Ja SMS-të për Ramën që çuan në burg 3 tatimorët, e pëson edhe biznesmenia që denoncoi

Jan 20, 2018 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ervin Pupuleku dhe Ermal Harizaj dy inspektorët e hetimit Tatimor që u arrestuan nga policia në 22 korrik 2017, pasi pronarja e një hoteli në Kavajë, i denoncoi për korrupsion tek kryeministri i vendit Edi Rama.

tatimet

Mirëpo së bashku me dy inspektorët e arrestuar nga policia, e pandehur në gjykatën e Kavajës ka përfunduar dhe biznesmenia që guxoi dhe denoncoi korrupsionin tek Edi Rama. Të dy inspektorët momentalisht nuk janë në burg, pasi Harizaj është liruar nga gjykata kundrejt një garancie pasurore dhe Pupuleku ndodhet në masën e “arrestit në shtëpi”.

Më 22 korrik 2017, kryeministri Edi Rama publikoi në faqen e tij në “Facebook” videon e arrestimit të tre inspektorëve të hetimit tatimor, si shembull të fushatës së tij post-zgjedhore për spastrimin e administratës nga zyrtarët arrogantë dhe të korruptuar. Shtatë muaj pas këtij postimi, prokuroria e Kavajës ka vendosur të mbyllë hetimet dhe të dërgojë në gjykatë shtetasit Pupuleku dhe Harizaj, ndërsa ka vendosur të pushojë akuzat e korrupsionit për inspektorit e tretë të arrestuar, shtetasin Arben Disha.

Ky i fundit ka shpëtuar nga ndjekja penale pasi sipas hetimit të prokurorisë është konstatuar se ai nuk ka firmosur në procesverbalin e ushtrimit të kontrollit në hotelin e denoncueses Ariana Muça. “Referuar jo vetëm aktit të konstatimit, deklarimeve të shtetases Ariana Muça apo paraqitjes për njohje por edhe pamjeve filmike të “Hotel-Imperial” nga të cilat rezulton se shtetasi Arben Disha nuk ka qenë fare në subjekt”-thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë së Kavajës.

Por teksa ka përjashtuar zyrtarin Arben Disha, prokuroria ka vendosur të zgjerojë ndjekjen penale dhe ndaj kallëzueses Ariana Muça, e cila i shkroi kryeministrit Rama si më poshtë: “…përshëndetje zoti Edi Rama, jam zonja Ariana Muça, kam një biznes në Spille, nuk mund të punojmë, nuk na lënë rehat, na bëjnë presion, edhe pak punë që bëjmë lekët i marrin këto të Tatimeve, na grinë edhe neve nuk dimë çfarë të bëjmë. Kam frikë të ngrihem në mëngjes me fillu punën se e di që do vin tatimorët dhe dun lek. Faleminderit për mirëkuptimin. Jo më larg se sot më morën 400 mijë lekë…”.

Denoncimi në polici pas SMS tek Edi Rama
Ariana Muça, ka deklaruar në polici:“…se me veprimet e tyre, punonjësit tatimorë i kanë lënë të kuptojë se donin që t’i jepte para kundrejt mos vendosjes së masës administrative të gjobës me një pagesë të lartë, kështu që u ka dhënë në dorë shumën prej 40.000 lekë…”. Në këto kushte punonjësit tatimorë kanë përpiluar akt-konstatimin e datës 21 korrik 2017, pa marrë ndonjë masë konkrete.

Në aktin e konstatimit kallëzuesja ka fiksuar edhe emrat e punonjësve tatimorë Ervin Pupuleku, Ermal Harizaj dhe Arben Disha, por ky i fundit nuk ka firmosur. Ariana Muça jeton si emigrante në Itali dhe se ka ndërtuar në Spille të Kavajës një biznes të qujatur hotel “Imperial”. Pasi është kthyer nga Italia në datën 1 korrik 2017 ka hapur hotelin e saj të quajtur “Imperial” për ta shfrytëzuar gjatë sezonit veror. Ajo jeton në Itali dhe se aktivitetin e shfrytëzon vetëm gjatë sezonit veror.

Mirëpo në datën 21 korrik 2017, rreth orës 16:00, në hotelin e saj kanë shkuar dy punonjës të Tatimeve të Tiranës dhe i kanë kërkuar se sa kuponë kishte prerë dhe ajo u kishte treguar sasinë. Sipas pretendimeve të biznesmenes, punonjësit i kishin thënë se sasia e kuponëve nuk ishte e rregullt pasi ajo duhet të kishte pasur më shumë punë dhe se i kishte fshehur. Ndërkohë janë krijuar debate ndërmjet Arianës dhe punonjësve tatimorë.

Dhënia e parave dhe gjithçka është “ok”
Më tej Muça, ka deklaruar se me veprimet e tyre, punonjësit tatimorë i kanë lënë të kuptojë se donin që t’i jepte para kundrejt mos vendosjes së masës administrative të gjobës me një pagesë të lartë, kështu që u ka dhënë në dorë shumën prej 40.000 lekë. Nisur nga kjo situatë punonjësit tatimorë kanë përpiluar akt-konstatimin e datës 21 korrik 2017, pa marrë ndonjë masë konkrete. Në aktin e konstatimit Ariana Muça ka fiksuar edhe emrat e punonjësve tatimorë Ervin Pupuleku, Ermal Harizaj dhe Arben Disha.

Sipas aktit të konstatimit të datës 21 korrik 2017, inspektorët në sektorin e zbatimit kanë ushtruar kontroll te tatimpaguesja Ariana Muça, në të cilin kanë konstatuar ndër të tjera se: “…bazuar në urdhër shërbimin nr.4660 prot të datës 20 korrik 2017, grupi i kontrollit u paraqit në adresën e mësipërme dhe konstatoi se subjekti është i regjistruar në QKB, subjekti ka të instaluar pajisjen fiskale, subjekti disponon fatura etj.Mbahet ky akt konstatimi për procedura të mëtejshme në organet tatimore.

Mbahet ky akt nga ora 16:10 deri në orën 17:05. Akti i konstatimit i datës 21 korrik 2017 rezulton se është firmosur vetëm nga dy punonjës tatimorë, konkretisht shtetasit Ermal Harizaj dhe Ervin Pupuleku. Ndërsa shtetasi Arben Disha nuk ka firmosur. Ky akt ka rezultuar i rregullt dhe nuk është vendosur gjobë.

Klienti që e adresoi te Rama
Duke parë shqetësimin e Arianës, një klient i hotelit, i ka thënë se: “…do të jap numrin e Kryeministrit të Shqipërisë…” ku ajo mund t’i tregonte dhe sqaronte për sa kishte ndodhur. Në këtë mënyrë, pronarja e hotelit i ka dërguar mesazh Kryeministrit duke i shpjeguar rastin.

Nga këqyrja e celularit të Ariana Muça,rezulton se në datën 21 korrik 2017, tek aplikacioni “ËhatsApp”, me emrin “Edi Rama” është shkruar: “…Përshëndetje zoti Edi Rama, jam zonja Ariana Muça, kam një biznes në Spille, nuk mund të punojmë, nuk na lënë rehat, na bëjnë presion, edhe pak punë që bëjmë lekët i marrin këto të Tatimeve, na grinë edhe neve nuk dimë çfarë të bëjmë.

Kam frikë të ngrihem në mëngjes me fillu punën se e di që do vinë tatimorët dhe duan lek. Faleminderit për mirëkuptimin…”. Ndërkohë në orën 18:36, vazhdon mesazhi: “…Jo më larg se sot më morën 400 mijë lekë…”. Gjithashtu vijon komunikimi në orën 19:13: “…Arben Disha, Ermal Harizaj, Ervin Pupuleku, unë shof 3 emra k’tu te mu ishin vetëm 2”.

Policët me vrap tek kallëzuesja
Teksa është njohur me mesazhet denoncuese të biznesmenes nga Kavajës, kryeministri Edi Rama këto mesazhe ja ka përcjellë oficerëve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Disa oficerë të kësaj drejtorie kanë shkuar në Spille tëg Kavajës, ku kanë marrë kontakt me kallëzuesen duke i marrë kallëzimin dhe dëshminë e mësipërme. Janë administruar në cilësinë e provës materiale procesverbali i konstatimit si edhe pamjet filmike të hotelit.

Gjithashtu është bërë edhe paraqitja për njohje e personave ku kallëzuesja ka njohur shtetasit Ermal Harizaj dhe Ervin Pupuleku. Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe gjatë paraqitjes për njohje, Ariana Muça ka njohur shtetasit Ermal Harizaj dhe Ervin Pupuleku. Në lidhje me Ervin Pupuleku, Ariana ka deklaruar se është pikërisht ky shtetas, i cili i ka kërkuar sasinë e parave dhe të cilit i ka dhënë sasinë prej 40.000 lekësh, të prerjeve 5.000 lekë të gjitha kartëmonedha.

Filmimet, pronarja vendos duart në kokë
Gjatë hetimit të procedimit penal janë marrë në cilësinë e provës materiale pamjet filmike të objektit lokalit. Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton ndër të tjera se: Në orën 16:13:46 sek nga karakteristikat duket shtetasi Ervin Pupuleku hyn sërish në lokal, i cili afrohet te banaku, në të cilin ndodhet nga karakteristikat duket shtetasja Ariana Muça dhe nga pamjet filmike është fiksuar se kjo shtetase në orën 13:13:53 sek mbi banakun e ndodhur në ambientet e lokalit, bën lëvizje të duarve rreth 8 herë, ku në dukje duket si numërim dhe nga karakteristikat duket shtetasi Ervin Pupuleku, i cili bën një gjest me duar në formë miratimi.

Në dukje nga karakteristikat Ariana Muça mbështjell në një letër sendet e numëruara mbi banak dhe në orën 16:14:09 që nga karakteristikat duket shtetasi Ervin Pupuleku, i cili merr sendet nga banaku dhe të drejtohen për t’u ulur te tavolina që ishin ulur më parë.

Në orën 16:14:37 sek aty në tavolinë afrohet dhe ulet ku nga karakteristikat duket punonjësi tjetër tatimor, Ermal Harizaj. Nga vijimi i rikëqyrjes së CD-së rezulton se nga karakteristikat duken si shtetasit Ariana Muça, dhe dy punonjësit e tatimore Ervin Pupuleku dhe Ermal Harizaj vazhdojnë bisedën dhe nga karakteristikat në dukje si Ervin Pupuleku ku shikohet duke shkruar. Në orën 16:27:22 sek, ku nga karakteristikat duket shtetasi Ermal Harizaj i cili del nga ambientet e lokalit.

Në orën 16:27:39 sek, në dukje nga karakteristikat si shtetasi Ervin Pupuleku i dorëzon aktin e konstatimit shtetases Ariana Muça. Në orën 16:29:30 sek, në dukje nga karakteristikat shtetasi Ervin Pupuleku largohet nga ambienti i lokalit. Po ashtu, në orën 16:29:52 ku nga karakteristikat në dukje Ariana Muça, del edhe ajo nga ambienti i lokalit dhe në orën 16:31:14 sek, hyn sërish në lokal, e cila vendos të dyja duart mbi kokë duke ardhur rrotull lokalit e duke lëvizur në mënyrë të ç’rregullt në dukje e shqetësuar.

Ariana Muça, ka deklaruar se paratë e dhëna kanë qenë të prerjeve 5.000 lekë dhe në total 40.000 lekë. Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se e pandehura Ariana Muça teksa ndodhet në banakun e Lokalit, lëviz duart mbi banak 8 herë, në formë numërimi, në prani të të pandehurit Ervin Pupuleku, i cili në dukje miraton me duar. Pasi e pandehura ia jep këto sende, i pandehuri Ervin Pupuleku i merr dhe ulet në tavolinën ku ishte më parë duke plotësuar aktin e konstatimit.

Sekuestrimi i parave
Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore, shtetasit Ervin Pupuleku i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe katër kartëmonedha të prerjes 5.000 lekë. Gjithashtu edhe shtetasit Ermal Harizaj i është sekuestruar një kartëmonedhë e prerjes 5.000 lekë.

Gjatë hetimit është pyetur Mira Muça, kunata e Ariana Muça, e cila ka deklaruar se në datën 21 korrik 2017, rreth orës 16:00, kunata e saj Ariana ka shkuar te lokali i Mirës, i cili ndodhet pas lokalit të Ariana Muça. Sipas Mirës, Ariana ka qenë shumë e hutuar dhe e acaruar, pa i treguar arsyen përse, dhe me shpejtësi i ka kërkuar t’i jepte një sasi prej 10.000 lekësh, pasi i duheshin. Mira ka deklaruar se nuk i ka treguar arsyen përse i donte, por pasi ia ka dhënë paratë, pra shumën 10.000 lekë të prerjes 5.000 lekë, Ariana i ka marrë ato nga Mira dhe është larguar me nxitim.

Të nesërmen e ngjarjes ka mësuar se shuma prej 10.000 lekësh Arianës i ishte dashur për të plotësuar sasinë prej 40.000 lekësh që i kishin kërkuar punonjësit tatimorë. Ky element përputhet edhe me pamjet filmike, pasi rezulton se Ariana Muça del nga lokali, shkëputet për pak kohë dhe rikthehet sërish ku në ambientet e brendshme të lokalit ndodhet tatimori Ervin Pupuleku dhe më pas shkon edhe kolegu tjetër Ermal Harizaj.

Shqiptarja.com

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura