklan.al se aktualisht po shkëmbehet informacion trepalësh, mes Greqisë, Italisë e Shqipërisë. Të njëjtat burime sqarojnë se jahti me drogë po mbahej nën vëzhgim nga policitë e tre vendeve pas informacioneve që kishin marrë në rrugë operative.

Hetuesit grekë nuk kanë dhënë detaje nëse ngarkesa me hashash do të shkarkohej në ndonjë ishull grek apo kishte destinacion bregdetin e Turqisë. Zyrtarët e Autoritetit Portual grek besojnë se dy të arrestuarit do të merrnin informacione të mëtejshme nga bashkëpunëtorët e tyre ende të panjohur, se në cilin port do të shkarkonin tonelatat e drogës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura