Ja pra, që Albini kishte të drejtë

Dec 17, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE
Brisidia
Brisidia

BRIZIDA GJIKONDI

Tradhtia përherë të lë në baltë, të damkos, ka buzëqeshjen cinike të  Isës dhe sytë e fikur të Thaçit. Tradhtia është haram për të zotin, por është krim pa ndëshkim të mjaftueshëm për një Atdhe. Pasi tradhtitë kombëtare janë të përjetshme. Të parikuperueshme.

Tradhtari, kur tradhton vendin, patjetër që paraprakisht i bën të gjithë të zezat. Ai plaçkit, gjobit, përçan, burgos, ndaj tradhton, pasi tradhtia është supremja e të ligave, është kurorëzimi i së poshtrës që të ha shpirtin. Është amnistia që ti kujton se u bën të ligave të mëparshme.

Pasi në përgjithësi i ligu tradhton me ndëshkuesin e vet jo me ndërgjegjen e tij, në këtë rast popullin. Tradhtia zbukurohet me lule, me justifikime sublime me paternizma, por ndërkohë qelb erë, po erën e qelbur e ndjen kush e do këtë vend pa kushte, pa komplekse, e do deri në asht, dhe me shpresë, shumë shpresë. Burgosja e Albin Kurtit dhe atdhetarëve të tjerë treguan shqeto se kapja, injoranca, fudullëku, nënshtrimi hilacak janë të verbër.

Fshehja mbrapa justifikimit të gazit lotsjellës është i neveritshëm, pasi përballë një shteti të rrënuar nga plaç- kitja e vetë shtetarëve, nga tentativa edhe për ta shitur në shkëmbim të një imuniteti personal mafioz, gazi është thjesht një ulërimë në stepë, një ortek në borë, një fanar në stuhi, është një shenjë, një sinjal për gjëmën që pritet të ndodhë.

Përgjigja e BE-së ndaj Thaçit dhe Mustafës ishte kapitullimi i tyre moral dhe politik, ish përdorimi i tyre i panevojshëm, përfaqësimi i tyre me duar në xhepa dhe intriga e inferioritet në shpirt përballë përfaqësisë serbe, vërtetoi se sa mëkatarë dhe kokulur janë ata përballë shqiptarëve, historisë, por dhe përballë forcave politike nga vijnë.

Të njëjtin rezultat dhe shuplakë mori edhe shteti shqiptar në Shqipëri nga BEja, diferencimi pozitiv që iu bë Serbisë nuk është vetëm një lojë gjeopolitike kundrejt Rusisë, por dhe një meritë personale e shtetit serb.

Klasa politike mbarëshqiptare është një klasë politike që frymon me makutëri dhe një orientim antishqiptar të frikshëm. Piruetat, vëllavrasja, plaçkitja, fasadat, flirtimet, prostituimi, demagogjitë e tyre jo vetëm i kafshojnë kohën jo vetëm çështjes sonë kombëtare, por sjellin regres edhe në atë rrugëtim të nisur nga Sami Frashëri me shokë dikur.

Kësaj klase politike mbarë antishqiptare i intereson që misioni i nisur nga Sami Frashëri te “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të jetë” të mos realizohet, dhe kjo kryekëput për arsye tinëzare të administrimeve pjesore mafioze të territorit. Çdo ditë, çdo orë, çdo kohë që ne zvarritemi të shtrirë në territoret tona por të ndarë, është një hap drejt së ligës, drejt antikohës, antikombit, antivetes dhe dinjitetit tonë karshi dynjasë.

Ata po përpiqen me çdo mënyrë të zbehin vullnetin e shqiptarëve vizionarë dhe kurajozë për bashkimin jetik, pasi bashkimi për ta është shpërbërja e tyre imorale. Bashkimi tashmë është imperativë e kohës. Shqipëria e shqiptarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura