Ja zgjidhja e pengesave të dashurisë!

Jun 3, 2015 | 11:48
SHPËRNDAJE


Sot nuk dëgjohet më aq dendur që njerëzit të marrin rrugën natën për të qenë në agim te dera e ndonjë yshtësi. Ca vite më parë, biseda, pas përshëndetjeve korteziale, se pse vërtitej gjithnjë në këtë pikë. Niste shkëmbimi i përvojave. Njëra kishte një “të mirë në Fier”, “tjetra kishte gjetur derman në Elbasan” e kështu me radhë. Thuajse të gjitha qytetet në Shqipëri kanë pasur një përfaqësuese të denjë. Ato jetonin kryesisht në fshatra dhe e kthenin kështu vendbanimin në pikë turistike. Sa prej jush janë njohur me një zonë të vendit, pikërisht se kanë shkuar atje në kërkim të shpresës?! E mirë, mos flisni të gjithë… Sot, të qëllon rrallë të gjendesh përpara situatave të ngjashme, qoftë ky edhe leximi i filxhanit. Mundet që femrat në këtë fushë të biznesit ta kenë humbur besueshmërinë. Njerëzit janë lodhur nga shpresat e rreme dhe janë tërhequr në zakonshmërinë e problemeve të tyre. Sigurisht që denoncimi i disa rasteve nga media pati efektin e vet. Frika bëri të tërhiqen emrat më të njohur të fushës.

Fotografitë nga profili në Facebook
Por, siç duket, nga “facebook”-u që të sjell çdo informacion në shtëpi, jo të gjithë janë trembur. Madje, i sfidojnë të gjitha pengesat dhe bëjnë publik çdo informacion, duke e kthyer kështu veten në “zot të së mirës”. Bio Mulaku duket të jetë shqiptar nga Kosova që zanati e ka çuar, siç duket nga të dhënat e profilit të tij, në Zvicër. Megjithatë, fusha e tij e veprimit i tejkalon kufijtë. Numrat e telefonit tregojnë që mund të të vijë të të bekojë, kudo të ndodhesh. Nuk dimë se si mund të funksionojë ndihma virtuale, ama predispozita nga ana e tij është… Në faqe publikohen video nga “vendngjarja”, që tregojnë edhe teknikat e shpëtimtarit. Gra të mbuluara me shami që i “dorëzohen” pa kurrfarë arsyetimi! Se në ç’konkluzione mbërrijnë, kjo gjë nuk dihet, ama regjistrimet jepen si provë e suksesit. Mulaku liston disa të këqija prej nga mund të të shpëtojë. Dashuria, doemos, është në krye të listës. Nuk është fort e qartë nëse prej martesës apo fejesës duhet të shpëtohesh, apo zotëria t’i sjell pranë. Juve që ende ju prishet gjumi nga magjitë, ja zgjidhja! Kjo është ora e shpëtimit të njerëzimit. Sigurisht që ju keni mendje në kokë dhe nuk do t’i hyni zbërthimit të punës së tij. As rrugë nuk keni ndërmend të bëni… prandaj shfrytëzoheni informacionin vetëm për t’i zgjuar vetes ndonjë kujtim buzëqeshës, dhe me dashurinë merruni vetë. Askush nuk ju pengon! Ok, ajo çështja e magjisë edhe mund të diskutohet, por në fund çlirojeni veten nga mendimi dhe pini një birrë.                          an.ja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura