Izet Haxhia ka garanci nga Erdogan? Ç’ndodhi në gjyq, sulmi ndaj prokurorit: Shërbëtor i Berishës, unë…

Jun 15, 2018 | 12:29
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ditën e djeshme, në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca për rivendosjen në afat të ankimimit në Apel për çështjen e Izet Haxhisë.

izet-haxhia

Seanca ishte vazhdim i së parës, që u ndërpre, pasi Prokuroria nuk ishte njohur me të gjitha aktet që kishte mbrojtja. Avokati i Haxhisë, Bashkim Nikolla, paraqiti të plota të gjitha argumentet ligjore se përse Izet Haxhia, i cili është dënuar me 25 vjet burg në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, duhet rigjykuar. Edhe kësaj here debati gjyqësor është vendosur te forca madhore e ankimimit dhe nëse vërtet Izet Haxhia është njoftuar sipas ligjit për procesin ndaj tij në Shqipëri.

Prokurori Petrit Bicaj ngul këmbë se Haxhia është njohur me vendimin, ka pasur dijeni dhe nuk ka pasur forcë madhore që e pengonte ta ankimonte atë në Apel. Ai dorëzoi disa shkresa pranë gjyqtarit Besnik Hoxha, që sipas tij provojnë pretendimet e akuzës.

Mirëpo, këto shkresa u kundërshtuan nga avokati Bashkim Nikolla, i cili tha se nuk kanë të bëjnë aspak me njoftimin sipas ligjit të klientit të tij, se ndaj tij kishte proces gjyqësor. Avokati tha se klientit të tij i është mohuar e drejta që të vihet në dijeni hollësisht dhe menjëherë me akuzën që i bëhet, për të drejtat e tij.

Gjithashtu, sipas tij, Izet Haxhia është gjykuar në mungesë, nuk ka marrë dijeni për zhvillimin e seancave gjyqësore ndaj tij dhe si rrjedhojë nuk ka qenë prezent në këto seanca.

“E drejta e ankimimit ndaj një vendimi gjyqësor është e drejtë ngushtësisht personale e të pandehurit, të cilën ai mund ta ushtrojë vetë ose ta delegojë. I pandehuri, sipas nenit 410 të Kodit të Procedurës Penale pika 1 dhe 2, mund të bëjë ankim vetë ose përmes mbrojtësit, kundër vendimit të dhënë në mungesë sipas formave të kërkuara nga ligji”, tha avokati Nikolla. Ai solli përvojën e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në disa raste si edhe citoi edhe vendime unifikuese të Kushtetueses. Sipas avokatit, vërtetohet se gjykimi i kësaj çështjeje në të gjitha shkallët e gjykimit është zhvilluar në mungesë të të pandehurit Izet Haxhia dhe pa dijeninë e tij. Ai nuk ka lëshuar asnjë lloj prokure për avokatin që e ka përfaqësuar në gjykimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Haxhia nuk ka pasur dijeni për ankimimin që i është bërë vendimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila e ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Vetë Izet Haxhia provohet se nuk ka bërë deklarime përpara organeve proceduese. I pandehuri Izet Haxhia, në vazhdimësi, deri më datën 08.05.2018 kur u ekstradua, ka qëndruar në Turqi, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore të këtij vendi.

Vërtetohet që drejtues të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë i kanë komunikuar Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, më datën 06.04.2007, garancitë e Shtetit Shqiptar për rigjykimin e Izet Haxhisë dhe ai ka marrë edhe letër nga Presidenti turk, Erdogan, lidhur me këto garanci, si edhe nga Ministria e Drejtësisë turke.

Haxhia sulmon prokurorin: Shërbëtor i Berishës

Ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia, ishte i pranishëm ditën e djeshme në sallën e gjyqit. Që në nisje të tij, ai dha një mesazh në letër nga kafazi prej xhami, ku propozonte për martesë të dashurën e tij dhe përgjigjja që mori disa orë më pas përmes rrjeteve sociale ishte pozitive. “Të dua pafund, të dua përjetë, a pranon të martohesh me mua?”, ishte letra e Haxhisë para se të niste seanca gjyqësore. Pas nisjes së seancës, Haxhia dha pikëpamjet e tij për çështjen. I njohur me kundërshtitë e prokurorit Bicaj, ish-truproja i Berishës ka sulmuar prokurorin.

“Ky prokuror, shërbëtor i Berishës…”, ka thënë Haxhia, përpara se të ndërpritej nga gjyqtari Besnik Hoxha, i cili i ka tërhequr vërejtjen që të flasë më me etikë në sallën e gjyqit dhe pa emocione. Më pas Haxhia ka vijuar fjalën e tij, duke akuzuar prokurorin se i shërben ish-Kryeministrit Berisha, i cili sipas tij ka pasur frikë nga ekstradimi i tij në Shqipëri.

“Procesi im i ekstradimit ka zgjatur shumë në kohë dhe kjo është bërë qëllimisht. Shikoni rastin e Aldo Bares, që ka qëndruar në Turqi. Ai u ekstradua shumë shpejt, brenda një viti, ndërsa ekstradimi im u zgjat që nga viti 2005 deri tani. Kjo është bërë qëllimisht nga qeveria “Berisha”. Berisha ka pasur frikë të përballej me mua. Unë di shumë gjëra për Berishën dhe që i djegin. Di shumë krime dhe do të flas për to nëse më jepet e drejta përpara një trupe gjykuese të pavarur. Ndaj unë kërkoj rigjykim. Jam dënuar në mungesë, nuk më është dhënë mundësia të mbrohem”, tha Haxhia, duke kërkuar sërish në një farë mënyre ballafaqim me ishKryeministrin Sali Berisha. Pas fjalës së tij, gjyqtari Besnik Hoxha vendosi që ta shtynte seancën më datë 20 qershor në orën 12:00.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura